“Prindër, përgatituni të fusni në dhe vajzën tuaj, dikush që s’e njihja më verboi sot”
Nga Edi Oga
Prindër!
Ju që keni vajza!
Parapërgatituni mendërisht të fusni në dhé vajzën tuaj, vetëm pse ajo mendon se ka të drejtë të refuzojë “dashurinë” e ndonjë burri që nuk i pëlqejnë zgjedhjet e mëparshme. I pëlqen vajza juaj dhe dy janë rrugët: “po” ose në varr! Më vjen keq por jeta e saj nuk varet as nga ju, as nga ajo vetë, varet nga “pasioni” i atij tipit!
Ju që keni djem!
Edukojini ata. Shpenzoni kohë me ta. Mos i rrihni ata. Flisni me ta. Njihini ata. U thoni djemve tuaj që edhe ju u refuzuat nga dikush, por e kaluat inatin dhe e latë të shkonte atë që nuk ju donte. U thoni që ai është në këtë jetë vetëm se ti e dashurove mamanë e tij, nuk e vrave!
Unë kam edhe djalë, edhe vajzë. Tek vajza nuk kam shumë në dorë, pavarësisht se do t’i mësoj çfarë i duhet për të shpëtuar, por jam i lumtur që do të “shpëtoj” vajzën e dikujt, duke rritur si duhet djalin tim!
Fëmijët tuaj janë drita e syve tuaj!
Fëmijët e mi janë drita e syve të mi!
Dikush që nuk e njihja, sot, me atë vrasje të dyfishtë të evitueshme, më futi dy gishta në sy dhe më verboi, ma turbulloi dritën, për pak kohë…!