Protesta e studentëve: epokë e re apo avaz i vjetër?!
Nga Lutfi Dervishi –
Në më pak se një muaj, studentët arritën, pa u ulur në bisedime,- të plotësonin shumicën dërrmuese të kërkesave, të riformatojnë qeverinë dhe të ngjallin shpresën se në Shqipëri përveç, demokratëtëve, socialistëve apo lsi-istëve ka edhe shqiptarë protestues!
Studentët fituan përgjysmimin e tarifave, pjestimin me zero të tyre për më të mirët dhe më nevojtarët nga pikëpamja ekonomike, dhe detyruan kryeministrin që të vendosë afate të reja kohore për premtime të vjetra (si karta e studentit).
Protesta ngjalli pritshmëri të mëdha tek të gjithë- dhe u komentua si lëvizje antisistem – si pasqyrë e mërzitjes dhe bezdisë nga pabarazia dhe tranzicioni i zgjatur ekonomik, politik dhe institucional.
Rrugët dhe bulevardi i Tiranës, për herë të parë që nga prostesta kundër armëve kimike më 2013- nuk u mbushën me protestues shëtitës të partive politike.
Studentët ishin dyshues jo vetëm ndaj qeverisë dhe opozitës, por ishin dyshues edhe te vetja! Ata nuk arritën të zgjedhin përfaqësues- gjë që solli ndërmend lëvizjen pa udhëheqës të jelekverdhëve në Francë.
Protesta e sotme dhe ajo e djeshme janë një kopje e zbehtë e orëve të para të protestës së dhjetorit.
Një pjesë e studentëve vijojnë të mbesin dyshues për premtimet e kryeministrit. Por, plotësimi i kërkesave me objektivin final: një arsim më cilësor, një diplomë me vlerë do të kërkojë shumë kohë.
Një shkollë e mirë kërkon infrastrukturë të mirë, program mësim bashkëkohor dhe pedagogë të shkëlqyer.
Do të duhen dekada për ta parë të plotësuar këtë trinom. Jo të gjithë do të mund të shohin ditën kur diploma e universiteteve shqiptare, të jetë e kërkuar në tregun e punës në Shqipëri apo në BE, por të gjithë sot janë dëshmitarë të shkundjes nga apatia të politikës dhe sistemit universitar për shkak të protestës së studentëve.
Kërkesat e studentëve u plotësuan me lehtësi. Kryeministri premtoi edhe më shumë se ç’kërkuan studentët. Kërkesat në vetvete mbetën pa sfidë.
Sfida mbetet tek pyetja: a jemi në një moment për të folur për epokë të re në arsimin shqiptar, a jemi në një moment ku aktorët të thonë: asgjë nuk do të jetë më si më parë apo gjithçka do të vijojë sipas avazit të vjetër?
Për protestën gjithkush e ka një lexim. është shumë shpejt për të harruar shkaqet që nxorrën studentët në rrugë sikundër është shumë vonë për nxjerrë mësimet nga kjo protestë.
Sonte, në emisionin e parë të muajit Janar, në Përballë, do të flasim me studentë, pedagog dhe analistë për leximin dhe leksionet e protestës së dhjetorit të studentëve.