Politika në kaos!

Nga Zef Bushati

Nëse doni të dini se çfarë është politika, mund të regjistroheni në Universitetin Shtetëror, në Fakultetin e Shkencave Politike ose në Universitetet Private dhe të mësoni aty gjithçka rreth kësaj shkence që zë fill në lashtësi. Në Shqipëri mbas vitit ’90 e deri sot e kanë mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike rreth 25 mijë të rinj e të reja. Asnjëri prej tyre nuk drejton ndonjë nga 100 partitë e regjistruara në Gjykatën e Tiranës. Asnjë prej tyre nuk është aktiv në politikë. Thuajse të gjithë punojnë në profesione që nuk kanë lidhje me politikën. Çfarë paradoksi!

 Nga ana tjetër partitë drejtohen nga persona të specializuar e të kualifikuar në profesione të tjera, por që nuk kane kryer Fakultetin e Shkencave Politike. Kështu: Berisha hyri në politikë duke braktisur profesionin e tij të mjekut Kardiolog, Gjinushi braktisi matematikën e fizikën, Edi Rama artin figurativ, Milo historinë, e plot të tjerë bënë të njëjtën gjë. Por edhe pse ekzistonte një terren i virgjër për politikanët e kualifikuar, asnjë nga të shkolluarit e mbas vitit ’90, nuk u ftuan nga kryetarët e partive, nuk u afruan e nuk u evidentuan këtë periudhë 27 vjeçare në politikë.

 Vakumin e krijuar në politikë nga të shkolluarit e zunë injorantët. Kësaj kategorie ju krijua çuditërisht bindja se të merresh me politikë është gjëja më e lehtë. Injorantët u angazhuan në politikë duke e zhytur thellë politikën në llumin e injorancës, korrupsionit, arrogancës, kriminalitetit e kontrabandës. Kjo kategori u mirëprit dhe u stimulua nga shumë prej kryetarëve të partive që nga PD-ja, PS-ja e deri tek partitë më të vogla. U krijua bashkëjetesa e bashkëpunimi midis krerëve politikë dhe injorantëve, duke krijuar raporte që i ngjanin më shumë bandave, ku të drejtën për të komanduar e ka shefi, kapo, bosi, alkapone…, ndërsa të tjerët kanë të detyrën për t’u bindur e për të zbatuar urdhrat e shefit. E thënë më shkurt, vendin e vlerave e zunë plehrat. Si rrjedhim politika filloi të quhet “pa moral”, “pa karakter”, “kurvë”, “e korruptuar”, “e degjeneruar”, “e kriminalizuar”, etj. Dhe mendo që kjo politike e çon vendin në zgjedhje dhe kjo politikë zgjedh deputetët, zgjedh qeverinë, bën ligjin dhe drejtësinë por e mbushur me injorancë dhe arrogancë.

 Kryetar partie injorantë, deputet injorantë, ministër injorantë, kryetar bashkie injorantë, … o shqiptarë binduni se injoranca është armiku më i madh i juaji. Kjo injorancë politike e ka futur vetë politikën shqiptare në kaos. Nuk ekzistojnë dy kampe në politikë, të djathtët dhe të majtët. Partia Socialiste, e majtë qeveris me Partinë Demokratike, të djathtë. Opozitën e bëjnë të majtët socialistë të LSI-së. Çorbë e rrumpallehane. Taksa që rriten e gjoba që shtohen. Kush flet? Askush. Nuk ka opozitë. Administratë publike që paguhen nga taksapagues dhe arrogancë e administratës ndaj qytetarëve që paguajnë taksa, tatime e gjoba. Kush flet? Nuk ka opozitë. I gjithë ky kaos që po ndodh është edhe pasojë e përfshirjes së injorancës në politikë. Përballë kësaj injorance qëndrojnë indiferent 25 mijë të diplomuar në politikë, qëndrojnë indiferent intelektualët dhe profesorët që japin leksione në Universitete për Shkenca Politike, qëndrojnë indiferent institucionet e edukimit e të kulturës, qëndrojnë indiferent sindikatat që nuk egzistojnë, shoqatat dhe organizatat që marrin para. Kjo indiferencë çdo ditë lëpin kockat e qytetarëve dhe kafshon zemrën e kombit shqiptar. Përballë kësaj indiferencë totale ka dalë Kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili qytet më qytet ka nisur dialogun, duke synuar të zgjojë popullin, duke kërkuar të bashkëqeverisë me ta, duke i treguar qytetarëve se me paratë e tyre si taksapagues mbajnë me punë administratën publike, duke i mësuar qytetarët se si duhet ta kontrollojnë administratën, duke mësuar administratën se si duhet të sillet me qytetarët….duke, duke,.. duke i hyrë detit në këmbë. Por deti, është i thellë, herë i qetë e herë i trazuar.

SHKARKO APP