Rama shmang ambasadorin Lu, po Lu a do ta shmangë?
Nga Artur Zheji
Gramozi ndërpreu seancën e Kuvendit, duke zbatuar ushtarakisht Rregulloren.
E drejtë e tij, për këtë dhe u zgjodh kryetar Kuvendi, që të krijojë një diferencë sa më të madhe, me paraardhësin Ilir Meta.
Dhe fill më pas kryeministria lajmëroi që ay, kryeshefi kish një press konferencë në 12.30, ndërkohë që Basha u përjashtua nga punimet.
Fillimisht mendova që do të na thoshte ndonjë gjë të rëndësishme Kr.-ëja, ndonjë zbulim në lidhje me 20 familjet mafioze dhe 4 klanet që kontrollojnë Shqipërinë, sipas ambasadorit Lu, në deklarimet e tija të ashpra.
Por, jo, Kr.-ja, mprehu edhe njëherë shpatën, kundër burokracisë sipas parimit të vjetër enverian, se kur “flet kllasa dhe Partia, burokracia hesht!” dhe ul kokën e fut bishtin ndër shalë, e merosur, e turpëruar dhe e llahtarisur nga grushti ndëshkues që vjen pas!
Asnjë fjalë nuk tha Edi për ambasadorin Lu dhe deklaratat bombë që ai lëshoi, fare pak ditë më parë, që shkundën opinionin publik shqiptar, porse Kr.-ja u përkujdes ta përjashtonte nga pyetjet e gazetarëve, duke ushtruar gati dhunë verbale, për “respektimin” e pseudotemës që kish përzgjedhur të molloiste, fare pa charm…
Pra, Rama e shmangu ambasadorin Lu dhe paralajmërimet e tija!
E drejta e tij edhe kjo, kryeministër është burri i botës, nuk mund të ndikohet ditari i tij i punës, nga deklaratat e një Ambasadori, e ka gjykuar stafi i tij.
Por kuptueshëm kjo lojë, për të qetësuar alarmin që ka kapur administratën dhe krejt PS, nga “bombat” e Lu-së, është një lojë, kësaj radhe e patalentuar… Është thjesht një aspirinë që s’bën fajde, në trupin e sëmurë rëndë të pushtetit të tij, kaq të madh dhe kaq të brishtë njëkohësisht.
Po zoti Lu, a do ta shmangë kryeministrin, apo do t’i rikthehet temës së Familjeve Mafioze që komandojnë Shqipërinë?
Kjo është Çështja!/360grade.al/