Opozita është ”lodhur” në opozitë. ”Zot na ruaj!”.
Nga: Frrok Çupi
A do të kemi qeveri të përbashkët mes PS-PD-LSI?!… Opozita po lutet. Po të ndodhë kjo, na trefishohet e keqja: Krimi, korrupsioni, padrejtësia, varfëria, dhuna… Sot kemi një (PS), nesër do të kishim trefish (PS+PD+LSI).
…I deleguari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shezai Rokaj, ka thënë sot se ‘Shqipërisë i duhet një qeveri me bazë të gjerë’ ( Lexo KJ). Me ‘bazë të gjerë’ do të thotë një çadër qeveritare ku do të hyjë edhe opozita (LSI dhe PD).
Në rast se qeveria nuk e pranon ‘lutjen’ e LSI që të mirëpresë edhe PD-në, atëherë LSI jep shenja se është gati të hyjë edhe pa PD. Por nga ana tjetër, PD e ka shprehur më herët ‘lutjen’ për të hyrë në qeveri. Menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2017, madje edhe para zgjedhjeve, PD dhe kryetari i saj kanë folur për një “qeveri anti- kanabis” që përkthehet vetëm në një “qeveri me PS+ PD”.
Edhe deputeti i PD, Tritan Shehu para dhjetë ditësh i ka bërë thirrje qeverisë që ‘të na pranojë’ në një shtëpi me “bazë të gjerë”.
Idenë për një ‘qeveri me bazë të gjerë’, LSI e ka huajtur nga PD; por në kushtet konkrete ka disa ndryshime. Ndryshimi i parë është se kësaj here LSI bëhet ‘sekser’ mes PD dhe Qeverisë, duke ofruar pjesëmarrje në qeverinë e PS. LSI është më afër PS, madje edhe e ndarë nga PS, një parti që qeverisi katër vitet e fundit me PS…, dhe kështu e ka më të lehtë të trokasë në derën e shtëpisë së saj që është PS e t’i kërkojë ‘të bujnë’ edhe të dy partitë e opozitës.
Aleanca e ngushtë mes PD dhe LSI, e vënë re kohët e fundit, me sa duket ka pikërisht këtë betim: ‘O të dyja në qeverinë “Rama”, ose asnjëra… ‘Besa- besë!’.
LSI ka zgjedhur zotin Shezai Rokaj, një zyrtar i lartë i saj, por jo luftarak, që të ‘bëjë zë’ në derën e qeverisë që është edhe streha e Opozitës; dhe këtë e ka bërë jo pa qëllim. Në çdo derë ku troket zoti Rokaj do të marrë përgjigje të butë: “Hyni profesor, ka vend për ju, por jo për çakenj si Manjani”, psh. Në derën e Qeverisë troket edhe PD si në derën e vet, sidomos pas Marrëveshjes së 18 Majit 2017. Por edhe PD, kujdesshëm zgjedh deputetin Tritan Shehu për të kërkuar ‘një çikë miell’ në derën e Qeverisë; Shehu është një mjek dhe intelektual i urtë; ai nuk thyen qelqe nga kalon.
Por cili është argumenti që përdor Opozita në lutjen ndaj Qeverisë?
“Na pranoni edhe ne”, thotë Opozita, me këto argumente (sipas Rokaj të LSI,- njësoj si Ungjilli sipas Lukës):
Sepse bashkë me ne “bëhet reforma në drejtësi, dalin peshqit e mëdhenj, zhduket varfëria ekstreme në vend, nuk mungojnë investimet e huaja, nuk ka më përqendrim të parave në duart e oligarkëve, braktisja e vendit dhe mungesa e dialogut politik eliminohen dhe përgjegjësia kombëtare prevalon mbi interesin vetjak”.
Kështu tha zoti Rokaj, me këto pika (në invers) u paraqit para Qeverisë. ( Lexo Lutjen fjalë për fjalë).
Liderët e tjerë po presin prapa “gardhit”, në ankth nëse do të hapet dera e qeverisë për të hyrë opozita, ‘turr-e-vrap”. O zot ‘na ndihmo!’ po luten liderët ‘opozitarë’!
Edhe kjo do të na duhej që në një qeveri me njëfish oligarkë, njëfish hajdutë, njëfish banditë,… numri i tyre të trefishohej. Duhen edhe dy parti të Opozitës në qeveri, që dyert e shpresës së këtij vendi të mbyllen trefish, me një shkëmb të madh, përjetë!
/Veritas.com.al/