Njihuni me babain e Endri Fugës, njeriut të “heshtur” të Edi Ramës
Kush është fizikani i parë i Institutit të Fizikës Bërthamore që punoi si inspektor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Vjenë.
Universiteti Europian i Tiranës kaloi me sukses një “provim” të fortë në jetën e tij të re vetëm 10-vjeçare, akreditimin nga kompania britanike QAA. Vlerësimi që i përket akreditimit institucional të UET nga kjo kompani është një moment domethënës për institucionin, por në veçanti për njerëzit që kanë punuar direkt në sektorin e sigurimit të cilësisë akademike të tij.
Një prej tyre është profesor Përparim Fuga, ish-Prorektor i UET-it dhe drejtues për disa vite rresht i zyrës për sigurimin e cilësisë dhe respektimit të standardeve në veprimtarinë akademike të universitetit.
“Obsesionin” pas cilësisë prof. dr. Përparim Fuga e ka fituar herët, që nga puna si studiues në Institutin e Fizikës Bërthamore në Tiranë, por veçanërisht gjatë përvojës së tij më të rëndësishme, profesionale dhe jetësore, kur ka punuar për Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) me qendër në Vjenë, Austri.
“Duke shfrytëzuar përvojën e fituar pranë një organizate ndërkombëtare, ku sigurimi i cilësisë dhe respektimi i standardeve ishte kryefjalë e punës së përditshme, bashkë me kolegë të tjerë me përvojë jam angazhuar dhe me problemet e sigurimit të cilësisë në aspektet e veprimtarisë akademike në UET. Kolegët që gjeta këtu kur iu bashkova UET-it në vitin 2010 kishin hedhur një bazë të mirë në drejtim të cilësisë, një themel të fortë, për të avancuar së bashku në këtë drejtim. Lidhur me cilësinë ka këndvështrime të ndryshme; por unë i përmbahem parimit që cilësia nuk është vetëm detyrë e përgjegjësi e drejtuesve të një institucioni akademik, sado të aftë qofshin ata. Ajo është detyrë, angazhim e përgjegjësi e tërë personelit akademik e ndihmës. Nëse ky parim harrohet, ka pak gjasa që të arrihet suksesi me ndonjë rrugë tjetër”.
Profesor Fuga sapo ka hedhur hapin e kohës në të 70-at e tij dhe prej dy viteve është shmangur nga pozicionet drejtuese në UET, për të shijuar vetëm mësimdhënien; është një rikthim me kohë të plotë tek profesioni i tij i parë i pedagogut dhe studiuesit, pas një përvoje krejt të ndryshme të punës si inspektor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, agjenci kjo e specializuar e OKB-së, e njohur si një “watchdog” që siguron bashkësinë ndërkombëtare për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore dhe mospërhapjen e armëve bërthamore.
Gjatë periudhës së punës pranë IAEA-s, nga viti 2003 deri në 2010 i është dashur të udhëtojë në shumë vende të rruzullit tokësor, në mënyrë më të shpeshtë në vende si Afrika e Jugut, Republika Demokratike e Kongos, Irani, Algjeria, Siria etj., ku realizimi i misionit përtej aspekteve profesionale kërkonte edhe rrugëtimin në mes të xhunglës, ose edhe përballje me kërcënime për jetën (në një rast në Afrikën e Jugut).
Megjithëse kjo periudhë e karrierës së tij është më pikantja, pasi organizata për të cilën punoi në vitin 2005 u nderua me çmimin Nobel për Paqen për “përpjekjet e saj në parandalimin e përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime ushtarake”, Fuga dëshiron ta ndajë karrierën e tij në katër faza; studimet dhe puna para viteve ’90 për aplikimin e arritjeve të fizikës bërthamore në vend pranë Institutit të Fizikës Bërthamore; veprimtaria studimore e organizuese pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; puna si inspektor pranë IAEA-s dhe më tej, angazhimi si profesor në UET, ku lekton çështjet e sigurisë.
Përpjekja për ndërtimin e reaktorit bërthamor
Kur Lufta e Ftohtë po shënonte pikën më të nxehtë të saj, që rrezikonte një përplasje bërthamore mes Rusisë e SHBA-së në vitet ’60, në Tiranë sistemi komunist po hapte degën e Fizikës Bërthamore, një degë e re që i përgjigjej zhvillimeve të kohës. Përparim Fuga, një i ri i apasionuar pas fizikës, zgjodhi këtë degë intriguese për studimet e tij universitare, që siç kujton ai; “në ato kohëra fizika ishte në periudhën e bukur, kur të gjitha vendet përpiqeshin që të zhvillonin teknologjinë bërthamore. Në vitet ‘65-70, ishte periudha që në mbarë botën shkohej drejt energjisë bërthamore, meqë u hap ajo degë, u futa”.
Shpejt pas përfundimit të studimeve ai do të bëhej pjesë e ekipit të ri të shkencëtarëve të Institutit të Fizikës Bërthamore, një institucion shkencor që aplikoi me sukses në vend shumë nga arritjet në fushën e fizikës bërthamore, madje guxoi për të ndërtuar reaktorin e parë bërthamor eksperimental në vendin diktatorial.
“Instituti i Fizikës Bërthamore kishte shumë detyra; nga kontrolli i niveleve të rrezatimit për punonjësit që punonin me lëndë radioaktive e rrezatime jonizuese, te monitorimi i radioaktivitetit në mjedis, ujë, ajër, tek aplikimet nga më të ndryshmet me interes shkencor e ekonomik etj. Në vazhdën e kësaj veprimtarie, në vitet ’80 lindi ideja për të ndërtuar një reaktor bërthamor në Shqipëri, jo central, por një reaktor të thjeshtë eksperimental. Një këndvështrim strategjik për sa i përket të ardhmes së energjisë përcaktonte si një opsion që Shqipëria duhet të shikonte edhe mundësinë e përdorimit të energjetikës bërthamore; por drejt saj nuk mund të shkohej pa e filluar punën me një impiant të vogël, që do përgatiste personelin e nevojshëm, hartimin e legjislacionit në fushën e teknologjisë bërthamore etj., e thënë ndryshe pa krijuar kulturën e nevojshme në këtë drejtim. Ishte fjala për një reaktor të vogël, i cili do të ndërtohej brenda territorit të institutit dhe nuk paraqiste rrezik”, kujton ai.
Regjimi i Hoxhës po tentonte kështu të futej në një fushë, ku luftonin elefantët e politikës ndërkombëtare, por për ta bërë këtë duhej të blinte mall “imperialist”.
“Për ta ndërtuar reaktorin neve na duhej ta importonim atë, ndërkohë që prodhuesit e tij ishin vende si Amerika, Rusia, Kina, Argjentina etj. Politika e kohës i kishte përjashtuar disa prej këtyre vendeve si importues të mundshëm, që e bënte misionin e institutit të vështirë”, tregon Fuga. Gjithsesi, këto përpjekje të shkencëtarëve nuk arritën të realizonin ëndrrën për prodhimin e energjisë bërthamore, pasi vetë regjimi po shkonte drejt fundit të tij.
Por shkencëtarët, për nga puna që bëjnë, jetojnë në një paralele tjetër, që ecën drejt, ndryshe nga regjimet që ngrihen e rrëzohen.
Viti i ndryshimeve të mëdha, 1990, shënoi kthesë edhe për institucionet shkencore të vendit. Fillimet e viteve ‘90 e gjejnë profesor Fugën drejtor të Institutit të Fizikës Bërthamore në Tiranë, ku kishte punuar që nga fillimi i viteve ‘70. Ishte një kohë e vakët për shkencën, pasi tranzicioni në sistemin demokratik krijoi shumë boshllëqe në disa sektorë, që u lanë në harresë dhe pa vëmendje, siç ishte dhe ky institut. Duheshin përpjekje kolosale për ta ruajtur institutin të paprekur nga rrebeshet e kohës, sikurse edhe për ta mbajtur atë funksional, një ëndërr ekselence të kërkimit shkencor në vend. Një kolektiv i tërë njerëzish të përkushtuar ja dolën këtyre vështirësive, me shumë mund.
Nga viti 1994, Profesor Fuga u largua nga drejtimi i institutit dhe u fokusua në punën shkencore deri më 1999-ën, kur mori një tjetër detyrë ekzekutive, atë të sekretarit shkencor për shkencat natyrore e teknike në Akademinë e Shkencave, një institucion i cili, sipas tij, ishte lënë mënjanë dhe “vuante nga mungesa e financimit, hermetizimi dhe plakja”. Sot reformimi i akademisë është debati i ditës, por ai ka preferuar të mos përfshihet në këtë debat, ndoshta dhe për shkak të nostalgjisë për institucionin ku ka punuar disa vite.
“Gjatë viteve të punës në Akademi tentova që në të të futet një frymë e re në tri drejtime; të planifikimit të punës mbi bazën e konkurrimit të ideve, në formë projektesh, produkti i të cilëve duhet të kishte një impakt konkret për vendin; për vlerësimin e arritjeve shkencore mbi bazën e indikatorëve matës, individualë e institucionalë; dhe për financimin e projekteve sipas prioriteteve, mbi bazën e interesave të vendit e shoqërisë”.
Por, kjo ishte një betejë, të cilën nuk e çoi deri në fund, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ishte synim i tij i madh, të cilin e arriti pas një aplikimi krejtësisht individual.
Shkencëtari-inspektor i programeve bërthamore të Iranit
“Për shumë kohë në këtë organizatë mund të futeshe vetëm si i nominuar, si të thuash i rekomanduar, nga shteti yt, por mua nuk ma dhanë këtë mundësi dhe praktikisht në vitin 2002 aplikova si individ dhe fitova. Ishte një konkurrim i vështirë, aq më shumë pasi në atë kohë studiuesit shqiptarë nuk njiheshin jashtë vendit. Ne ishim atë kohë vetëm dy shqiptarë në këtë organizatë dhe suksesi a dështimi ishte tërësisht në shpatullat tona, në aftësitë tona profesionale e morale. Kam qëndruar në këtë agjenci nga viti 2003 deri në vitin 2010, si punonjës i Kombeve të Bashkuara. Rrethanat bënë që të caktohesha në seksionin që mbulonte monitorimin e programeve bërthamore të vendeve të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, mes tyre edhe atë të Iranit”, tregon Fuga për eksperiencën e tij që ka pak të ngjashme.
Po cila ishte puna që bënte realisht shkencëtari shqiptar në agjencinë, e cila pikërisht në këtë periudhë do të meritonte vlerësimin më të madh për paqen, pikërisht çmimin Nobel?!
Koha kur Fuga punoi në IAEA ishte një kohë përplasjesh të mëdha, problemi kryesor me të cilin po ndeshej bota në fushën e sigurisë ishte programi bërthamor i Iranit. Ai udhëtonte shpesh drejt Afrikës së Jugut, Iranit, Republikës Demokratike të Kongos etj. Udhëtimin në një prej minierave të famshme të uraniumit në Kongo e cilëson si udhëtimin më të rrezikshëm dhe pse historinë e një kanosjeje me jetë, ku ai së bashku me kolegun, u sulmuan dhe u vodhën nën kërcënimin e thikave, e ka përjetuar në Afrikën e Jugut.
“Në Kongo duhej verifikuar çfarë ndodhte me minierën e Shinkolobwe-s, e njohur si një minierë uraniumi, që nga koha e projektit Manhattan, për ndërtimin nga SHBA të bombës atomike gjatë luftës së dytë botërore. Misioni ishte i vështirë për faktin se atje duhej të shkoje përmes xhunglës, në një vend ku infrastruktura rrugore ishte tërësisht e shkatërruar, ku lufta civile bënte kërdinë dhe pasiguria për jetën ishte maksimale. Po të më thoje prapë, nuk do shkoja, por kjo ishte jeta në IAEA, kur e merr një mision do ta kryesh atë deri në fund”.
Ja si e përshkruan ai punën në terren si pjesë e ekipeve inspektuese të programeve bërthamore;
“Misionet në çdo vend, sidomos ato në Iran ishin të një përgjegjësie të madhe, sepse mbi bazën e asaj që raportohej nga ana e inspektorëve, hartoheshin raporte që i shkonin Këshillit të Sigurimit, i cili më tej merrte vendimet e tij. Pra ishte një punë që donte shumë kujdes, donte një ekuilibër kompleks, duhej të ishe shumë objektiv, sepse si pasojë mund të penalizoje një shtet, të penalizohej një popull i tërë. Nuk diskutohej aftësia profesionale, kryerja e do hallke të veprimtarisë me saktësi e cilësi, në kohën e duhur dhe pa i krijuar pengesa e vonesa institucionit që monitorohej. Monitorimet përfshinin duke filluar nga centralet atomike, deri te reaktorët bërthamorë apo fabrikat e pasurimit të uraniumit etj. Janë teknologji të avancuara që duheshin njohur me detaje, sikurse edhe për inspektime përdoreshin teknikat më të avancuara të kohës. Gjithsesi, sot mund të them se ia dola me sukses”.
Por vjen një ditë dhe i kushtëzuar nga mosha, si në gjithë institucionet e Kombeve të Bashkuara, vjen momenti i shkëputjes nga IAEA, pasi pranë saj mund të punosh deri në moshën 62-vjeçare. Largimi nga kolegët ishte një moment ku Fuga provoi anën njerëzore të punës në grup, ku bashkoheshin ekspertë nga e gjithë bota. Një album me foto dhe shënime nga kolegët dhe eprorët e tij gjendet në zyrën e tij.
“I dashur Fuga, të falënderoj shumë për punën e palodhur, përkushtimin dhe miqësinë tënde. Ka qenë një nder i vërtetë dhe privilegj për mua që të kam patur në ekipin tim. Do të të kujtoj gjithnjë si dikush që kujdeset për njerëzit, që i vë njerëzit të parët. Ke qenë një inspektor fantastik, një koleg që gjithkush do ta dëshironte dhe më e rëndësishmja, një mik i mirë. Të gjithëve do të na marrë malli. Herman”, shkruhet në shënimin e drejtorit të tij.
“I dashur Përparim, në 22 vitet e mia të inspektimit, nuk më vjen në mend një inspektor tjetër që të vlerësohet aq shumë sa je vlerësuar ti nga kolegët e tu. Ke qenë një inspektor i shkëlqyer! Paç fat në fazën tjetër të jetës tënde dhe të lutem letë ruajmë lidhjet. Me dashuri, Mike”, shkruan një tjetër koleg i tij.
Ndërsa vetë Fuga mund të tregojë me orë të tëra historitë që e lidhin me secilin prej kolegëve, të cilët kanë gdhendur kujtimet me firmën e tyre në këtë bllok kujtimesh që e lidh përjetësisht me punën në IAEA, ashtu si emri i vetë Fugës është gdhendur krahas atyre të kolegëve të tij në një nga kolonat në hyrje të ndërtesës së kësaj agjencie, për të kujtuar kohën e artë të punës e përkushtimit që meritoi një Nobel.
Duket se marrëdhëniet njerëzore janë ato që lënë gjurmë tek njeriu më shumë se sa çmimet dhe sukseset. Përparim Fuga dhe pse i qëndron larg protagonizmit publik, investon kohë dhe energji tek miqësitë, tek kolegët dhe te studentët e tij, duke iu përmbajtur përherë parimit se “puna me përkushtim e profesionalizëm, cilësia e saj e lartë, respekti dhe komunikimi njerëzor me kolegët, puna në grup, të sigurojnë kurdoherë sukses dhe të nxjerrin gjithmonë faqebardhë e të nderuar përpara atyre që dinë të vlerësojnë”.
Tashmë që ligjërisht është në pension, por akoma jo i gatshëm për t’u shkëputur nga akademia, ai vijojë të lektojë për studentët e tij.
Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj e vlerëson maksimalisht punën e Fugës në drejtim të arritjes së cilësisë dhe marrëdhënien njerëzore me të.
“Fuga ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Ne kemi përmbyllur disa procese akreditimi deri tek akreditimi britanik. Mund të them se profesor Fuga ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të aftë, më të përkushtuar, më luajal gjatë gjithë këtyre viteve. Ai u kushton shumë rëndësi marrëdhënieve njerëzore dhe për këtë kam një mirënjohje të thellë. Si ish-Prorektor i këtij institucioni, ai përfaqësonte një prej drejtuesve më kompetentë, të ndershëm, luajalë e të aftë, me të cilin kemi vendosur shumë praktika të mira, kemi siguruar cilësinë akademike të institucionit dhe programeve, si dhe kemi garantuar suksesin e gjithanshëm”, shprehet Gjuraj.
Fatri Morina, një ish-student i profesor Fugës, tani koleg i tij i afërt, që po ndjek në një farë mënyre gjurmët e profesorit të tij si “pasardhës” në zyrën e garantimit të cilësisë, e quan veten me fat që e ka pasur mentor në jetën e tij akademike.
“Të flasësh për profesor Fugën është privilegj, por edhe përgjegjësi në të njëjtën kohë. Mentori, për një të ri i cili sapo nis rrugëtimin në jetën akademike, është një ndër shtyllat kryesore në përcaktimin e vazhdimit në këtë sferë, dhe këtë rol profesor Fuga e ka luajtur më së miri. Në marrëdhënien tonë, sa akademike por edhe njerëzore, profesor Fuga ka ditur gjithmonë të shfaqë virtytet e korrektësisë, seriozitetit dhe rigorozitetit. Janë këto elemente që e bëjnë atë një individ me ndikim të madh në karrierën time akademike. Bashkëbisedimet, asistimi në lëndë të lidhura me çështjet e sigurisë dhe finalizimi me sukses i doktoraturës të fokusuar te siguria energjetike janë element që dëshmojnë jo vetëm suksesin e përbashkët, por akoma më shumë privilegjin e të punuarit me Profesor Fugën”, shprehet Morina, i cili sapo ka marrë titullin doktor shkencash dhe është zgjedhur kryetar i Komisionit të Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë në UET.
Jeta dhe puna e njerëzve si Fuga janë të mëdha, por të panjohura, pasi trumbetimi është gjëja e fundit që një shkencëtar bën për veten. Kjo, e lidhur ndoshta me natyrën e tyre të tërhequr apo ndoshta me kotësinë, shpesh, të gjërave apo njerëzve që u bien tambureve në qytet./mapo