Parlamenti Europian fillon procedurë kundër Hungarisë
Parlamenti Europian voton me shumicë pro hapjes së procedurave kundër Hungarisë për shkak të shkeljeve të shtetit ligjor. Vendimin e fundit e merr Këshilli i Bashkimit Europian.
Të martën Viktor Orban i bëri deputetët evropianë ta prisnin dhe u shfaq në sallën plenare me 12 minuta vonesë. Raportuesja e Të gjelbërve, Judith Sargentini kishte filluar të numëronte shkeljet e Hungarisë ndaj pakteve të BE-së, kur kryeministri u fut në sallën plenare në Strazburg. Në mënyrë që ato të dëgjoheshin edhe nga Orban, ajo e filloi fjalimin nga e para. Lista e akuzave për shkelje është e gjatë. Judith Sargentini, kritikon qeverinë hungareze se ka shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, lirinë e shkencës, ka vepruar kundër tolerancës dhe solidaritetit, siç e parashikon Artikulli 2 i marrëveshjeve evropiane të Lizbonës. “Ne të gjithë duhet të mbrojmë qytetarët e BE-së. Është detyra jonë të veprojmë,” i thotë deputetja hollandeze kryeministit hungarez. Ai qëndron ulur me fytyrë të ngrirë. Përgjigjen do e japë më vonë,”Hungaria po preket në nderin e saj”.
Në emër të deputetëve evropianë Sargetini kërkon një proces, sipas Artikullit 7 të Pakteve të BE-së. Këshillit të Ministrave i kërkohet të përcaktojë sa është rrezikuar shteti i së drejtës në Hungari dhe të marrë masa për këtë. Nëse Viktor Orban vazhdon të mos dëgjojë atëherë Hungarisë mund t’ i hiqet e drejta e votës në BE. Këtë hap drastik, një proces sipas Artikullit 7, Parlamenti Evropian nuk e ka zhvilluar asnjëherë. Shumë deputetë përmendin në fjalën e tyre rëndësinë historike të vendimit, që pritet të merret.
“Ju doni të përjashtoni një popull”
Kur Viktor Orban merr fjalën për pesë minuta, ai i hedh poshtë të gjitha akuzat dhe kalon në kundërsulm. Ai akuzon parlamentarët se duan të dënojnë popullin më liridashës, kristian, popullin hungarez, që ka luftuar kundër Bashkimit Sovjetik dhe që i hapi kufijtë për qytetarët e Gjermanisë lindore. “Për këtë raport duhet të votojë shumica. Ju po dënoni një vend dhe një popull,” kritikoi Orban, i cili kërkon ta kthejë vendin e tij në një “demokraci illieberale”. “Ju besoni se e dini më mirë se Hungaria vetë, çfarë u duhet hungarezëve.” Me zë të zemëruar kryeministri shton se ai mbështetet nga shumica parlamentare në vendin e tij: “Ju merrni përgjegjësi të madhe, kur doni t’ i vini vulën një vendi dhe doni të përjashtoni një popull.”
Kryeministri, të cilin kundërshtarët e akuzojnë për autokraci, nuk merret me akuzat konkrete të parlamentarëve. Orban e përzien debatin për drejtimin e qeverisë, siç e ka zakon me politikën e migracionit të BE. Ai pretendon se Hungaria po dënohet sepse nuk do që të ketë migrantë. “Hungaria nuk do që t’ i bëhet presion. Ne do të mbrojmë kufijtë tanë, edhe prej jush, nëse do të duhet, ” thërret ai në sallën plenare. Akuzat që përmenden në raportin parlamentar për Hungarinë, Orban i quan në përgjithësi gënjeshtra dhe informacione të gabuara. 37 fakte të gabuara përmban dokumenti. Ai vetë kthen një përgjigje me një raport prej 108 faqesh, të cilën do ia shpërndajë deputetëve.”
“Ju mbroni një sistem të korruptuar”
Shefi i socialdemokratëve në Parlament, Udo Bullmann, i drejtohet direkt dhe personalisht Victor Orbanit. Farefisi juaj dhe dhëndrri juaj përfitojnë direkt prej korrupsionit dhe nepotizmit në Hungari, thotë Bullmann. “Ju mbroni një sistem të korruptuar brenda BE”. Komisioni për kontrollin buxhetor në Parlamentin Evropian ka parë se 30 përqind e parave të BE-së për Hungarinë jepen në procedura të dyshimta. Përveç kësaj, thotë Bullmann më tej, kryeministri me sa duket nuk e ka kuptuar, për çfarë flitet në debate. Ato nuk kanë të bëjnë me dënimin e popullit hungarez, por me punën e qeverisë së Orbanit. “Ky institucion mbron të drejtat e njerëzve në Hungari”, thërriti Bullmann.
Edhe komisari përkatës i BE-së, Frans Timmermans kritikoi ashpër qeverinë hungareze.”Shoqëria civile në Hungari kërcënohet nga veprimet e autoriteteve hungareze.” Prandaj Komisioni i BE-së ka nisur një sërë procesesh kundër Hungarisë për shkelje të Pakteve të BE-së, dhe në fund Gjykata Evropiane do të duhet të marrë vendim. Timmermans e akuzon Orbanin ndër të tjera për mos dhënien e ndihmës së duhur azilkëruesve që ndodhen në zonën tranzit dhe kufizimin e punës së universiteteve.
Orban merr përkrahje nga deputetët populistë të djathtë të Partisë britanike Për pavarësi dhe partia gjermane AfD. Parlamenti kërkon të kufizojë sovranitetin e një shteti nacional, ankohen deputetët e partisë qeveritare PiS, në Poloni. Kundër Polonisë është duke u zhvilluar tashmë një proces sipas Artikullit 7, që është nxitur nga Komisioni i BE dhe jo nga Parlamenti. Hungaria do ishte vendi i dytë kundër të cilit zhvillohet një proces dënimi.
Fraksioni i vet mund të votojë kundër Fideszit të Orbanit
Votimi në Plenium bëhet ditën e mërkurë. Për Artikullin 7 duhet të arrihet shumica prej dy të tretash. Të paktën gjysma e deputetëve duhet të marrin pjesë në votim. Vendimtare është si do e japë votën fraksioni kristiandemokrat, ku bën pjesë partia Fidesz e kryeministrit hungarez, Orban. Kryetari i kristiandemokratëve Manfred Weber, do të zhvillojë këshillime të fraksionit në mbrëmje. Weber bëri të qartë se pret nga kryeministri i Hungarisë gatishmëri për kompromis ose një lloj angazhimi. “Duhet të them se pa gatishmërinë e Hungarisë për të bashkëpuuar, do të jetë i nevojshëm një dialog i Këshillit të Ministrave sipas Artikullit 7.” Me fjalë të tjera, kristiandemokratët do të votojnë të mërkurën kundër Orbanit dhe do të krijojnë mundësinë për të zhvilluar këtë proces historik./dw/