Pse një shkëmbim territoresh në Ballkanin Perëndimor do të destabilizonte rajonin

Nga Heather Conley & Matthew Melino

Historia përbëhet nga ironi të mëdha. Vrasja e Arkidukws Ferdinand nga nacionalistët serbë në Sarajevë, më 28 qershor 1914, filloi një zinxhir të paparashikuar ngjarjesh që shkaktuan rënien e perandorive, rivendosjen e kufijve dhe krijimin e vendeve të reja të pavarura. Ndërsa përgatitemi për të festuar 100 vjetorin e armëpushimit që përfundoi Luftën e Parë Botërore në nëntor, është ironike që ne gjendemi përsëri para një ngjarje potencialisht të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor – një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës për të shkëmbyer territore përgjatë vijave etnike – që mund të shkaktojë destabilizim në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ashtu si në vitin 1914, reagimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian është i vakët. Është koha për të paralajmëruar komunitetin transatlantik për rreziqet e një shkëmbimi të mundshëm të territoreve në Ballkanin Perëndimor përpara se të jetë tepër vonë.

Një histori e shkurtër

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, një dekadë pasi Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) ndërhyri ushtarakisht për t’i dhënë fund vrasjes së civilëve shqiptarë të Kosovës nga forcat serbe gjatë një kryengritjeje dy vjeçare. Sot, Kosova njihet si shtet i pavarur nga 111 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së. Rusia, Kina dhe Serbia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, dhe as pesë vende të BE-së: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Swiss Digital Desktop Reklama

Shtetet e Bashkuara kanë investuar burime të konsiderueshme diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, sikurse edhe NATO dhe Bashkimi Europian. Shtetet e Bashkuara kanë siguruar rreth 510 milionë dollarë fonde të ndihmës për zhvillim. NATO aktualisht mban 3,865 ushtarë me armë të lehta në Kosovë (KFOR). Pavarësisht këtyre investimeve nga komuniteti transatlantik, integrimi multietnik i Kosovës nuk ka qenë efektiv.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në vitin 2011, Beogradi dhe Prishtina filluan të negociojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të situatës ndërmjet dy vendeve, si pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga BE. Të dy vendet ranë dakord për Marrëveshjen e Parë të Parimeve që drejton Normalizimin e Marrëdhënieve në vitin 2013, për të zgjidhur të gjitha çështjet e lëna pezull. Pas kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Europian rekomandoi që Kosova të fillojë negociatat për të përfunduar një marrëveshje stabilizimi dhe asociimi dhe që Bashkimi Europian të fillojë negociatat për aderim me Serbinë. Gjatë pesë viteve të fundit, disa përparime të kufizuara janë bërë nga Serbia dhe Kosova, por nuk janë të mjaftueshme për të zvogëluar ndjenjën nacionaliste në të dy vendet, pasi serbët dhe kosovarët përballen me rrethana shumë të vështira ekonomike, korrupsioni endemik dhe kriminaliteti (veçanërisht në zonat kufitare).

Si të përmirësohet një marrëdhënie që nuk po normalizohet?

Serbia dhe Kosova kanë qenë në një bllokadë diplomatike për pesë vitet e fundit. Kosova nuk mund të arrijë njohje ndërkombëtare në Kombet e Bashkuara dhe Serbi, as nuk mund të arrijë anëtarësimin në Bashkimin Europian, veçse nëse normalizojnë marrëdhëniet dypalëshe. Më 9 gusht, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç hodhi një ide të guximshme për të zgjidhur këtë ngërç në terma afatgjatë duke deklaruar një dëshirë për ndarjen e Kosovës, e cila do të ndante Kosovën veriore të banuar me serbë (rreth Mitrovicës) dhe ta bashkojë atë me Serbinë duke ofruar enklava shqiptare në jug (Lugina e Preshevës) dhe përfshirjen e tyre me Kosovën. Fillimisht e mbështetur nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndarja nuk është e dizajnuar për të ndarë të gjithë serbët etnikë dhe shqiptarët e Kosovës, 60 përqind e serbëve etnikë do të mbeten në Kosovë.

Megjithatë, ideja u shpreh për të zmbrapsur nacionalistët në të dy vendet në mënyrë që të hapë rrugën për njohjen e Kosovës nga Serbia (që i jep Kosovës njohjen e plotë ndërkombëtare që kërkon) dhe të lejojë Serbinë të ecë përpara me anëtarësimin e saj të mundshëm në BE (që është qëllimi i dëshiruar i Presidentit Vuçiç).

Ndoshta më i habitshëm ishte pranimi diplomatik i një shkëmbimi të tillë të territorit nga qeveria e SHBA dhe Bashkimi Europian me shpresën se do të “zbuste” bisedimet e normalizimit. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kishin kundërshtuar gjithmonë idetë e ndarjes, duke i dhënë përparësi stabilitetit të rajonit dhe duke hedhur poshtë shkëmbimet e territoreve në bazë të identiteteve etnike.

Ndërhyrja ushtarake e bashkësisë transatlantike në Kosovë ilustron angazhimin e SHBA dhe Europës për mbrojtjen e pakicave etnike dhe promovimin e shoqërive pluraliste. Duket jo e zakonshme që pas 20 vitesh angazhim dhe investim në integrimin etnik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të ndryshonin në mënyrë dramatike pozicionin e tyre duke deklaruar se nuk kishin një pikëpamje për këtë çështje, e cila mund të shkaktojë dhunë në rajon dhe të ndikojë edhe forcat amerikane në Kosovë.

“Politika e SHBA është e tillë që nuk përjashton rregullimet territoriale, nëse të dy palët mund të arrijnë një marrëveshje. Nuk është në dorën tonë të vendosim. Ne nuk do të bëhemi pengesë, dhe mendoj se askush në Europë nuk do të nxjerrë pengesa, nëse të dy palët arrijnë një zgjidhje të kënaqshme”, deklaroi këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.

Një kujtesë historike për ambasadorin Bolton: Herën e fundit që të dy palët u përpoqën të “zgjidhin çështjen” vetë, 3,000 shqiptarë të Kosovës u vranë dhe 600,000 njerëz (shumica e tyre me etni shqiptare) migruan në Europën Perëndimore. Konflikti përfundoi me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s.

Bashkimi Europian ndau një perspektivë të ngjashme “laissez-faire” me atë të Ambasadorit Bolton. Komisioneri i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn, ka deklaruar se cilado qoftë zgjidhja, në fund, qëllimi kryesor është stabiliteti në rajon. “Ne duhet t’ia lëmë atyre, gjetja e një zgjidhjeje do të mbështetet nga ne”, shtoi Hahn.

Si gjithmonë, anëtari i BE-së, që është i pari që nënvizon rëndësinë e madhe të stabilitetit është Gjermania. Por në këtë rast, Gjermania është e vetmja  anëtare e BE-së (të paktën publikisht) që ka kundërshtuar marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve. Kancelarja Merkel ka deklaruar se integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është “i shenjtë”.

“Ne besojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra në popullsi dhe prandaj jemi shumë skeptikë”, tha ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas. Pavarësisht nga mungesa e mbështetjes gjermane për një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve, Bashkimi Europian nuk është në gjendje të mbajë një qëndrim të unifikuar për këtë çështje, për aq kohë sa pesë anëtarë të BE nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Për fat të keq, nuk ka pasur përpjekje të përbashkëta për t’i bërë këta pesë anëtarë të BE të njohin pavarësinë e Kosovës. Meqenëse duket shumë e vështirë që ata ta bëjnë këtë, roli i vazhdueshëm i SHBA në procesin e normalizimit mbetet i rëndësishëm.

Ndërsa presidentët, Vuçiç dhe Thaçi, fillimisht ishin entuziastë për konceptin e shkëmbimit të territoreve, të dyja ndeshën rezistencën e fortë vendase ndaj ndarjes. Një takim i planifikuar i udhëheqësve ballë për ballë, i cili kishte për qëllim bisedimet e mëtejshme të normalizimit, nuk u zhvillua më 7 shtator me përfaqësuesen e lartë të BE, Frederica Mogherini, dhe ndërsa acarimi u rrit mes dy partive, përfaqësuesja e lartë u detyrua të ndërmarrë diplomacinë ndërmjetësuese mes dy udhëheqësve. Të dy, Vuçiç dhe Thaçi, bënë vizita të panjoftuara në veri të Kosovës (Liqeni i Gazivodës) në javët e fundit, gjë që provokoi protesta lokale dhe demonstrata publike kundër ndarjes, në kryeqytetet e tyre përkatëse.

Presidenti Vuçiç është në një pozitë shumë më të favorshme politike për të përballuar protesta të tilla publike, por presidenti Thaçi është në një pozitë më të dobët, ndërsa përpiqet të sigurojë vijimësinë e tij politike përballë fuqisë në rritje të rivalit të tij, kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kundërshton fuqishëm ndarjen e territoreve. Sipas tij, nuk ka konsensus midis serbëve apo shqiptarëve kosovarë për idenë e shkëmbimit të tokës, i vetmi vend ku ka konsensus është në Uashington dhe Bruksel.

Për momentin, ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është duke u ndjekur në mënyrë aktive. Megjithatë, përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës, kërkesa e Prishtinës për njohjen ndërkombëtare dhe përpjekja e Beogradit për integrimin në BE, mbeten të bllokuara. Kjo do të thotë se një ide e tillë mund të ringjallet në të ardhmen, ndoshta me inkurajimin e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Ndikimi i ndihmës amerikane dhe europiane për konceptin e shkëmbimit të territoreve ka efekte të forta përtej Serbisë dhe Kosovës. Ambasadori amerikan i emëruar në Bosnje, Eric George Nelson, pohoi në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve në Kosovë se do të ishte mirë të bëhet e qartë se nuk ka ngjashmëri me Bosnjen.

“Pas zgjedhjeve jashtëzakonisht komplekse në Bosnje e Hercegovinë më 7 tetor, imagjinoni nëse serbët dhe kroatët që dominojnë disa komuna në Bosnje-Hercegovinë të kërkonin të thyejnë ligjet kushtetuese të Marrëveshjeve të Dejtonit dhe të  propozojnë një shkëmbim territoresh?

Çfarë ndodh nëse Milorad Dodik, ish-udhëheqësi i Republikës Srpska, tani i sapo zgjedhur në selinë serbe në Presidencën tripalëshe të Bosnjes, të kërkojë një marrëveshje shkëmbimi toke që do të çonte në një Republikë Srpska të re të pavarur? Imagjinoni nëse shqiptarët etnikë do të kërkonin një territor etnikisht homogjen si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni, duke krijuar një “Shqipëri të Madhe”, thjesht sepse palët mund ta bëjnë këtë.

Ndoshta shkëmbimet tokësore mund të aneksohen zyrtarisht, duke bërë rishikimin e kufijve me një marrëveshje të rregullt në Europë (zoti Dodik tashmë ka theksuar se Bosnja duhet ta njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia). Në një rajon të tillë të brishtë dhe etnikisht të larmishëm, një shkëputje dhe copëzim i tillë do të ishte shumë destabilizues.

Ku ka ndarje të thellë shoqërore, zakonisht gjendet një ndikim i hapur dhe i fshehtë rus, i cili ndihmon në thellimin e këtyre ndarjeve dhe largimin e Ballkanit Perëndimor nga Perëndimi. Serbia është një aleat i Rusisë dhe marrëdhëniet dypalëshe vazhdojnë të thellohen, madje edhe kur Serbia kërkon anëtarësimin në BE. Presidenti Vuçiç ka kërkuar në mënyrë aktive këshillën dhe mbështetjen e Presidentit rus, Putin, dhe ka deklaruar se asnjë marrëveshje nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Rusisë. Ne e dimë që ka pasur ndikim të gjerë rus në Ballkanin Perëndimor si në referendumin e fundit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe në anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Në fund, ndoshta e vetmja dinamikë pozitive që erdhi nga Serbia dhe ideja e shkëmbimit të territoreve me Kosovën, ishte zgjimi i komunitetin transatlantik nga ‘gjumi strategjik’, në mënyrë që të mund të riprioritizojë dhe ri-aktivizojë integrimin rajonal shumë-etnik në Ballkanin Perëndimor.

*Përktheu për Politiko: Loneta Progni

**Heather A. Conley është zv/Presidente për Europën, Euroazinë dhe Arktikun dhe Drejtore e Programit për Europën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (Center for Strategic and International Studies (CSIS) në Washington, D.C. Matthew Melino është studiues në Programin për Europën i CSIS. ***Ky raport mundësohet me mbështetjen e Rockefeller Brothers Fund.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?