Pse më sulmoi Ben Blushi tek Top Channel
Nga Alfred Peza
Në televizionin kombëtar “Top Channel” që drejtohet nga një “Kryetar partie”, ishin përgatitur një seri kronikësh për premtimet e pambajtura të politikanëve shqiptarë, ku krahas Kryeministrit Edi Rama dhe ish Kryeministrit Berisha, ishte edhe një kronikë e plotë për politikanin Alfred Peza.
Kjo gjë përveçse ma ngre stekën aq lart sa unë as nuk e kam ëndërruar ndonjëherë, po më bën edhe më shumë koshient se përse kishte aq shumë vrer e ligësi kundër meje në 20 muajt e fundit, për një çështje për të cilë siç është bërë publike tashmë, gjykata më shpalli TE PAFAJSHEM.
Unë kam mbi një vit që jam tërhequr nga e drejta e kandidimit dhe nuk jam më deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Ndërkohë që premtimet që më atribuohen me shtrembërime dukshëm dashakeqe, janë nxjerrë nga arkiva e rreth 5-6 viteve më parë, atëherë kur udhëheqësi i listës së kandidatëve për deputetë të PS për qarkun e Elbasanit, ishte as më pak e as më shumë por vetë drejtori “Kryetar partie” i Top Channelit, Ben Blushi.
Për shumëkënd mund të jetë çudi se si një një njeri që ka qenë atë kohë krah meje për javë e muaj me radhë në gjysmën e parë të vitit 2013, paska pritur të bëhet drejtor “kryetar partie” i një media, për të më kujtuar në gjysmën e dytë të 2018, premtimet që paskemi bërë bashkë. Eshtë po i njëjti, pra po Ben Blushi, ai që ka shkruar edhe një parathënie të librit tim “Ditari i 23 qershorit”, dedikuar tërësisht kësaj fushate dhe këtyre premtimeve që ai i paska “zbuluar” sot.
As në libër por as atëherë, ai që ishte udhëheqësi i fushatës sime elektorale, nuk më ka bërë asnjë vërejtje. Përkundrazi. Ju siguroj se ka shkruar gjëra aq të bukura për punën time, sa duke e krahasuar me kronikën që ka transmetuar tani, më e pakta që mund të bëjë një njeri me cipë, është që të skuqet.
Nëse do ta njihja Blushin sot, me siguri që do kisha vrarë mëndjen shumë se çmund të ishte ai shkak madhor që e paska detyruar një televizion kombëtar që më ka ofruar sëfundi edhe një kontratë për të qenë pjesë e emisioneve të tij si analist politik, për të më kushtuar një kronikë të posaçme për premtimet e mia si deputet pa qenë më fare deputet. A thua mbaruan punë me 140 deputetët aktualë, me nja 20 ministra dhe nja 10 kryetarë partish parlamentare që Top Channeli i madh të meret me Alfred Pezën?!
Por, është shumë më e thjeshtë sesa mund ta mendojë gjithëkush. Shkaku është krejt fëminor. Gati gati është si një lojë cic mici fëmijësht të cilën e kisha harruar qëshkurse shihja filmin “Beni ecën vetë”. Por në vend të këngës në pyll, Beni ka nisur të këndojë me zërin e të tjerëve në ekranin e Top Channel.
Shkaku i këtij sulmi të Blushit ndaj meje është i thjeshtë:
Rreth 2-3 ditë më parë nëpër media të ndryshme u dha një lajm sipas të cilit Komisioneri për Mbrotjen e të Dhënave Personale ka shpërndarë një shkresë zyrtare ku sqaronte se Hotel Plazza në qendër të Tiranës përgjon dhe survejon klientët e saj me kamera edhe në ambjentet private. Këtë lajm e postoi edhe Alpenews.al. Pak më vonë njerëz të partisë së Blushit në media, na ofruan këtë shkrim që po e botojmë më poshtë.
E meqenëse ne, nuk e plotësuam këtë tekë të drejtorit “kryetar partie”, ai na nxorri sot në fletërrufe. Unë sot e hëngra e nuk është çudi që ekranin kombëtar, Beni ta pëdori prapë në vijimësi kundër meje, se helbete me hallatatet e Tanit të ndjerë, sot me sa duket është kollaj që ta bëjë. Por tani e tutje, bëni kujdes ju të tjerët. Se BB po ju vëzhgon!
Shkrimi që i refuzuam Blushit për ta botuar:
Gjatë ditës së sotme u publikua në media shkresa zyrtare e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ku sqaron se Hotel Plaza në Tiranë përgjon dhe survejon klientët e saj me kamera edhe në ambientet private. Për pasojë, ndaj këtij hoteli, ndër më të shtrenjtët në Tiranë është ngritur edhe një padi nga ana e klientëve që e kanë frekuentuar.
Por, ky fakt risjell në vëmendje edhe një herë, një nga debatet që mori vëmendjen e mediave, referuar disa fotove të publikuar në ambientet e jashtme të Hotel Plaza-s, ku shiheshin qartë në një takim ‘kokë më kokë’ Ben Blushi, Drejtori i Përgjithshëm i Top Channel me gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Nga të dhënat, rezulton se takimi mes tyre është realizuar më datë 24 maj të këtij viti, ora 18:04:41 sekonda, në bar-kafenë e një hoteli të njohur në qendër të kryeqytetit dhe ka zgjatur deri në orën 07:25:52 pasdite.
Nga ana tjetër, shkresa e komisionerit siç edhe duket nga kryeradha e shkresës, është hartuar që më 19 prill të këtij viti, pra disa javë para se të publikohet takimi Blushi-Dvorani, përmes kamerave të sigurisë së hotelit të njohur.
Kjo do të thotë se letra u përpilua nga ankesat e të tjerë VIP-a dhe është hartuar para përgjimit të dyshes Blushi-Dvorani, ndonëse ata ishin ndër “viktimat” e këtij rasti.