Po sikur Fildezi do të sillej si Nazimja?!

Nga Trazhgim Sokolaj*

Sipas procesverbalit të mbledhjës së KLD-së të datës 7 shkurt 2017, gjyqtarja Fildez Hafizi e ka bërë prezent në këtë institucion faktin se burri kishte tentuar ta vriste me armë. Ajo ka kërkuar transferim në një rreth pranë Tiranës duke treguar para anëtarëve të KLD, problematikën e saj me fëmijët, divorcin, dhunën e kërcënimin me armë nga bashkëshorti. Dhe është e pashmangshme habia kur lexon komunikimin që ajo ka pasur me anëtarët e KLD-së. Asnjë koment, asnjë fjalë, asnjë përshpërimë për tentativën e vrasjes me armë të gjyqtares.

Ajo kishte kërkuar urdhër mbrojtje në polici, cështja e problematika tragjike e fatkeqe e jetës së saj kishte kaluar në dyert e organeve të rendit e të prokurorisë, madje jo në një, por në disa gjykata, dhe sërish problematika kishte mbetur e njëjtë. E pa ndryshuar. Mekanizmi i ndryshkur nuk kishte mundur të lëvizte asnjë milimetër në ndihmë të saj.

Në këto kushte, Fildez Hafizi mesa duket ka gabuar rëndë që nuk ka mbajtur armë me vete, për vetëmbrojtje, me apo pa leje. Mbase ka gabuar që nuk është sjellë edhe si Nazime Visha, të cilën ne si shoqëri e gjykuam, e përgojuam dhe nuk lamë koment pa i bërë. Pa i ditur mirëfilli rrethanat e saj asnjëherë.

Rastet nuk janë të njëjta, madje as të ngjashme në pjesën më të madhe të mozaikut të tyre, ama kanë një të përbashkët: dhunën!. Njëjtë pra si me Nazimen, po bëjmë edhe me Fildez Hafizin, por e përflasin përditë, kanë arritur deri aty sa tregojnë detajin budalla, se qenka martuar me mblesëri.

Tani pyetja është a duhej ta mbronte veten Fildez Hafizi kur askush nuk e mbrojti nga një njeri që dy vjet më parë i shkoi me armë në cantë dhe e kërcënoi në sy të fëmijëve në plazhin e Golemit. Kjo mbetet një pyetje, pasi ndoshta gjyqtarja e magjistratja 39-vjecare nuk e kishte menduar kurrë vetëmbrojtjen fundore që njeriu mund të mendojë në këtë botë, me përballjen dhe eleminimin e rrezikut.

Sot Nazimja është gjallë, ka përfunduar dënimin dhe ka nisur një jetë të re e barabartë dhe e lirë si gjithë të tjerët. Fildez Hafizi nuk jeton më, fëmijët e saj, familja dhe prindërit e saj po përjetojnë dhimbjen më të madhe, dhe për fat të keq, tashmë asgje nuk mund të kthehet pas.

Vdekja nuk është e kthyeshme, as për njerëz të mirë, ky mbase është një nga ato shumë ligjet e ashpra e të vrazhda të natyrës së jetës njerëzore në përgjithësi. Ndërsa në Shqipërinë ku Fildez Hafizi la fëmijet jetimë dhe prindërit e saj me lot të pashuar në sy, askush nuk mban përgjegjësi për vrasjen e një gruaje, për ekzekutimin e një nëne, për dëshpërbimin e dy fëmijëve, apo për kujën e dy prindërve të moshuar që patën fatin e keq të shikojnë me sy humbjen e dritës së syve.

Ky mbase është një nga ato ligjet e ashpra e të vrazhda të realitetit shqiptar që jetën e njeriut po e vlerëson cdo ditë e më pak, tragjikisht. Ka shumë gjasë gjithashtu, se ku realitet që po jetojmë, është më tepër fajtor për krimin që kreu Fadili, sesa ai vetë, pasi i dha mundësinë individit të shpërfaqë anën e tij më të errët dhe më të keqe. Për fat të keq!

  • Autori është gazetar në të përditshmen “Panorama”, ndërsa opinionin e tij e ka publikuar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”.

SHKARKO APP