Pse PD-në nuk e dëgjon askush?

Placeholder Image

Ai sot po qeveris me të parët dhe është bërë ortak me ata që shantazhonte dje. Është pikërisht kjo histori e hidhur e abuzimit me opozitën, po aq sa ajo e abuzimit me pushtetin, që i ka bërë grabitësit shqiptarë të pasurive publike të mos tremben nga deklaratat bombastike të politikanëve kur janë në minorancë. Ata as nuk i merr njeri seriozisht, as nuk i dëgjon kush“…

Nga Andi Bushati

Lulzim Basha ka përsëritur të enjten në emisionin “Opinion” një qëndrim ekstremisht të fortë të partisë së tij, në lidhje me ngritjen e stadiumit të ri “Arena Kombëtare”. Ai e ka shpallur atë një vepër jo për sportin, por për klientët dhe ka paralajmëruar kompaninë ndërtuese të mos investojë aty dhe bankat të mos kreditojnë, sepse nëse PD rikthehet në pushtet, ky projekt do të zhbëhet.

Në një vend normal, nëse partia kryesore e opozitës do të shfaqte publikisht një qëndrim të tillë, automatikisht investimi do të stopohej, bankat do të tërhiqeshin dhe investitori do të stepej. Megjithëse ky kërcënim i përsëritur ka kohë që është hedhur në treg, askush nuk ka shfaqur shenja frike. Ashtu sikurse askush nuk është zbrapsur për të gjithë tenderat, koncesionet dhe lejet, që në këto tre vite opozita ka deklaruar se do t’i anulojë.

Pa dyshim që këtu kemi të bëjmë me një anomali shqiptare. Por pyetja që ngrihet është pse ndodh kjo? Pse biznesi që duhet të ishte më i ndjeshëm se gjithkush tjetër, nuk tutet nga këto fjalë dhe as nuk i merr për bazë kërcënimet që dalin nga selia blu?

Për këtë ka disa shpjegime. I pari dhe më i thjeshti është se sot, fiks një vit përpara zgjedhjeve, askush ende nuk ka besimin më të vogël se PD-ja mund të rikthehet në pushtet. Me gjithë krimet, delirin, vjedhjen galopante dhe arrogancën e papërballushme të qeverisë Rama, një pjesë e madhe e shqiptarëve duket se vazhdojnë të mendojnë se nuk mund të amnistojnë një forcë politike që nuk ka ditur të distancohet nga e shkuara e saj e errët.

Dhe më mirë se gjithkush, më shumë se deklaratat, humoret e palëve, sondazhet, nuhatjen për ta kapur i pari këtë sensibilitet të publikut, e ka biznesi. Prandaj atij këto kërcënime i duken si britmat e një tigri prej letre. Por ka dhe një arsye më madhore, më të thellë dhe më sistemike, se pse askush nuk trembet nga kërcënimet si ky për stadiumin.

Ato kanë lidhje me historinë tonë të afërt. Të tilla qëndrime mbajti Sali Berisha në kuadër të fushatës me duar të pastra që e solli në pushtet në vitin 2005. Madje ai premtoi se do të rihapte edhe burgun famëkeq të Burrelit për ata që kishin shpërdoruar paranë publike. Ai më pas u shndërrua në barcaletë, kur njeriun që e kish shpallur si simbol të korrupsionit të pushtetit të vjetër, Rezart Taçin, e ktheu në privatizuesin e aseteve më të mëdha publike, Armo dhe Albpetrol. Të njëjtën histori përsëriti edhe Edi Rama në opozitë. Të gjithë e mbajnë mend kur dilte para fasadës së xhamtë të PS-së për të denoncuar ata që “vjedhin vota për të vjedhur Shqipërinë dhe vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota”. Të gjithë e mbajnë mend sesi përbetohej se do të anulonte dhuratat skandaloze, me Lotarinë Kombëtare, koncesionin e markimit të karburanteve dhe atë të skanimit të doganave.

Ai sot po qeveris me të parët dhe është bërë ortak me ata që shantazhonte dje. Është pikërisht kjo histori e hidhur e abuzimit me opozitën, po aq sa ajo e abuzimit me pushtetin, që i ka bërë grabitësit shqiptarë të pasurive publike të mos tremben nga deklaratat bombastike të politikanëve kur janë në minorancë. Ata as nuk i merr njeri seriozisht, as nuk i dëgjon kush.

Kjo përqeshje e hajdutëve po ndëshkon tani PD-në. Dhe fatkeqësisht ajo do të vazhdojë, për sa kohë që në skenën shqiptare nuk do të dalë një forcë politike që nuk i ka gënjyer më parë shqiptarët. Lapsi.al

SHKARKO APP