Presidenti i Kinës, Xi Jinping: sfida serioze për Kinën e botën

Me një deklaratë luftarake ndaj kundërshtarëve politikë, Kryetari i Shtetit dhe i Partisë së Kinës, Xi Jinping hapi kongresin e Partisë. Ai paralajmëroi për “ndryshime të thella dhe të komplikuara” në Kinë dhe në botë. Në çelje të kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, Presidenti i Kinës, Xi Jinping u shpreh kundër të gjitha përpjekjeve për t’i vënë pikëpyetje udhëheqjes së partisë. “Secili nga ne në parti duhet të bëjë më shumë, për ta ruajtur udhëheqjen e partisë dhe sistemin socialist kinez dhe të luftojë me vendosmëri kundër të gjitha shprehjeve dhe veprimeve, që i minojnë ato, i shtrëmbërojnë ose i mohojnë”, tha Xi para rreth 2300 delegatëve nga e gjithë Kina. Me fjalimin e Presidentit nis në Kinë kongresi i partisë i cili përcakton kursin për pesë vitet e ardhshme.

Xi u bëri thirrje 89 milionë anëtarëve të partisë që t’i shtojnë përpjekjet për të krijuar mirëqënie në Kinë dhe që ta bëjnë “socializmin e tipit kinez” të suksesshëm “për një epokë të re”. “Shanset janë të mira, por sfidat janë serioze”, tha Xi, i cili pati hyrë më parë në Sallën e Madhe të popullit  i shoqëruar nga paraardhësi i tij në post, Hu Jintao (74) dhe Jiang Zemin (91). Si Kina, ashtu edhe bota ndodhen në “ndryshime të thella dhe të ndërlikuara”. 64 vjeçari lëvdoi ndikimin në rritje të Kinës në botë dhe përpjekjet e qeverisë për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë në Kinë.

Kongresi i 19-të i PKKKongresi i 19-të i PKK

Xi tërhoqi veç kësaj vëmendjen për politikën e “tolerancës zero” përballë korrupsionit në parti. Fushatën kundër korrupsionit Xi e mori në duart e tij, së bashku me vendimet për politikat e përgjithshme ekonomike dhe e ka konsoliduar me këtë pushtetin. Më shumë se një milion nëpunës shtetërorë janë ndëshkuar, dyzina ish-nëpunësish të lartë janë arrestuar.

Në përfundim të Kongresit, delegatët do të zgjedhin 205 anëtarët e Komitetit Qendror të PKK. Vëzhguesit presin që Xi të vendosë në Kongres bazën që të qendrojë në pushtet më gjatë se dhjetë vjetët e zakonshëm. Me këtë do të merrte fund “udhëheqja kolektive”. Delegatët do ta fiksojnë në kushtetutën e partisë trashëgiminë ideologjike të Xi. Nëse në statut shënohet edhe emri i tij, Xi do të ngrihej në të njëjtën shkallë historike si themeluesi i shtetit Mao Ce Dun dhe arkitekti i reformave ekonomike Ten Hsiao Pin.(DW)

SHKARKO APP