Pak fjalë për disa tenderime
Prokurimi Publik në Shqipëri është një fushë e cila gjithmonë e më shumë po bëhet pre e abuzimeve të operatorëve ekonomikë që duan të përfitojnë në mënyrë të padrejtë dhe në dëm të taksapaguesve shqiptarë.
Duke analizuar prokurimin publik në fushën e shtypshkrimeve dëshirojmë të evidentojmë fenomenin e hapjes së shumë firmave në pronësinë e një ortaku, të cilët ushtrojnë aktivitet në të njëjtën fushë dhe që marrin pjesë rregullisht në prokurimet publike.
Është për t’u përmendur rasti i firmave “Albdesign sh.p.k”, “Albdesign PSP sh.p.k” dhe “Albanian Digital Printing Solutions & Services”, të cilët janë firma që kanë pronar Elvis Sula, dhe që ushtrojnë aktivitet në fushën e shtypshkrimeve.
Këto firma, gjatë pjesëmarrjes në prokurime publike, përfitojnë tendera në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik, duke bërë presione të ndryshme, por edhe duke marrë pjesë në tendera me dokumentacion të dyshimtë (shkak për të cilin firma “Albdesign sh.p.k” është përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimet publike).
Vlen të theksohet se këto kompani përveçse janë shumë aktive në pjesëmarrje në prokurimet publike, marrin pjesë dhe në tendera që janë jashtë fushës së aktivitetit të tyre tregtar, siç është tenderi “Blerje zgara dhe puseta për rrugë e trotuare”, tendera të cilat i ka marrë në kundërshtim edhe me parimin e mirëpërdorimit të fondeve publike, siç e parashikon ligji “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, pasi këto kompani i fitojnë këto tendera duke ofertuar në fond limit. Për tenderin e zhvilluar me datë 08.08.2017 me objekt “Blerje zgara dhe puseta për rrugë e trotuare”, e themi me siguri se nuk ka sesi të jetë fituese ndonjë firmë tjetër përveçse “Albdesign PSP”.
Kujtojmë këtu edhe skandalin që ndodhi me tenderin “Shtypja dhe botimi i dëftesave, regjistrave dhe i revistës “Mësuesi””, të realizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ku “Albdesign PSP” ishte firma e vetme e kualifikuar në këtë procedurë prokurimi, dhe oferta e saj ishte në vlerën e fondit limit, duke cënuar kështu edhe parimin e konkurencës që sanksionin ligji “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar. Siç edhe është evidentuar më parë në media, kjo kontratë është firmosur në një kohë rekord dhe jo nga titullari i Autoritetit Kontraktor, por nga Sekretari Përgjithshëm, fakt i cili është në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu, ky autoritet kontraktor, e ka zhvilluar procedurën e prokurimit në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik, pa ezauruar afatet e ankimimit nga operatorët ekonomikë, sipas parashikimeve ligjore, me qëllimin e vetëm që firma “Albdesign” të mos kishte konkurentë dhe të ofertonte në vlerën e fondit limit.
Në lidhje me firmën e tretë, “Albanian Digital Printing Solutions & Services”, vëmë re se është një firmë offshore, ortakët e së cilës nuk dihen dhe nuk ka të dhena (Wildermore Holdings).
Firma “Albdesign PSP” ka qenë pjesëmarrëse ëe tenderin e zhvilluar nga Posta Shqiptare me objekt “Blerje shtypshkrime për vitin 2017”, ku si kriter kualifikimi ishte dorëzimi i mostrave, kjo firmë nuk arriti të dorëzonte mostrat e kërkuara në orën e parashikuar në dokumentet e tenderit për hapjen e ofertave.
Përmendim, gjithashtu, edhe tenderin e zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tarifave dhe Taksave Vendore, me objekt “Shërbimi për printimin e fletë detyrimeve dhe prodhim dokumentacioni për vitin 2017”, tender në të cilin e vetmja firmë pjesëmarrëse ishte “Albdesign PSP”, e cila për çudi kishte ofertuar sërish në vlerën e fondit limit të vënë në dispozicion.
Këto firma, gjithashtu, dallojnë edhe për ankesat që i drejtojnë Komisionit të Prokurimit Publik, ankesa të cilat nuk kanë një bazë ligjore (vetëm lojë fjalësh) me qëllim vonimin e procedurave të prokurimit dhe cënimin e interesit publik.
A.L.
Shënim i redaksisë: Emrat e lakuar në këtë shkrim janë të hapur të sjellin reagimet e tyre në gazetë për të botuar qëndrimin e tyre, nëse dëshirojnë si dhe nëse ka gjëra të pasakta në shkrimin e mësipërm