Për Luanin, në vend të një rekuiemi!
Nga Dritan Hila
Ngase jemi populli që fjalët e mira i kemi vetëm për të vdekurit, është e vështirë të gjesh fjalë që nuk i kanë thënë të tjerët, qoftë edhe për një mik. Nuk të lënë radhë armiqtë.
Megjithatë Luan Hajdaraga nuk kishte armiq. Asnjëherë në bisedat e tij nuk i shante njerëzit që i kishte kundra. Për të kishte njerëz të mirë dhe njerëz që flisnin me ironi. Por jo armiq.
Ishte njeriu që nuk foli keq as për ata që e hëngrën pas krahëve dhe as për ata që shfrytëzuan staturën e tij. Sepse përtej thjeshtësisë, Luan Hajdaraga ishte një figurë në fushën e tij, të sociologjisë që në rininë e hershme.
I studiuar jashtë dhe i bashkuar me Partinë Socialiste kur kjo ishte në kuotat më të ulëta të saj, u zgjodh nënkryetar i saj, jo për të marrë nga kjo forcë politike, pasi ngjante se do të duheshin vite që ajo të rivinte në pushtet, por për t’i dhënë asaj dhe modernizuar.
Njeri që ishte jashtë klaneve që gëlonin në kufomën që po petrifikohej, ai iu dha kurajë militanteve të thjeshtë edhe me zë edhe figurë, kur iu kthye mitingashëve të Berishës më vitin 1994, që mundoheshin t’i prishnin takimin në Krujë me fjalët, “Ju jeni fashistë, por dijeni se nuk na trembni dot dhe kjo është frika juaj.”
Hajdarga ishte njeriu i ekuilibrave dhe jo i ekseseve. Në rastet e përplasjes Nano-Meta, ai u përpoq të ruante barasdistancën, ku partia dhe uniteti i saj ishin parësoret.
Në luftën politike me kundërshtarët, ishte njeriu civil dhe qytetari, megjithëse kundërshtarët e tij ishin jo rrallëherë banalë. Në detyrën e tij në pushtet, ishte gjithmonë institucional dhe nuk binte pre e thashethemnajës që karakterizon administratën shqiptare.
Luan Hajdaraga do mbahet mend si ministri i Mbrojtjes, që në ngjarjet e 14 shtatorit 1998 nuk braktisi institucionin, por më shumë, si ai i luftës në Kosovë.
Pakkush kujton se, pas riorganizimit të ushtrisë së shkatërruar në trazirat e ‘97-ës dhe logjistikës së përballimit të situatës së refugjatëve për shkak të luftës në Kosovë, ishte ky si ministër Mbrojtjeje. Për të rënë më vonë viktimë e luftës se klaneve brenda PS-së.
Unë do ta kujtoj si zëvendësministër të Jashtëm dhe ministër të Jashtëm në detyrë për njerëzillëkun në sjellje dhe maturinë në gjykim. Ishte një njeri enciklopedik dhe po aq i thjeshtë në komunikimin e përditshëm.
Vitet e fundit jepte mësim në Universitetin e Tetovës. Me siguri jo nga qejfi. Por unë nuk e dëgjova kurrë të ankohej për ata që sot me siguri kanë dalë në rreshtin e parë të Oi-ve.
Ikja e parakohshme e Luan Hajdaragës sot ka lënë një boshllëk të madh në figurat e politikës, por më shumë në ato të humanizmit dhe njerëzillëkut. Është nga ato ikje që lënë pas dhimbje.
Dheu i lehtë, mik i mirë.(dritare.net)