Reagime të BE për “Paradise Papers”
Si reagoi BE ndaj zbulimeve të “Paradise Papers”, një strategji e mënjanimit të tatimeve në stil të gjerë? Sipas qëndrimit të eurodeputetit të Gjelbër, Sven Giegold, zbulimet e publikuara së fundmi nga Paradise Papers kanë arritur një shkallë të re. “Për herë të parë kemi parë dokumentet e një prej zyrave më profesionale të avokatisë në parajsat fiskale.”
Pjesa më e rëndësishme e këtyre zbulimeve lidhet me Appelby, një nga zyrat më të specializuara për firmat që përdorin parajsat fiskale. Janë vlerësuar edhe regjistra të 19 parajsave fiskale, ndër to Malta, Bermuda, Trinidad, Grenada etj. Me territoret e saj jashtë Britanisë së Madhe, listën e parajsave fiskale e kryeson Britania e Madhe, thotë Giegold. “Duhet të ushtrojmë presion ndaj Britanisë së Madhe për të mbyllur parajsat fiskale.” Një mundësi për këtë ofrojnë negociatat e ardhshme të Brexit.
Vende të BE-së pengojnë listën e parajsave fiskale
Por krahas Britanisë së Madhe janë edhe Malta, Holanda Irlanda ato që duan të pengojnë BE të përpilojë një listë të plotë të parajsave fiskale. Eurokomisioneri për Financat, Pierre Moscovici shprehet se kjo është një bllokadë politike. BE bllokohet nga shtete që paralajmërojnë për kujdes. Ka ardhur koha që të gjithë të punojnë në të njëjtin drejtim për të shmangur mashtrimin dhe mënjanimin taksor. Por kjo është e vështirë për sa kohë mënjanimi i tatimit justifikohet legalisht.
Rezerva shpreh edhe ish-ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble. Sipas tij bota e globalizuar financiare pengon luftimin efektiv të mënjanimit fiskal me mundësitë praktikisht të pakufizuara që ka. “Ne jemi në një botë të globalizimit. Me këtë mundësitë për të gjetur formën më të mirë tatimore janë të panumërta.”
Megjithatë BE po përpiqet që të vështirësojë jetën e parajsave fiskale me ndihmën e konkurrencës dhe të drejtës për mbështetje. Belgjika për shembull po kërkon 700 milionë nga 35 firma, që kanë përfituar nga politika fiskale për sipërmarrjet, Luksemburgu kërkon 250 milionë euro nga Amazon për shkak të mënjanimit të tatimeve. Irlanda 13 milionë euro nga Apple. Por kërkesat e Komisionit Europian janë ende kërkesa vetëm në letër.