Prapaskenat e shitjes së Telekom Albania
Shitja e Telekom Albania, operatorit të dytë më të madh të telefonisë në vend duket se është drejt fundit, edhe pse ende nuk ka një blerës zyrtar të konfirmuar. Vetë kompanai greke OTE, që ka në pronësi 99.79% të aksioneve të Telekom Albania deklaroi së fundmi se procesi i vlerësimit dhe diskutimet lidhur me këtë ҫështje po vazhdojnë me homologë të ndryshëm.
Grupi OTE, i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom, pranoi në fund të shtatorit se ishte në negociata me disa palë për shitjen e Telecom Albania.
Sipas burimeve të Monitor, pretendentët kryesorë për ta blerë Telekom Albania janë dy, Albtelecom, operatori i tretë më i madh në vend , dhe kompania greke e investimeve Ypsilon, në pronësi të familjes së sipërmarrësit grek Vardis Vardinogiannis, me interesa në naftë dhe transporte.
Burime nga tregu pohojnë se Albtelecom i ka shanset më të mëdha, ndonëse ky transaksion do të duhet të marrë miratimin nga Autoriteti i Konkurrencës. Sipas të dhënave të fundit nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), deri në fund të 2016-s, Albtelecom kishte 12% të tregut të telefonisë celulare, sipas të ardhurave, Telekom Albania 28% dhe Vodafone Albania 56%. Dalja nga tregu e Plus, që kishte 5% të tregut, në fund të 2017-s, e la tregun me tre operatorë, teksa AKEP thekson në një raport të fundit se është shumë e vështirë të mendohet, që të mund të ndodhin hyrje të reja.
Ofertues të tjerë janë dhe Telekomi i Serbisë, bullgarja Vivacom dhe grupi çek PPF. Telekom Srbija, bëri një ofertë të lartë, në momentin e fundit, për Telekom Albania, duke i zënë në befasi konkurrentët e tjerë dhe duke hapur një debat të gjerë politik, duke detyruar dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, të mos shprehet në favor të këtij transaksioni.
Të pyetur nga media me qendër në Beograd, “Politika”, burimet zyrtare të Deutsche Telekom thanë se ata e kishin mësuar këtë problem nga media dhe se ata “nuk merreshin me komente politike.” Duke qenë se kjo kompani është e listuar në bursë, rregulli është që të mos i përgjigjemi një pyetjeje të tillë, tha Elpida Trizi nga ekipi gjerman i marrëdhënieve me publikun për median me bazë në Beograd.
Media greke Euro2day.gr shkruan se Telekom Srbija ka dhënë një çmim prej 62 milionë eurosh, që është shumë më i lartë se i konkurrentëve të tjerë. Por këta të fundit po shpresojnë se serbët do të jenë jashtë loje për arsye politike, shkruajnë mediat greke.
Loja, shkruan Euro2day.gr, duket se do të gjykohet mes Berlinit, Beogradit dhe Tiranës, por pretendentët e tjerë besojnë se ata do të mposhtin serbët, pavarësisht ofertës së lartë të tyre (OTE kishte shpenzuarr 80 milionë euro kur bleu Telekom Albania, që në atë kohë quhej AMC) .
Po sipas Euro2day.gr, shitja e Telekom Albania do të gjykohet nga disa detaje të tjera. Një prej tyre është zgjidhja e konflikti shumë vjeçar me Mobal Albania, distributori më i madh i Telekom Albania deri në 2014. Pas prishjes së kontratës mes të dy palëve, pasi Telekom Albania mori një pjesë të madhe të rrjetit të Mobal, ky i fundit e ka hedhur në gjyq dhe kërkon një dëmshpërblim prej 10 milionë eurosh.
Media greke shkruan ndër të tjera se beteja për Telekom Albania pritet të zhvillohet në Berlin dhe shumë argumentojnë se në rast se serbët do të tërhiqen, do të fitojnë ata që do të kenë më pak përfshirje me fondet ruse.
Zhvlerësimi i Telekom Albania dhe humbja 36 milionë euro në 2017
Deri në vitin 2009, kur në tregun celular kishte vetëm dy operatorë, Telekom Albania (në atë kohë AMC) kishte fitime mjaft të larta. Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008 fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017 (shih grafikun), sipas të dhënave historike të analizuara nga Monitor.
Telecom Albania, që kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (mëse gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro humbje, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Përkeqësimi i rezultatit financiar ka ardhur si rrjedhojë e rënies së të ardhurave me 14%, ndërkohë që kosto e shitjes dhe shërbimeve të ofruara u rrit me 30%, duke bërë që kompania të rezultojë me një humbje bruto (përpara shpenzimeve administrative) prej 815 milionë lekësh, nga 2.9 miliardë lekë që ishin fitimet bruto në 2015-n.
Aktualisht, Cosmote Mobile Telecommunications zotëron 99,76% të aksioneve dhe pjesa tjetër është në zotërim të individëve. Mësohet se gjatë procesit të due diligence asetet janë rivlerësuar në ulje, duke i ulur vlerën kompanisë.
monitor.al