Prifti grek: Zjarri ishte dënim nga Zoti për kryeministrin grek!
Pas zjarrit gjigand në afërsi të Athinës, Greqia ndodhet nën shok. Por nuk ka ngrirë: njerëz nga i gjithë vendi i ndihmojnë viktimat. Dita e dytë pas katastrofës. Bilanci të tmerron: 81 të vdekur, më shumë se 200 të plagosur, midis tyre edhe fëmijë. Fshati i pushimeve Mati në lindje të Athinës është bërë i pabanueshëm. Ekipet e shpëtimit besojnë se numri i viktimave do të rritet. “Ka shumë gjasa që të gjejmë njerëz në shtëpitë, të cilave nuk u jemi afruar deri tani”, thotë një zjarrfikës. Njerëz të dëshpëruar vijnë vërdallë në fushat me hi, duke mos u besuar syve. Disa kërkojnë të afërmit.
Të premten merr fund zija triditore e shpallur nga kryeministri Aleksis Cipras. Të gjithë do të marrin ndihmë, premtoi ai në fjalimin e tij televiziv – dhe asnjë pyetje nuk do të mbetet pa përgjigje. Një mesazh ndaj njerëzve, të cilët nisën të kërkojnë fajtorët, që të hënën.
Solidaritet në të gjithë vendin
Për shumicën e njerëzve, ajo që ka rëndësi tani është që të ndihmohen viktimat. Që gjatë katastrofës, rrjetet e supermarketeve dhe të kafeneve vunë në dispozicion falas ujë dhe ushqime. Qindra vetë në të gjithë Greqinë dhurojnë ushqime, veshje dhe medikamente. Në mediet sociale qarkullojnë thirrje për donacione parash dhe gjaku. Në qendrat e ndihmës të ngritura në mënyrë spontane, tavolinat po thyhen në mes nga pesha e ndihmave. Greqia ndodhet nën shok, por nuk ka ngrirë.
Është një nga anët e forta të Greqisë, që në momentet e dëshpërimit më të madh ta kthejnë ndihmën në diçka të vetëkuptueshme. “Njerëzit nuk mund t’i lësh vetëm në hall”, thotë një grua 48 vjeçare nga Selaniku. Ajo po shpie dy qese me ushqime te toka e panairit, sepse ka lexuar në gazetën lokale se atje pranohen ndihma.
Peshkopi ortodoks: zjarr si dënim nga Zoti
Që të premten do të diskutohet për gjetjen e shkaqeve. Vërtet e qartë është vetëm një gjë: moti i thatë e pluhuri dhe temperaturat rreth 40 gradë krijuan kushte ideale për zjarrin. Erëra të forta i ushqyen flakët dhe e përhapën kaq shpejt zjarrin, sa për ekipet e shpëtimit nuk ishte e mundur që të pengonin më të keqen. Shumë njerëz flasin për zjarrvënie.
Me të vërtetë, kjo nuk do të ishte e re. Jo vetëm në Greqi, por edhe në vende si Italia, Spanja dhe Portugalia u vihet flakë pyjeve, për të krijuar në zona të mbrojtura toka për tregun e pasurive të paluajtshme. Zjarri mund të jetë vënë edhe nga bishta cigaresh të hedhura përtokë ose xhama – por për momentin këto janë vetëm spekullime.
Vetëm peshkopi ortodoks Amvrosios nga Kalavrita në jug të Greqisë duket se e dinte që të hënën se kush është përgjegjës për katastrofën. Në blogun e tij ai publikoi një qendrim, në të cilin zjarrin ai e quajti dënim të Zotit për kryeministrin ateist Aleksis Cipras. Por grekët e dënuan atë ashpër për këtë insinuatë. Edhe vetë kisha u distancua nga Amvrosios. Një prift i ri deklaroi publikisht: “Do të bënte mirë që më në fund ta mbyllte gojën”.
Për momentin, të tjerët po merren me menaxhimin e pasojave të katastrofës. Objekt i kritikave është një ligj i vitit 2014, i cili i ndalon Zjarrfikësve Vullnetarë në Greqi që të ndërhyjnë me iniciativën e tyre. Luftimi i zjarrit mbetet detyrë e zjarrfikësve profesionistë, të cilët për shkak të krizës kanë gjithmonë mungesë njerëzish. Ka njerëz që thonë se me vullnetarë të kualifikuar katastrofa mund të kishte kaluar me pasoja më të vogla.
Megjithëse këtë ligj e kanë miratuar të tjerët para tij, Micotaqis dhe Samaras, ai mund të kthehet në skandal për kryeministrin në pushtet. Vitin që vjen në Greqi janë zgjedhjet parlamentare. Rritjen e vogël të ekonomisë, grekët thuajse nuk e ndiejnë. Atmosfera është e tensionuar. Dhe: emocionet peshojnë më rëndë se faktet