Qeveria e re italiane, a duhet të frikësohen edhe shqiptarët?!
Nga Skënder Minxhozi/
Me Italinë s’kemi pasur kurrë probleme. Ky është një përcaktim që me shumë gjasë i përshtatet realitetit të marrëdhënieve Tiranë-Romë që nga momenti i hapjes së Shqipërisë dhe hyrjes së saj në familjen e kombeve europiane. Krejt ndryshe nga Greqia, me të cilën kemi një dosje problemesh të të gjitha përmasave, të cilën po e negociojmë edhe sot me dyer të mbyllura, me Romën marrëdhëniet kanë mbetur “të shkëlqyera”, sipas termit që kanë përdorur ndër vite të gjithë shtetarët e dy vendeve kur u është dhënë rasti, megjithë ndryshimet e shpeshta të qeverive në të dy anët e Adriatikut. Pritëse e një numri të madh emigrantësh ekonomikë shqiptarë, avokate e bindur e integrimit të vendit tonë në BE dhe mbështetëse e stabilitetit shqiptar edhe në momente të zymta të historisë tonë, italianët janë shfaqur tek ne herë si shembulli për t’u marrë, herë si investitorë, herë si ushtarë të ngarkuar me thasë mielli në misionet e shumta humanitare ku Italia na ka ndihmuar pas trazirave në tokën shqiptare.
E megjithatë në këto orë kjo marrëdhënie solide dypalëshe rreth 30 vjeçare, pritet të vihet në një provë tinzare dhe të paprecedent. Megjithëse i kemi ndjekur demarshet për krijimin e qeverisë së re italiane si një episod i rradhës i krizës politike endemike italiane, duket se këtë herë duhet të tregohemi diçka më të kujdesshëm se herët e tjera. Sepse nga Prodi tek Berlusconi, apo nga D’Alema tek Ciampi, diferencat në qëndrimin ndaj Shqipërisë ishin milimetrike dhe thuajse të padukshme. Por qeveria Conte, në të cilën spikat e fortë zhurma që vjen nga poltroni i ministrit të brendshëm Salvini, mund të ketë një kurs ende të panjohur edhe ndaj dosjes italo-shqiptare. Dhe kjo kryesisht në dy drejtime: në qëndrimin ndaj emigrantëve tanë që jetojnë dhe punojnë në Itali dhe ndaj kursit tonë drejt afrimit me Bashkimin Europian.
E lindur pas një negociate kilometrike mes dy partish anti-sistem, Lega Nord dhe Lëvizja 5 yjet, qeveria Conte pritet të bëjë një kthesë në shumë drejtime. Jo më kot Steve Bannon, këshilltari “famëkeq” i Donald Trump, i deklaronte së fundi shtypit italian se ka këshilluar këto dy parti në hapat e tyre drejt ndërtimit të shtetit “të ri”, të konceptuar mbi parimet e anti europianizmit, antiglobalizmit dhe të një ksenofobie gjithnjë e më të shprehur ndaj të huajve. “Roma është tani qendra e botës”, shprehej Bannon para pak ditësh në kryeqytetin italian.
Ku rri Shqipëria në këtë mes, mund të pyesë dikush me të drejtë?! Shqipëria rri në këtë panoramë të re politike italiane, tek ajo pjesë e vogël që e lidh me kursin e ri të qeverisë Conte, të dominuar nga dy “super” zv.kryeministrat Salvini dhe Di Maio.
Siç dihet lideri i Lega Nord ka pasur prej kohësh qëndrime të ashpra ndaj Europës së Bashkuar dhe të huajve të shumtë që shkelin në vendin e tij. Në programin e ministrisë së brendshme të cilën ai mori përsipër të drejtojë, bie në sy prioriteti i frenimit të flukseve migratore nga Mesdheu, kryesisht nëpërmjet Tunizisë dhe vendeve të tjera të Afrikës Veriore, por edhe përballja me realitetin kompleks të rreth 500 mijë emigrantëve të parregullt që jetojnë sot në Itali. Në këtë shifër të madhe personash që ende s’i kanë mbyllur problemet me autoritetet italiane, por edhe më në përgjithësi në politikën që qeveria Conte do të ndjekë ndaj statusit dhe procesit të integrimit të emigrantëve në shoqërinë italiane, qëndrojnë shumë të panjohura në të ardhmen e afërt, edhe për ne shqiptarët.
Nga ana tjetër, qëndrimet shpërfillëse dhe shpesh fyese të partive që përbëjnë qeverinë e sotme ndaj Brukselit dhe përgjithësisht Bashkimit Europian, janë një tjetër moment që mund të sjellë modifikime potenciale në qëndrimin zyrtar të fqinjit tonë perëndimor, sa i përket zgjerimit të BE dhe politikës së saj ndaj Ballkanit Perëndimor.
Nëse Italia do të hynte në një kurs përplasjeje me Brukselin në lidhje me temat e mësipërme, vendet ballkanike, ndër to më së pari Shqipëria, do të humbisnin një avokat të hershëm të idesë së shtrirjes së Unionit edhe në gadishullin ballkanik. Në këtë prizëm, deklaratat e fundit të ambasadorit italian në Tiranë, sa pozitive dhe qetësuese për momentin, pritet të konfirmohen nga e para pasi qeveria e re italiane të ketë marrë në dorë frenat e punëve dhe të ketë afishuar vizionin e saj konkret për çeshtjet e mësipërme. Javanews.al