Pse Rama bëri magjistarin në pikë të mëngjesit?!
Nga Artur Zheji
Mblodhi Grupin parlamentar të Partisë Socialiste kryetari Rama. Deputetë e ministra të ç’mësuar prej shkollës fillore, me debat apo kokëzhbirime mëngjezor të detyrueshme.
Shumica e femrave të palyera dot nga nxitimi dhe ca prej meshkujve deputetë, të paxhelosur e në luftë të tmerrshme me gjumin, që nuk braktiste kollaj trupat e nxehtë nga shtratngrohtësia dembele e orëve më të ëmbla, që ishin detyruar të braktisnin.
Ndërsa ay, magjistari, kryetari dhe kryeministri, totalisht i kthjellët dhe në zanafillë të një fjale 45 minutëshe, ku si një magjistar, do të bënte përmes fjalimit, thurrjen e një pelerine tre ngjyrëshe.
Ngjyrë mjalti, ngjyrë shege të shtrydhur dhe ngjyrë çaji Cejloni.
Ngjyrën e mjaltit e përdori për të përshkruar trokitjen të ndrojtur por çudibërëse të Sajmes, në Partinë e “sapo çliruar” Socialiste nga Rama… ecjen para të Sajmes në gjarpërushen rrugë të karierës deri në krye të ministrisë së kurtheve, sekreteve, shpinëmarrjes dhe “tmerreve”, që thirret ndryshe, edhe ministria e punëve të brendshme…
Ngjyrën e shegës, që ay, Piktori-kryeministër e do shumë fare, e përdori për të shprehur gjakosjen që do të shpërthente në kraharorin e tij, nëse Sajmja dilte një i pabesë, një besëthyes dhe një mashtrues apo një “vemje” gjarpri që kish bërë fole, nën mosvëmendjen dhe gjithëbesimin e kryeliderit magjistar.
Ngjyrën e çajit, që ngjan shpesh me ngjyrën e gjakut të mpiksur të një plage të thellë, marrë në betejë, duruar me dhëmbë shtrënguar në betejat vrasëse Shqipërindërtuese, e përdori, gjithmonë Rama se askush nuk pipëtiu, për të shprehur klithmën e mbytur të zhgënjimit, që për arësye të detyrës duhet të mbysë.
Dhe me këtë ngjyrë plage ay dha në minutë të 43, verdiktin: “Jo!” arrestimit dhe “Po” telendisjes së Sajmes, nga “kadinjtë” hipokritë (prokurorët në këtë rast).
Një “Po” e panevojshme, të cilën magjistari e dha, sikur të ish e drejtë e tij ta jepte, ndërkohë që nuk dha dhe nuk çeli, semaforin jeshil për arrestimin, pa votën semafor të së cilës, nga Kuvendi, kadinjtë, mbeten aty ku ishin.
Pra si një sonatë në tre kohë, oratori, përmes zgjimit të detyruar që u bëri kuvendarëve të fshatit, i vuri në një gjumë edhe më të thellë, se gjumi puplor apo mëkatar nga ku ata vinin mes të dridhurash.
Një gjumë që ka nevojë për një puthje në buzë nga një e bukur e Dheut, e cila ka humbur rrugën në pyll edhe për ca vite të tjera…
I madh ky Rama, eeej!…, argëtohet sipas këngës që: Në gojë të ujkut ne hedhim valle, o hej!…
Nesër tupanët, do të lajmërojnë një ditë të re, ndërkohë që kuvendarët e hipnotizuar do të hedhin një valle shpatash, kundër kuvendarëve të tjerë.
Kryeministër Shaman! Për besë! /360gradë.al/