Provokimi veror i KM-së dhe dashuria për Lul Bashën
Nga Artur ZHEJI
Pas idesë së 100 fshatrave turistike, që ngjan më shumë me një slogan të Timonierit të madh, Mao Ce Dunit, KM-ja përpëlitet sepse po rrethohet gjith’ e më shume me një indiferencë vrastare, pikërisht çka ai, urren më shumë. Dhe me të drejtë, sepse indiferenca është më e trishta e gjërave që na rrethojnë. E pra KM-ja, që në pak ditë hëngri dy goditje ende të lehta nga SHBA, e para, u nënvizua se, borxhet e shtetit ndaj ish pronarëve, kanë kaluar 50 milionë dollarë nga Gjykata e Strasburgut.
E dyta, erdhi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe evidentimi i korrupsionit të PPP-të më të fundit, që janë borxhe të pastra dhe të reja që do rëndojnë në vite dhe njëkohësisht do të mbushin në vite, xhepat e miqve.
Pastaj erdhën edhe dy “mosdekretime të pabesa”, nga Presidenti Meta, që janë acaruese për KM-në, por dhe që dëshmojnë se ndërmjetësit lajkatarë, që KM-ja dërgon 2 herë në javë te Meta, në vend që të “blejnë” Metën, gjëndjen e tij shpirtërore dhe jo vetëm, janë sjellë vërdallë nga Presidenti, që i ka shndërruar në gaztorë me qetësi dhe pa dashuri.
Atëhere përpëlitja e KM-së, së 100 fshatrave dhe të 100 pushteteve në një dorë të vetme, gjen, në mënyrë iluzore një jastëçkë për të vendosur kokën dhe për të hutuar armiqtë e tij politikë: “Kam gati paktin me Lulëzim Bashën”, është mesazhi i koduar i KM-së.
Në të vërtetë, sa më shumë të humbasë konsensus ndërkombëtar, proces që po ndodh me shpejtësi të paparashikuar, KM-ja ka supernevojë për të gjetur aleatë të tjerë. E pra, ay, hodhi sërish parangallin në drejtim të Lulëzim Bashës, ndaj të cilit, buzëqeshjen e stigmatizuar të vitit 2011, në fushatën elektorale për Tiranën, sot ja urren më shumë se kurrë.
Në të vërtetë, duket se KM-ja, i pangopur me adrenalinë dhe gjëra të tjera shumë më materiale, ëndëron që “viktimat” e tija politike, t’i shndërrojë mundëisht në dashnorë, për të luajtur me ta, valsin politik, të Vdekjes së tyre politike!
Këtë synim ka me Metën dhe me Bashën, duke i qëndruar larg Kryemadhit, të cilën përfundimisht nuk e atrakton dot më.
Basha u përgjëgj vetëtimthi me një “Jo!”, ofertës më të fundit, Meta foli me mosdekretime acaruese, e kështu KM-së, i mbeten 100 fshatrat turistikë në letër dhe oborrtarët që lëvizin andej këtej si miza pa kokë, në kërkim të parasë dhe në dëm të votave të ardhme.
Si “intermezzo”, Basha kridhet në Adriatik, Meta takon vllaznit në Plavë e Guci, ndërsa KM-ja, është me sytë nga Deti, në pritje të mikut Tony Blair, që çdo verë zbarkon në Dhërmi.
“A do të zbarkojë edhe këtë verë Tony?” kjo është çështja, ndonëse e parapriu Jahti i miliarderit rus, që e i orgazmoi trurin KM-së, që ka ngelur kot, pa një Jaht, duke ruajtur veten nga llafet e botës së këtij fshati ku jetojmë.
Në këtë drejtim, Sajmja është krejt i lirë, herë me kuaj, herë më bletë dhe më së shumti me Jaht, nga Mali i Zi, e tutje e tëhu nëpër Mesdhe, ndërsa KM-derëziu, paguan faturat e të gjithëve, tutje tëhu, nga një cep në tjetrin, nëpër fshatin që gjithmonë e më pak e do.
360grade.al