Opozita e pafokusuar

Placeholder Image

PD, në fushatë bën pakte me qeverinë, në pushimet verore qeveris për llogari të partisë në pushtet, në kohën kur zjen çështja e administratës publike merret me zgjedhjet që i humbi sepse nuk bëri fushatën që duhej, etj…
Nga Artan Fuga

Ministrat teknikë po largohen zyrtarisht nga qeveria socialiste. Këtu duhet të sqaroj se kam respekt nga larg për ministrat teknikë, për ato gra edhe burra që ata janë, dhe që duke qëndruar në një detyrë shumë të vështirë, në ditë politike absurde, e kryen atë me dinjitet dhe seriozitet. Gjithçka që do të trajtoj më poshtë nuk ka lidhje fare me ta si persona publikë që kanë shkruajtur tani faqet e tyre në historinë e administratës shqiptare, ndonëse jetëshkurtëra, por me politikën, dhe kryesisht me opozitën.

Opozita demokratike, në demin tonë si qytetarë që duam edhe një qeverisje të mirë dhe një opozitë cilësore, mbetet edhe aktualisht, e pafokusuar, e pa orientuar, dhe disi e çfazuar në kohë dhe me një agjendë politike më së paku pa impakt mbi jetën politike reale. Largimi i ministrave teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, nga disa qarqe me konflikt interesi për të na dhënë një gjykim objektiv, u trajtua në mënyrë eufemike, madje me nota fitoreje për opozitën. Interpretimi i parë theksoi se tani ministrat teknikë ikën, Edi Rama do të qeverisë me zëvendësministra dhe nuk merr dot vendime!!!

A thua se tani, në mes të pushimeve verore, kur kryeministri po bëhet gati të nxjerri qeverinë e re, ka nevojë njeri për ministrat teknikë apo i bëhet njeriu qejfi qeder nëse ata qëndrojnë apo ikin. Madje po të qëndrojnë ata më shumë prishin punë për kryeministrin. Ai do të kthehet në punë nga pushimet së shpejti dhe besoj se as do që t’i ketë më nëpër këmbë ata nëpër korridoret e kryeministrisë. Pra, largimi i tyre nuk është ndonjë përballje që gjoja opozita po i bën qeverisjes, përkundrazi, ajo po përgatit me zell stinën e re qeveritare.

Së dyti, nga selia e Partisë Demokratike u hodhën kova me cilësinë negative mbi ata që u quajtën orakuj a kukuvajka, a nuk e di se çfarë, duke thënë pak a shumë  E patë, i hoqëm ministrat, pra kot dyshonit te ne se do të bashkëqeverisnim me PS!!! A thua se i ftoi Edi Rama në bashkëqeverisje! Ndonjërit ose ndonjerës nga opozita madje i shkonte mendja të ftohej në një qeverisje të përbashkët. Por, së paku nuk ka vend për të thënë: Ja nuk bashkëqeverisëm! Nuk mund të krenohesh për diçka që nuk ke pranuar ta marrësh, kur i zoti i punës nuk ta ka dhënë fare atë! Logjikë fare e thjeshtë.

E ndërkaq, edhe vetë raporti i formuluar nga ministrat teknikë pranon qartë se roli i tyre në zgjedhjet e fundit parlamentare ishte pa asnjë ndikim. Pra, pranohet se kemi të bëjmë me një dështim të opozitës në hapat politike të marra. Fatkeqësisht ata u përdorën si fasadë e kontrollit politik të zgjedhjeve, ndërsa në fakt e dëmtuan rëndë imazhin e opozitës në elektoratin e saj. E më në fund, ministrat po ikin bash kur i duhet Partisë Socialiste dhe jo kur i interesonte opozitës për të treguar identitetin e vet politik.

Folësit opozitarë të podiumeve verore janë disa javë me vonesë, me çfazim kohe, pra, në krahasim me zërat që deklaruan se qëndrimi i ministrave teknikë në detyrë ishte një shërbim politik i opozitës për qeverinë dhe vetëm kaq. Por, të gjitha këto janë anë dytësore. Çfazimi i opozitës në kohë, në logjikë politike dhe në agjendë është gjetiu.

Sot opozita ende merret me raportin e ministrave teknikë për parregullsitë në zgjedhje, kur kjo çështje është stërezauruar nga publiku, politika, ndërkombëtarët dhe janë bërë edhe urimet e rastit. Opozita demokratike i bie një qemaneje në një festë që ka javë që ka mbaruar!

Sot e prej ditësh, kryeministri Edi Rama merret, mirë a keq, me administratën dhe me pretendimin e një reforme në të. Opozita demokratike duke pasur njerëzit e vet në krye të administratës, në vend të paraqiste një raport alternativ, një studim, një vizion, me të dhëna se si e konceptonte ajo reformën administrative, pra në vend të merrej me aktualitetin, në vend të përballonte pra detyrën e opozitës, i detyron ministrat e shkretë teknikë, ata që ende punonin kur ministrat socialistë kishin marrë lejet verore, të shkruajnë për zgjedhjet. Pra, të merren me një problem të stërtejkaluar e të trajtuar në mënyrë dështake në kohën e zgjedhjeve nga vetë Partia Demokratike. Ky është çfazimi kohor dhe në logjikën politike i opozitës, që vazhdon prej muajsh e vitesh. Në fushatë bën pakte me qeverinë, në pushimet verore qeveris për llogari të partisë në pushtet, në kohën kur zjen çështja e administratës publike merret me zgjedhjet që i humbi sepse nuk bëri fushatën që duhej, etj.. Partia Socialiste në pushtet besoj se është në një konfort politik të madh me këtë lloj mënyre të bëri opozitë.

E më në fund, raporti i ministrave teknikë për zgjedhjet konstatonte gjëra që ata ose një pjesë e tyre nuk kanë si t’i dinë me fakte të investiguara nga ata vetë. Nuk kishte në të asgjë të re që opozita nuk e kishte thënë para një muaji ose më parë akoma sesa kaq. Ta zëmë ku e di ministrja e arsimit, ose e financave se grupe kriminale kanë blerë votat!!! Edhe po e diti personalisht a është statusi dhe detyra e tyre të bëjnë kësi lloj zbulimesh tronditëse !!! Pse i detyroni o të uruar të rizbulojnë Amerikën në kohën kur njerëzit po eksplorojnë Marsin.

Ky quhet sfazim, rizbulimi i Amerikës nga opozita, në kohën kur agjenda dhe vëmendja e politikës aktive, dhe e opinionit publik, është gjetiu, pra kur jemi në kohën e udhëtimeve për në Mars! Çfarë konforti politik pushteti me këtë lloj opozite që mbetet e pafokusuar!

Psenë e di ajo vetë!

SHKARKO APP