Pse Janullatosi e paska keqkuptuar Ilir Metën?

Nga: Artur Zheji

Kryepeshkopi Anastas Janullatos, kishte mbi 20 vite që kish kërkuar nënshtetësinë shqiptare. Askush nuk e ka shtruar pyetjen: Përse Anastasi, e kish kërkuar prej vitesh nënshtetësinë shqiptare dhe se përse Presidentët paraardhës, nuk ja kishin pranuar atë kërkesë?

Përgjigja llogjike, sepse Janullatos është i devotshëm dhe llogjik sa më ska, është e thjeshtë: në statusin themeltar të Kishës ortodokse Autoqefale shqiptare, duhet që drejtuesit e saj të lartë, të jenë shqiptar, në shtetësi, në kombësi dhe në gjak.

Kryepeshkopi ynë, ka 25 vjet që ushtron funksionet e tija, krejt në kundërshtim me statutin themeltar të Visarion Xhuvanit dhe të Fan S. Nolit dhe padyshim që një zbutje e kësaj kontradikte, ndërmjet pasaportës së tij greke dhe detyrës së Udhëheqësit shpirtëror të shqiptarëve ortodoksë, qëndronte një hendek i madh.

Një hendek që Hirësia e tij, me mbështetjen e pakufizuar të Athinës dhe të Lobit grek nëpër botë, e ka shpërfillur me sukses të plotë. Para disa javësh, Presidenti më i fundit shqiptar, Ilir Meta, e theu refuzimin 25 vjeçar të Presidentëve paraardhës. Në rastin më të mirë, këtë veprim ai e kreu sepse Anastasi është në një moshë shumë të madhe dhe se thuhet se është deklaruar që pasardhësi i tij, do të jetë një shqiptar.

E pra nënshtetësia e sotme e Janullatosit, është pranimi i faktit të kryer nga ana e Metës, që domethënë edhe me edhe pa nënshtetësinë e sotme, Janullatosin nuk e lëvizte njeri si Kryepeshkop. Mirëpo ose Hirësia e tij, ose zelotët që e pasojnë, e kanë interpretuar me sa duket këtë fakt si një inkurajim, për të kundërsulmuar gjërësisht, apo si një pranim faji nga ana e politikës shqiptare.

U habita pa masë kur, si inkuizitorë të vërtetë kanë sulmuar disa ditë më parë, Ardit Bidon, që ishte i ftuar në emisionin tim 360gradë, për të komentuar sëbashku me përfaqsues të Kishës Ortodokse Autoqefale, me një letër të hapur, dërguar Ilir Metës, president dhe Edi Ramës, kryeministër, ku kërkojnë ndëshkimin e Bidos, sepse është Drejtor i Arkivave të Shtetit Shqiptar.  Një Grup Intelektualësh shkruajnë në grup dhe pa emra të përveçëm se:

“Grupi i Intelektualëve Orthodoksë dhe të Komuniteteve të tjera Fetare të Shqipërisë, kërkon që qeveria dhe shteti shqiptar të mbajnë qëndrim ndaj përfaqësuesve të administratës shtetërore që shkelin Kushtetutën sikur z. Bido të cilët sulmojnë drejtuesit kryesorë të feve tradicionale në Shqipëri. Sulmi që vjen ndaj kreut të Kishës Orthodhoksë Autoqela me pretekstin injorant se në Kishën Orthodokse flitet greqisht apo edhe akuza të tjera absurde, është një sulm që kalon kufijtë e laicitetit.”

Ata e quajnë një pretekst injorant kërkesën për të folur shqip në Kishën shqiptare dhe e quajnë sulm rastet që Ardit Bido bëri publike në Emisionin tim 360gradë, në Ora News, ku në shumë kisha shqiptare, priftërinjtë predikojnë greqisht. Duke harruar me dashje se të folurit shqip në Kishën e shqiptarëve ortodoksë, është pikë tjetër themeltarëve e shenjtë e Etërve shqiptarë të Kishës Autoqefale të Shqipërisë.

Nëse përshëndetja greqisht, që Janullatosi i bëri Ilir Metës, duke shprehur gëzim për nënshtetësinë shqiptare, mund të dukej si një lapsus emocional apo lapsus nga mosha, sulmi që pasoi këto ditë Ardit Bidon, nuk është aspak i tillë.

Përveç kësaj, në letrën e tyre të hapur, ka një përpjekje për të paraqitur të diskriminuar Kishën Ortodokse, në lidhje me çfarë ndodh me arabishten në xhamija apo me ndonjë frazë latinishteje në Kishën tonë katolike

“Grupi i Intelektualëve Orthodoksë dhe të Komuniteteve të tjera Fetare, është i lumtur që presidenti shqiptar i akordoi shtetësinë shqiptare Krypeshkopit Anastas, dhe e falenderon atë përzemërsisht. Ky fakt tregon se epoka e konflikteve dhe e mllefeve me politikën greke dhe njësimi i orthodoksisë me Greqinë është duke marrë fund në vendin tonë.” shkruajnë ata.

Mirëpo harrojnë se pikërisht është e kundërta që ka munduar shqiptarët ortodoksë në shekuj: Kanë qenë qarqet nacionaliste greke dhe jo vetëm, që kanë identifikuar në mënyrë të rreme ortodoksët shqiptarë me kombësinë Helene. Historia e Shqipërisë dëshmon me dhjetëra raste të priftërinjëve shqiptarë ortodoksë që janë vrarë apo janë helmuar sepse kanë predikuar shqip në Kishat e tyre, apo sepse kanë hapur mësonjëtore në gjuhën shqipe.
Janë qindra e mijëra rastet në Greqinë e sotme, ku kërkesa parësore që u janë nënshtruar shqiptarët ka qenë ndryshimi i fesë, ndryshimi i emrit, vetëdeklarimi i rremë si minoritarë e të tjera turpe antieuropiane si këto.

E pra, këta intelektualët ortodoksë, që e paskan shkruar më parë në greqisht këtë tekst të kësaj letre të habitshme dhe më pas e kanë përshtatur në shqip, kanë ndrruar si padashje këtë të vërtetë të madhe historike.

Padyshim që Tsipras solli ndryshime interesante pozitive dhe liberalizuese në Greqi, por fakti që e deshi pak kohë më parë Janullatosin si President të Republikës Helene, rrëfen se edhe ai, s’ka çfarë i bën dot superpushtetit të Klerit Ortodoks helen, përfaqsues i devotshëm i të cilit është edhe Anastasi, kryepeshkop grek, i besimtarëve shqiptarë.

Ktu ka një keqkuptim të madh, Meta, ndonëse veproi në përputhje të kompetencave të tija presidenciale, duke ndërmarrë një veprim me risk politik të brendshëm, por ç’tensionues në politikën e Jashtëme, duke i dhënë një dorë, edhe bisedimeve shqiptaro-greke, Kotzias-Bushati, nuk do të thotë se zyrtarizoi greqishten në Kishën Autoqefale të Shqipërisë. Apo nuk do të thotë gjithashtu, se një letwr e ca të panjohurve, nën siglën “ortodoksë” pranë Kishës, që dëshmon se mbetet ajo që ka qenë, nuk mund të bëjë që të pushohet nga puna, një historian i ri, si Ardit Bido, sepse mendon si shqiptar, për Historinë e Shqipërisë dhe për Kishën Autoqefale shqiptare!

Në të vërtetë, nënshtetësia shqiptare ndaj Janullatosit, duhet të ishte një nxitje, që ai, Kishën Ortokse të shqiptarëve, përveçse greke, ta ndjejë pak edhe si shqiptare… Shqiptarët duhet të kenë ende durim që kjo të ndodhë një ditë, por sigurisht që kjo nuk ka ndodhur ende derimë sot.

Sprova dhe sfida që një “Grup intelektualësh” pranë Kishës Ortodokse apo pranë një vatre tjetër edhe me të ngrohtë, të dërgojnë një letër ankimore në dy adresa, njerën në Presidencë dhe tjetrën në Kryeministri, rrëfen për keqkuptimin e tyre të skajshëm: Ishte zoti Anastas Janullatos që mori shtetësinë shqiptare, dhe nuk ishte as Ilir Meta dhe as Edi Rama, që morën shtetësinë greke…

Marrë nga/360grade.al/

SHKARKO APP