Pse duhet pasur frikë nga Rama?

Placeholder Image

Nga Andi Bushati

Këtë të enjte hasje ngado si titull kryesor të mediave një vendim rutinë të kryeministrit, që ndryshe nga katër vite më parë, nuk do t’u kërkojë anëtarëve të kabinetit të japin dorëheqjen nga detyra e deputetit. Në pamje të parë lajmi nuk ka ndonjë rëndësi. Eshtë thjeshtë punë e kryeministrit se si i bën ai më efiçentë ministrat e tij dhe si i harmonizon ata me grupin parlamentar të shumicës së vet njëngjyrëshe.

Por, ajo që të bënte përshtypje, në intervistën që shefi i qeverisë i ka dhënë gazetës “Panorama”, është një fakt tjetër. I pyetur se pse po hiqte dorë nga vendimi që kish marrë në fillim të mandatit të shkuar dhe a mund të pranonte se ajo që kish bërë atëherë ishte një gabim, Rama pohonte pa i’u dridhur qerpiku se në të dyja rastet ai kishte pasur të drejtë. Pra se edhe vendimi që ministrat duhet të jenë deputetë edhe ai që ata duhet të dorëzojnë mandatin, janë zgjidhje të mira dhe të dyja funksionojnë.

Megjithëse ky pohim është vetëm një pikë në oqean në morinë e deklaratave kontradiktore që bën Rama, ai ka vlerë për një gjë: sepse ai është një rast më shumë ku timonieri ynë tregon se është gjithmonë i pagabueshëm.

Njësoj si me mbajtjen apo zhveshjen nga mandati të ministrave, ai ka reaguar për të gjitha çështjet që është pyetuar dhe ka argumentuar se ai ka pasur gjithmonë të drejtë.

Ai ka pasur të drejtë edhe dy vite më parë, kur megjithëse Shqipëria u përmbyt nga kanabisi, ai këmbëngulte se kjo është një shpikje e opozitës që nxin çdo gjë në bashkëpunim me mediat e kazanit. Ai ka të drejtë edhe sot kur bërtet fitore për reduktimin e ndjeshëm të parcelave të mbjella.

Ai ka pasur të drejtë edhe dje kur thoshte se vendimi i Berishës për të importuar prehra në Shqipëri ishte një kapje e shtetit nga mafia. Ai ka të drejtë edhe sot kur thotë se kjo gjë ndihmon industrinë vendase të pastrimit.

Ai ka pasur të drejtë edhe kur bërtiste për zhdukjen e kazinove nga qendrat e qyteteve. Ai ka të drejtë edhe kur ndryshon kah dhe thotë se një gjë e tillë dëmton punësimin e njerëzve.

Ai ka pasur të drejtë edhe kur i mbushte zyrat e Hipotekave, Tatimeve Doganave me listat e Koços dhe të Monikës. Ai ka të drejtë edhe tani kur tregon me gisht ata që e trajtuan administratën e drejtuar prej tij si tepsi.

Ai ka pasur të drejtë edhe kur i vuri gjoksin konkurseve të rilindjes për pranimet e ndershme në punë. Ai ka të drejtë edhe kur thotë se këtë sistem e çthurrën LSI me PDIU.

Ai ka pasur të drejtë edhe kur propagandonte idenë majtiste të mbrojtjes së 95% të shqiptarëve që kanë aq pasuri sa vetëm 5 % e të privilegjuarve. Ai ka të drejtë edhe tani kur merr vendime vetëm në favor të oligarkëve të mediave dhe të ndërtimit.

Ai ka pasur të drejtë edhe kur e quajti Ilir Metën hajdut, që bashkë më Saliun vidhnin vota për të vjedhur Shqipërinë, sepse e kishte kundërshtar. Ai pati të drejtë edhe kur tha më pas se në sistemin e tij Meta do të bëhej ëngjëll. (Ky është rast i veçantë se këtu Ramës i është dashur të ndryshojë tre herë qëndrim duke e etiketuar së fundi ish aleatin e tij si kreun e partisë së tepsisë).

Natyrisht që kjo listë mund të vazhdonte pafund.

Por, edhe kaq raste mjaftojnë për të demonstruar se katër vite të ushtrimit të pushtetit, Rama është hequr si njeri i pagabueshëm. Askush ende nuk mban mend nga goja e tij, qoftë edhe dilemën minimale për një zgjedhje të diskutueshme, keqardhjen për një vendim të marrë me nxitim, dyshimin për një akt politik që mund të ishte i tjetërllojtë.

Në daljet e tij publike, në intervistat e pafundme që jep dhe pastaj në atoporlanët mediatikë që shumfishojnë propagandën e tij, nuk është shfaqur kurrë as edhe dyshimi më i vogël, nuk është vërejtur as edhe një tentativë për të kthyer kokën pas në mënyrë kritike.

Në një kontekst normal as kjo anomali nuk do të përbënte rrezik. Ne shqiptarët si popull nuk është se shquhemi për ndonjë sens të rrallë vetkritike. Aq më pak liderët tanë. Dhe në pamje të parë as Rama nuk kishte pse të ngjallte frikë.

Por, me të puna është ndryshe. Tani që ai e mori i vetëm timonin. Tani që PS-në e ka mbushur me gardistë të rinj që dinë vetëm të duartrokasin. Tani që opozitën e ka degdisur në duart e një çunaku që qesh me çdo fatkeqësi. Tani që mediat e mëdha i ka fundosur me anë të lejeve të ndërtimit dhe koncesioneve, deliri i pagabueshmërisë mund të shndërrohet në rrezik.

Historia nuk ka shumë kohë që na ka mësuar se ç‘do të thotë të jetosh nën pushtetin e një udhëheqësi që ka gjithmonë të drejtë. Dhe askush nuk do donte që ajo të përsëritej në formën e saj qesharake, ku timonieri i ri, në delirin e tij, të vendoste edhe vendet se ku duhet kërkuar naftë apo ku duhen ngritur vepra gjigande.

Pikërisht për këtë, miti i pagabueshmërisë së tij duhet të na friksojë. (lapsi.al)

SHKARKO APP