Opozitën, që sot, do të na e bëjë Salvini
Nga: L. Skiro
Kryetari i PD, në Opozitë, ia ka bërë benë sot qeverisë, krimit dhe mafies. “Ah, kodosha!, tani nuk shpëtoni dot”, ka lënë të nënkuptohet ai. Gati ka thënë se “deri tani bëtë si bëtë, sepse nuk kishit opozitë, por sot doli Salvini, do t’ua rregullojë qejfin”.
Matteo Salvini është ministër i Brendshëm i Italisë në qeverinë e re konservatore të djathtë e euroskeptike. Asnjë ditë nuk ka qenë ushtar i Soros- siç kanë qenë dhe janë liderët e opozitës në Shqipëri. Ai ka shkuar sot në një fermë të madhe në provincën e Sienës që është sekuestruar nga duart e mafies italiane dhe ka kaluar në duar të publikut. Salvini, i përpjekur gjatë muajit në qeveri, kundër emigracionit masiv, kundër mafies dhe krimit, ka dhënë një mesazh të qartë kërcënues kundër Mafies në Itali.
Kryetari i PD, Lulzim Basha, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me llojin e Salvinit (Basha është sorosian dhe bashkëpunëtor me qeverinë kundërshtare, është majtist liberal dhe adhurues i Obamës, Hillary në Amerikë dhe i Merkel në Gjermani), sot ka gjetur shpëtimin nga mafia dhe krimi në Shqipëri, pasi këtë opozitën këtu do ta bëjë Salvini i Italisë. “Ah, qafira!, bëtë si bëtë, por tani u erdhi Salvini!”, gati sa nuk ka deklaruar Basha.
Përmes një postimi në twitter, Basha shkruan se po vjen era e ndryshimit, dhe së shpejti mesazhi i Salvinit do të bëhet realitet dhe në Shqipëri, duke shtuar se mafia shqiptare dhe narkoshteti i Ramës po e ndiejnë frikën nga presioni i Italisë- sipas medias së afërt me Bashën.
Ja çfarë shkruan fjalë për fjalë, Basha:
“Mirësevjen Era e Ndryshimit @matteosalvinimi, së shpejti edhe në anën tjetër të Adriatikut. Mafia shqiptare dhe narkoshteti i Ramës duhet të ndjejnë presionin e Italisë, në vend të gënjeshtrave, marrëveshjeve të fshehta dhe mbulimit të të vërtetave të deri-djeshme…”.
Tani, të paktën shpëtuan qytetarët shqiptarë nga thirrjet e kota të opozitës për të dalë në protesta kundër krimit, mafies e qeverisë… Edhe këtë punë mund ta bëjë Salvini. Opozita mund të përdoret për të shpërndarë fletë- palosjet për protestat që do të rrethojnë Teatrin Kombëtar, në qoftë se nuk është shembur deri atë ditë…
Marshimi Italian mbi Tiranë nisi!- paralajmëron Opozita. Tani nuk ka më nevojë për opozitë shqiptare, as në letër.
Veritas.com.al/