Prokuroria, vegël në duart e Kryeministrit
Nga: Endrit Braimllari
Është e habitshme sesi kryeministri flet dhe ndërhyn në sistemin e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i pavarur krejtësisht. Çfarë pune ka kryeministri? Kryeministri është vetë subjekt i sistemit të drejtësisë. Duhet të merret vetë në hetim. Çfarë janë këta deputetë apo kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla me shokë që dalin dhe bëjnë presion në emër të drejtësisë. Të kujt drejtësie? Të Prokurores së Përgjithshme që e zgjodhën me 69 vota në shkelje totale të Kushtetutës? Të Prokurores së Përgjithshme që nuk denjon të shkojë para trupës së Vetting-ut për të bërë Vetting-un e vet, por çon avokatin?
Pra çfarë mesazhi jep në anën e drejtimit të institucionit kur ti nuk pranon të ballafaqohesh dhe të shkosh të bësh Vetting-un, ku përfaqësuesi i OMN-së thotë që zonja në fjalë ka probleme me një çështje në Shkodër, ku e kishin lënë për 2 vjet në masë sigurie për një aksident. Dhe e dyta ka probleme se po shkel ligjin duke lëvizur Prokurorët sepse nuk i takon. Atëherë çfarë besimi do kemi ne në zbatimin e ligjit?
Çfarë besimi do të kemi ne në një Prokurori të pavarur dhe një sistem drejtësie të pavarur kur vetë është zgjedhur në kundërshtim me ligjin. Pra e ka bërë Edi Rama këtë sepse ajo është thjesht kukull dhe thjesht përdoret nga Edi Rama. Vetë e zgjedhur në kundërshtim me ligjin, vetë shkel ligjin dhe Kushtetutën duke lëvizur prokurorët dhe dukë bërë çorap Prokurorinë e Përgjithshme dhe çdo prokurori tjetër. Dhe nga ana tjetër OMN-ja apo përfaqësuesit në procesin e Vetting-ut i thonë 1, 2 , 3 shkelje dhe nuk denjon as të shkojë të përballet.
E dyta, emërojnë në krye të krimet të rënda Donika Prelën të cilës i vjedhin postën e Durrësit dhe në vend që të pezullohet dhe të merret në hetim për këtë proces sepse ka rregulla si funksionon shteti, rritet në detyrë. Vjen Prokurorja e Krimeve të Rënda nga një qytet ku krimi i organizuar është në nivelet më të larta. Ku krimi i organizuar është totalisht jashtë kontrollit. Pra i gjithë ky sistem është i kapur nga Edi Rama dhe është totalisht jashtë së vërtetës dhe nuk mund t’i shërbejë publikut.
E mbani mend shumë mirë se çfarë u lobua për Reformën në Drejtësi që startoi me 140 vota në Parlament. Kur në atë kohë Kryetar i Parlamentit ishte z. Meta dhe loboi maksimalisht që palët ta kalojnë me konsensus dhe ishte konsensus historik. E mbani mend dhe populizmin e kryeministrit në atë kohë që thoshte se na duhet një reformë drejtësie e pastruar, e pavarur që t’i shërbejë qytetarëve të thjeshtë, që ata të marrin zgjidhje që mos të orvaten nëpër zyrat e gjykatave dhe Prokurorisë.
Çfarë ka ndodhur sot? Sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka Gjykatë të Lartë. Do shkatërrohen edhe gjykatat e tjera. Do shkatërrohet i gjithë sistemi i drejtësisë dhe qytetarët jo më që nuk do marrin zgjidhje, por nuk do të ketë gjykata ku të ankimojnë vendimet apo nuk do të ketë gjykata ku të depozitojnë padi mbi shkeljet e ligjit, mbi pronat dhe problemet e tjera që ka sot vendi. Pra e gjithë kjo mënyrë e funksionimit tregon qe Edi Rama ka kapur të gjithë këtë sistem dhe është totalisht jashtë funksionit.
Nuk ka sesi Edi Rama dhe kjo qeveri të zbresë tek hallet dhe problemet e njerëzve. Pse? Sepse nuk mendon më njeri për njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Nuk mendon ky Kryeministër për varfërinë e shqiptarëve. Kryeministri, Shqipërinë e shikon nga zyra lluksoze e tij, nga pikturat dhe i duket sikur Shqipëria është ashtu si zyra e tij, e pasur. Por nga ana tjetër shqiptarët kanë halle dhe probleme të jashtëzakonshme, varfëria është ekstreme, pasiguria publike është në nivele të frikshme, emigrimi po tmerron BE dhe shkaktari kryesor është Edi Rama.