Populli po flet me vete!
Nga Thoma Goga
(Kush ka sy e shikon, kush ka mend e kupton)
Teksa ecja rrugës shikoj në një cep të trotuarit një mikun tim mjek që fliste me vete. “Paska shkarë dhe doktori”,- thashë me vete. Ia bëra me dorë po nuk reagoi. Iu afrova dhe i fola. Gati u tremb.“Më prishe punë-, më tha.- Po përsërisja mësimet e testit, se nuk i dihet ç’i pjell mendja qeverisë”. Ia qava hallin që nuk ia zgjidhja dot. Besoj se kështu po flasin me vete edhe infermierët, mësuesit, të rinj e të vjetër. Policët po e po. Madje këta të fundit janë me një këmbë në detyrë e me një këmbë në burg. Kështu janë dhe elektricistët, inxhinierët. Pothuaj gjithë populli flet me vete për hallet që ka, për gjendjen e rëndë ekonomike, për papunësinë. Flitet se po punësohen shumë, po se ku dhe se kush, këtë e dinë ata që janë lartë “në sallën e komandës”. Flitet për luftë të madhe korrupsionit, por pjesa e padukshme e ajzbergut nuk del kurrë. Hapin portale elektronike, që gati-gati ngjajnë me ato lojërat kinezrishte që gënjejnë kalamajtë para ekranit. Po të kërkosh punë, thonë “shko te zyrat e punës”. Kurse atje të tregojnë konkurset. Madje në fillim fare u futën pa konkurse nëpër ministrira e drejtorira militantët e PS e të LSI-së. E meqë ra fjala te konkurset, askush nuk ka besim te farsa e tyre. Shkova dhe unë në një të tillë. Bëhej fjalë për një vend redaktori dhe ku kriteri kryesor ishte njohja mirë e gjuhës shqipe, veçanërisht e drejtshkrimit. Po a e dini se kush fitoi? Një vajzë bukuroshe që sapo kishte dalë nga universiteti, ose një zog i sapodalë nga veza. Vrava mendjen se këtë herë mos kisha shkarë unë. E po, koqe gruri është truri; kam rreth 40 vjet (me gjithë të shtunat e të dielat) që merrem me gazetari. Po drejtshkrimi është si puna e notit; sa më shumë të rrish në det, aq më mirë noton. Kurse ajo bukuroshja një herë u krodh në det e u bë mbret…Po të ishte gjallë Ezopi, nuk do rrinte pa i çpuar me hosten. Një fabul e ngjashme shpotitëse më erdhi në mend. Edhe pse e kam shkruar vite e vite më parë, ajo mbetet e mbetet aktuale.
Kjo që do t'u tregoj tani ka ndodhur në mbretërinë e Pyllit… Eh, sa ditë e bukur ishte! Gjithë pylli gjëmonte nga festa në familjen e Derrit Fyçko e të Lepurit Pup. Të dy sapo ishin diplomuar për pedagogjinë e pyllit. Të nesërmen e festës ra zia. Gjithë ai gëzim u doli nga hundët. Dhe a e dini pse? Kishte ardhur shkresa që të hynin në konkurse. Deshën-s’deshën hyn edhe në konkurse se u shkonte dëm gjithë ajo shkollë. I fituan dhe konkurset po prapë nuk u gëzuan. Erdhi emërimi. Derrin e emëruan në shkollën e arinjve, kurse akoma me keq, Lepuri duhej t'u jepte leksion qenve.
Fyçkoja që kishte një tufë me fëmijë për të ushqyer, u paraqit në punë dhe filloi të jepte ca orë mësim. Fliste dërrçe e bërtiste, po ku hanin pyka arinjtë. Edhe Panda edhe Tao-Tao, që e mbajnë veten si më të zgjuarit, nuk kuptonin gjë. Kurse Lepuri Pup e dini ç'bëri? Gjeti zgjidhjen me të këndshme; nuk u paraqit fare. Qentë paskeshin thënë se "mezi po e prisnin nga gëzimi për ta "puthur"”… Pasi kaloi një javë edhe Derri Fyçko e la fare shkollën. E ç' të bënte kur edhe arinjtë nuk pyesnin fare për gjuhën dërrçe, megjithëse e kishte mbrojtur me master?!
Një ditë të bukur me diell, ndërsa kishin dalë secili në hesap të vet, Derri Fyçko e Lepuri Pup takohen tek burimi. Pasi i qanë hallin njeri-tjetrit, vendosën të ankohen tek shefi i arsimit të pyllit. Dhe ashtu bënë. Të nesërmen të dy u ndodhën para derës së hapur të shefit. Të çante hundën parfumi i markës BAJGA…Shefi, sa i pa, gjithë mirësjellje (sapo ishte miratuar Kodi Mirësjelljes), i ftoi brenda, duke shprehur edukatë të lartë si shef.
– Hë, ç'thotë puna? – pyeti shefi.- Jeni të kënaqur?
Derri Fyçko e Lepuri Pup ulën kokat.
-Siç dihet fillimi ka vështirësi, – vazhdoi shefi, – por ju mos u tërhiqni.
Në atë çast, ndërsa Lepuri Pup rrutullonte sytë sa majtas e djathtas mos hynte aty ndonjë nga "nxënësit- qenë" të tij, Derri Fyçko mori guximin e foli:
– Shef, këtu ka diçka që nuk shkon. Nuk është aspak e drejtë kur unë që fitova edhe konkursin me djersën e ballit, të punoj me arinjtë dhe Lepuri të punojë me qentë.
– E çfarë zgjidhje jep?- pyeti shtruar shefi.
– Puna bëhet me mirë që unë Derri të punoj me derrat dhe Lepuri me lepujt. Mesa dimë aty vendet janë ende të lira.
– Na shkrive fare, more Fyçko,ha, ha, haaaa…- qeshi shefi.- Pse zgjidhje i thua kësaj, mo?! A e di ti, more Fyçko, se këtu në vendin tim si shef duhej të punonte ndonjë akademik, por kot nuk më kanë emëruar mua GOMARIN…
Derri Fyfko e Lepuri Pup dolën me bishtin ndër shalë…Aty u mor vesh se edhe Mushka ishte bërë shefe e madhe në një ministri. A e dini pse? Sepse dikur mërmëriste me frikë se e kishte dajë Kalin, kurse tani plot krenari ka shkruar në CV që e ka baba Gomarin…”. Dhe në fakt nga ADN-ja ashtu del… Këtu mbaron rrëfimi, këtu mbaron dhe shkrimi, ndërsa ju të dashur lexues nxirreni vetë moralin…