Përballo trysninë e pazakontë Opozitë! Nga Kolapsi buron Zgjidhja!
Është një situatë tjetër e pazakontë në favor të Shumicës, e cila ka vjelë shumë vota edhe me pistoletën te koka të bandave më të rrezikshme në Shqipëri, që sot livadhisin të qeta. Kanë bërë vrasje dhe grabitje dhe janë të pandëshkuar sepse i shërbejnë regjimit dhe sepse regjimi i mbron sot, më shumë se kurrë më parë.
E kam përshkruar këtë që po ndodh sot, kur dy vite më parë, u votua “Vetting-u”, Vettingu që duhej bërë, por që të zëvendësohej nga Anti-Vettingu, nga kapja e parrëfyer politike e saj nga një supermen i ri shqiptar, si Ulsi Manja.
Opozita ka sot çelësin e fundit, që të pengojë kapjen përfundimtare të Drejtësisë. Opozita ka sot në dorë të ndalojë Vetëvrasjen e pashmangshme politike të vetvetes.
Opozita ka sot në dorë të ndalojë vendosjen e një Regjimi Autokratik, të një force të vetme politike, të asfiksimit të plotë të kësaj gjysmë demokracie që po jep shpirt nga të gjitha anët.
Nëse akuzohet për Kolapsim, përgjigja e Opozitës, është e thjeshtë dhe në majë të gjuhës, “atë që gatuat vetë, shërbejeni vetë!”
“Bëni po të doni edhe një grusht shteti të hapur, sepse kjo që po bëni është de facto një Grusht Shteti i maskuar!… Por mos prisni që të bëhemi edhe në pjesë e nënshtruar e këtij grushti shteti!…”
Sepse duke i dhënë bashkëpunimin, ashtu si është bërë deri më tani e hap pas hapi, sëpatës i është dhënë bishti, që të presë krejt pyllin.
E më pas, të dalin e të këndojnë si gjeli majë hurit, këngët bajate të moralit: “Se Ne, jemi ndryshe nga Ju!”…
Mos bëj Vetëvrasje Opozitë se ke mision mbajtjen e ekuilibrave, aq sa ato janë, se Demokracia, është në fund të fundit ekuilibër dhe jo një fjalë krejt boshe!