Rama si bamirës i gjyshes nga Berat
Platforma e denoncimeve mund të vazhdojë të bëjë kurbanë. Turma e lodhur dhe e raskapitur nga padrejtësitë mund të gënjehet duke brohoritur linçimin e viktimës së radhës, por e gjitha do të jetë një teatër…
Nga Andi Bushati
Ndëshkimi «live» i një drejtori të rilindjes sipas motos më të re të dalë në modë, « kur flet populli, nuk flet burokracia » është shndërruar në kryelajmin e mediave të pushtetit. Fabula pothuajse është e njohur për të gjithë. Një gjyshe tek të 80-at, Hëna Caka, shkon dhe merr pjesë në një takim të Edi Ramës me popullin, në Berat. Ajo ankohet se ka bërë të gjitha procedurat për legalizimin, por se Aluizni nuk ja çertifikon atë. Udhëheqësi e dëgjon gjatë dhe me durim hallin e saj. Pastaj kërkon me sy drejtorin e emëruar prej tij, e urdhëron të ngrihet në këmbë dhe i kërkon të japë llgari. Në fund e urdhëron: “Nesër je i larguar nga puna nëse problemi i kësaj të moshuare nuk zgjidhet”.
Edhe regjizorët më skematikë të filmave kinostudios “Shqipëria e Re” do të hezitonin ta xhironin një skenë të tillë. Madje një mizanskenë kaq vulgare nuk do ta prodhonin as në vitet më të zjarrta të luftës kundër burokratizmit.
Por, historia nuk përfundon këtu. Pasi mbaroi me shfaqen filmike, Rama vazhdon me spektaklin e shkruar. Ai i njofton lexuesit e tij në Facebook se që të nesërmen, kalvari i 80 vjeçares që u ankua tek ai mbaroi dhe se ai drejtor, megjithëse e bëri punën, përsëri meriton të shkarkohet pasi për gjatë gjithë mandatit nuk ka kryer dot një detyrim që qenkësh i mundur për 24 orë.
Morali i fabulës është i qartë: “peshku qelbet nga bishti, por udhëheqësi që mendon për hallet e njerëzve, e ruan kokën të pastër”. Më tej akoma: “Po, vërtet ka korrupsion galopant, por ai është episodik, në periferi, dhe jo refleks i një sistemi të kalbur që në majë”. Dhe mesazhi më i drejtëpërdrejtë: “Rama mendon për njerëzit e thjeshtë dhe është i gatshëm të sakrifikojë edhe zyrtarët e vet që nuk i shërbejnë atyre”.
Pak a shumë kështu do të mendonte kushdo që do ta ndiqte në mënyrë pasive dhe pa u thelluar këtë produkt tipik propogandistik.
Por, nëse përpiqesh t’a qëmtosh atë më thellë fillon e ngre pikpyetje të tjera. Nëse e rikthen edhe njëherë filmin mbrapsht, e kupton se ka diçka që nuk shkon. Le ti marrim me radhë:
E para: dështimi i sistemit
Po pse vallë Hëna Caka, një grua në perëndim të ditëve të saj, pasi është sorollatur për gjithë ato vite nëpër zyrat e shtetit duhet të shkojë për ta zgjidhur problemin e saj një takim të organizuar nga PS-ja lokale? A ka përgjegjësi Edi Rama që ka dështuar këto katër vite të reformojë administratën? A është kjo pasojë e atyre listave (të mohuara për kaq shumë kohë) të punësimeve me tesër partiake? A është kjo dështim i politikave meritokratike dhe punësimit me konkurse që u propoganduan në fillim të qeverisjes së rilindjes?
E dyta: drejtimi antidemokratik
Po të shikohet edhe njëherë videoja aq e pompuar nga kryeministri, ajo më shumë e demaskon sesa e nderon atë. Boll të vëzhgosh si i merret goja dhe i ngatërrohen fjalët dhe shifrat drejtorit lokal të Aluiznit, kur duhet të raportojë përpara turmës. Boll të përjetosh se si kryeministri e urdhëron atë në transmetim ‘live’ përpara kamerave. Pyetjet që ngrien janë disa: Po ku e kishte Rama informcionin dhe dokumentacionin e nevojshëm që të urdhëronte: “mbaroje deri nesër”? Apo mos ishte gjithçka e parapërgatitur? Apo nëse nuk ishte e tillë, ç’rëndësi kishte se sa në sa mënyrë të drejtë I jepej zgjidhje hallit konkret, boll që të dilte mesazhi se ai që zgjidh problemet është kryeministri që po lufton me administratën e tij?
E treta: kulti i liderit supremem
Ashtu sikurse u përmend, historia nuk mbaron këtu. Pasi e moshuara beratase e mori çertifikatën, Rama e vazhdoi këtë histori edhe në Facebook. Dhe aty perversiteti arrin kulmin. Po i njëjti njeri që e kishte urdhëruar drejtorin e Aluiznit para kamerave: “Po se zgjidhe deri nesër je i pushuar”, një ditë më pas shkruan: “Ai e zgjidhi, por përsëri duhet të pushohet pasi tregoi se një punë që nuk e kish bërë për 5 vite, mund ta bënte për 24 orë”.
Pra, kjo fabul, rrëfen se çfarëdo uji t’I kishte dhënë gomarit, qoftë të ngrohtë, qoftë të ftohtë, në të gjitha rastet, drejtori lokal do të pushohej gjithësesi. Pasi duhej që në këtë skenar ai të lunate rolin e viktimës. Pasi në këtë film ai duhet të vishte kostumin e atyre të dënuarve të revolucionit kulturor në Kinë, që pasi i gjunjëzonin, u varnin nga një pankartë në qafë me qëllim që turma të marshonte mbi trupat e tyre duke tundur në duar librat e kuq të timonierit të madh.
Dhe në këtë kostum prej timonieri të madh Rama e sheh veten edhe kur shkruan për këtë ngjarje.
“Po sikur dje zonja të mos e kishte pasur mundësinë ta ndante me mua hallin e saj, edhe sa vjet të tjera do të priste që drejtori të merrte masa ndaj torturuesve të saj dhe t’i dorëzonte lejen e legalizimit?! Nuk e di, po nuk është çudi që më parë të ikte nga kjo botë se sa të merrte lejen” pyet ai duke pranuar se ka ngritur një sistem ku problemet zgjidhen vetëm nga lideri. Dhe pa pikë kompleksi e pranon këtë edhe më poshtë: “Sa të tjerë, që nuk e kanë “fatin” e zonjës të më qajnë mua hallin në sy, jetojnë sot me halle të tilla të turpshme për zyrat e këtij shteti?! Kushedi sa janë, qindra, mijëra, dhjetëra mijëra… A zgjidhen dot këto halle, ja kështu, si u zgjidh halli i kësaj zonje dhe a ndalohen dot parazitët e grabitqarët që paguhen me taksat tona, të bëjnë përditë viktima të pafajshme në çdo komunitet të Shqipërisë”?!
E katërta: Show apo zgjidhje?
Në fakt, pëpos pranimit të fajit se në katër vite ka ngritur një administratë që mund t’i zgjidhë problemet vetëm me ndërhyrje nga lart, Edi Rama mundohet të ngrejë edhe një pyetje: a rregullohet kjo anomali në të ardhmen?
Dhe kësaj ai i jep një përgjigje pozitive duke propozuar si rrugëdalje për këtë gjendje “Platformën Online të Bashkëqeverisjes me qytetarët”. Pra, në thelb, kryeministri thotë se sa më shumë njerëz të marrin pjesë në të, sa më shumë të ngrenë probleme, të spiunojnë dhe të denoncojnë, aq më e mirë do të bëhet qeverisja dhe aq më shpejt do të shfarosen nga zyrat e shtetit “peshqit parazitë e grabitqarë që jetojnë me gjakun e taksapaguesve dhe me shërbimet e kthyera artificialisht në halle për njerëzit e zakonshëm”.
Pra, sikurse shihet rrugëdalja që ofron “Timonieri i madh” është po aq naïve dhe sipërfaqësore sa edhe videoja e Hëna Cakës që propogandon ai. Me pamjet filmike ai donte të jepte mesazhin e gabuar të të mirit të fuqishëm që ndëshkon keqbërësin e rëndomtë. Me anë të tyre ai shpresonte të kumtonte se peshku nuk është qelbur ende në kokë. Se sistemi funksionon. Se madje, madje, ai gjendet në kulm të piramidës, pikërisht të ndëshkuar minjtë e vegjël që duan të brejnë themelet e saj.
Këtë pret Rama edhe nga “Platforma Online e Qeverisjes” që propozon si zgjidhje. Pra që populli të denoncojë zyrtarët lokalë të hipotekave, Aluiznit, patentave.
Dhe nuk është çudi që t’a bëjë vërtet. Po kjo nuk i jep asnjë zgjidhje problemit për ato që kryeministri i di dhe i mbyll sytë. Për abuzimin me koncesionet e mëdha. Për cash-in që fshihet pas lejeve të ububushme të ndërtimit në Tiranë. Pas lojës se ndyrë të grosistëve të naftës që vazhdon të mbjellë vdekje. Pas biznesit të kumarit që e ka kapur për fyti shtetin.
Janë pikërisht këto që e bëjnë Rilindjen një qeverisje të kapur peng. Janë pikërisht paktet e mëdha të bëra në qendër që shpërndahen në mënyrë kapilare deri në hallkën e fundit të sistemit. Prandaj pa e pastruar peshkun nga koka, asgjë nuk do të jetë kurrë më e mirë.
Platforma e denoncimeve mund të vazhdojë të bëjë kurbanë. Turma e lodhur dhe e raskapitur nga padrejtësitë mund të gënjehet duke brohoritur linçimin e viktimës së radhës, por e gjitha do të jetë një teatër.
Ne mund të vazhdojmë të shohim skena gardistësh të kuq që hakmerren ndaj burokratëve, ne mund të vazhdojmë të shohim filmime të ngjashme me ato të emisioneve “Alo Presidente” që shfaqeshin çdo të dielë në Venezuelë, por ne tashmë e dimë se edhe revolucioni kulturor kinez edhe ai bolivarist në Karakas, nuk shërbyen për asgjë më shumë sesa për të forcuar pushtetet gjakatare të Maos dhe Çavezit. (Lapsi.al)