Pse është në ankth Edi Rama?
Nga Andi Bushati
Zbardhja e vendimit të mazhorancës se nuk ka prova që lejojnë arrestimin e Tahirit i ka zhytur edhe më shumë në konfuzion qëndrimet e socialistëve. Në komisionin e imuniteteve, aty ku kushtetuta nuk u’a lejon të shqyrtojnë provat, ata këmbëngulin të thellohen tek ato. Ndërsa në radhët e partisë së tyre, ku mund të bëjnë ç’të duan, e përjashtojnë “pa prova” ish simbolin e qeverisjes së djeshme.
I njëjti konfuzion si në këto akte vendimarrjeje të PS-së u vu re edhe dje në fjalimin e përpunuar stilistikisht, por të përçartur në mesazhe që mbajti Edi Rama.
Reagimit të kryeministrit, që mund ti hiqje kapelën qoftë për nga forma, qoftë për nga aftësitë aktoriale të performimit, i mungonte gjëja më elementare: mesazhi që i përcillte publikut.
Të gjithë ata që e dëgjuan, në fund të tij nuk kuptuan gjënë më të thjeshtë: A po i bëhej një proces politik Saimir Tahirit? A qenë bashkuar opozita, prokuroria dhe mediat për të goditur përmes tij qeverinë? A ishte kjo një lëvizje në prag të startimit të reformës në drejtësi dhe periudhës para hapjes së negociatave me BE?
Pra thënë shkurt a kishim të bënim me një komplot të stisur dhe pa fakte?
Apo në të kundërt Saimir Tahiri ishte, sipas etiketimeve të Ramës, “një vemje që turpëron fjalën njeri” dhe “zhgënjimi më i madh i jetës së tij”? Pra shkurt një zyrtar që kishte shrtytëzuar postin e tij si ministër për t’u pasuruar për vete me paratë e drogës dhe për t’i përdorur ato për fushatën elektorale të partisë?
Kjo gjuhë e dyfishtë, këto mesazhe të paqarta shprehin në fakt konfuzionin e Edi Ramës për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj njeriut që e pati për katër vite me radhë në krahun e tij të djathtë.
Dhe ky konfuzion buron nga dy elementë. Së pari Edi Rama nuk do të presë të gjitha urat që e mbajnë lidhur me Tahirin. Megjithëse tashmë i ka lënë të tëra përgjegjësitë në derë, duke theksuar se ai nuk dinte gjë se ç’bëhej në ministrinë e rendit, se as nuk i emëronte dhe as komunikonte vetë me shefat e policisë, pra ndonëse për gjithçka mund të zbulohet në të ardhmen ia ka kaluar faturën ish ministrit, ai e di se Tahiri është në brendësi të shumë sekreteve të kësaj mazhorance. Edhe në intervistën në emisionin “Opinion” Saimiri la të kuptohej se kishte material të majftueshëm për të gjithë ata që po e sulmonin. Dhe duke ditur këtë Rama nuk do që të radhitet mes tyre. Ai do ti lërë Tahirit iluzionin se nuk e ka shitur përfundimisht.
Por bashkë me këtë synim, Rama ka dhe një frikë tjetër që e detyron të bëjë një lojë të dyfishtë.
Nëse Tahirit kërkon t’i japë përshtypjen se nuk po e lëshon, shqiptarëve dhe ndërkomëtarëve do t’i ngulisë mesazhin e kundërt. Atë të ndarjes me ish ministrin. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Rama nuk është ende i qartë se ç’fakte, që ende nuk i di, gjenden në dosjet e përgjimeve italiane. Ai nuk ka në dispozicion të gjithë informacionin shterues që do ta bënte të mbante qëndrimin përfundimtar. Prandaj mesazhet e tij janë as mish, as peshk. Prandaj ai edhe e “shet” edhe e “mbron” Tahirin. Prandaj ai e trajton edhe si “vemje njerzore” edhe si “viktimë të një komploti politik”.
Kjo gjuhë e dyfishtë e kryeministrit, që buron nga ankthi i tij për të nesërmen e panjohur, po konfuzon rëndë edhe përfaqësuesit më të lartë socialistë. Të pa armatosur me fjalorin fin dhe plot nuanca të Ramës ata po dalin qesharakë në sy të publikut. Sepse sa herë shfaqen para tij duket sikur flasin për dy Tahirë të ndryshëm. Një që duhet lartësuar dhe një që duhet anatemuar. Pikërisht ashtu siç bënë ditët e fundit, kur e mbrojtën se nuk kishte prova në komisionin e mandateve dhe e linçuan po për mungesë provash në grupin e PS-së.