Puigdemont në arrati

Kur ia mbath nuk bën asnjëherë figurë të mirë. Carles Puigdemont në Bruksel si refugjat i drejtësisë spanjolle është një figurë për t’i qarë hallin. Pozicionin solemn nga ai qesharak dihet që i ndan vetëm një hap. Dje duke tundur flamujt në barrikadat e Barcelonës, sot shitës patatesh të skuqura (siç e paraqitën në një shaka) në kryeqytetin e Belgjikës dhe të BE.

Të tjerë e shohin me shpoti Carles Puigdemont-in si hero përherë në arrati të serisë “Tim dhe Struppi”, aq më tepër që tipari rinor dhe naiv i figurës për të qeshur përshtatet shumë mirë me katalanin.

Pas mbeten mbështetës të zhgënjyer, shokë të zemëruar të partisë dhe një ekonomi që ka humbur sigurinë. Dhe një rajon i qeverisur përkohësisht që nga Madridi, i cili megjithatë sillet dukshëm në mënyrë pragmatike me “sundimin e huaj”. Ndoshta Carles Puigdemont e mbivlerësoi potencialin e nxitjes së bashkëatdhetarëve të tij, që marrin lehtë flakë. Të demonstrosh kur është mot i mirë është zbavitëse, por që të sakrifikosh mirëqënien dhe një vend pune për një ëndërr nacionaliste, kur jeton rehat dhe mjaft autonom në Spanjë: kjo tingëllon qesharake vetëm ta shkruash.

Kryekatalani sidoqoftë duhet ta kishte ditur që bindjet e mëdha kërkojnë edhe gjeste të mëdha nga udhëheqësit. Sido që të jetë, pjesë e tyre do të ishte vajtja me kokë lart para gjyqit, duke kënduar këngë katalanase të lirisë. Ajo që lë përshtypje shumë të keqe, është që t’i lësh ministrat e tu të mbajnë përgjegjësi dhe vetë t’ia mbathësh natën.

Teatër politik

Barbara WeseBarbara Wese

Krahasimet që Carles Puigdemont bën me diktaturën e Francos mund t’i quash thjesht qesharake ose të paturpshme, varësisht nga pozicioni. Thirrja e vazhdueshme për demokraci tingëllon bosh, kur udhëheqësit vetë i shkelin rregullat e saj.

Në Rusi, në Turqi dhe diku tjetër njerëzit ndodhen në burg për hir të politikës ose të profesionit që kanë. Përballë këtyre fateve, të vjen rëndë kur shikon kopshtin e fëmijëve të politikanëve në Katalonjë. Këta luftëtarë heroikë për pavarësi duket së thërrasin gjithmonë: “Na pëlqen shumë që të jemi të shtypur!”

Pa vend në Evropë

Për të ardhur rëndë është edhe se si u tregon ai mbështetësve të tij gjithmonë përrallën e ndihmës evropiane, pa qenë në gjendje për të ofruar rezultate. Sepse as BE, as Belgjika si vend jovullnetar mikpritës nuk duan t’i japin dorën një udhëheqësi secesionist. Katalanin ata e kanë pritur kaq me padurim sa presin shpërthimin e murtajës ose të kolerës. Po të kenë fat belgët, drejtësia nuk e kundërshton dorëzimin e Carles Puigdemont-it. Kështu ndoshta mund të frenohen edhe dëshirat për shkëputje te flamandët e vet.(DW)

SHKARKO APP