Referendumi në Maqedoni…drejt “shansit historik“ apo bojkotit?
Nga Marjana Doda –
Që në lashtësi, atëherë ku ende shumë popuj e kombe përjetonin errësirën e kohës, grekët dhe maqedonasit sollën civilizimin evropian e bënë histori. Çuditërisht sot, ata që duhej të ishin shembulli i qytetërimit dhe bashkëjetesës njerëzore, ende nuk po dalin nga “smogu” i një nacionalizmi të pakuptimtë. Ndërsa kombe që dikur nuk ekzistonin sikurse ata,tani iu japin leksione demokracie e bashkëjetese. Referendumi 30 Shtatorit për ti vënë vulën popullore emrit “Maqedonia e Veriut” në marrëveshjen me Greqinë, është trumbetuar se do të jetë shansi fundit historik nëse popujt e këtij vendi do të zgjedhin të jenë pjesë e popujve të qytetëruar e përparuar siç e meriton ajo, apo të bjerë pre e fuqive e grupimeve të errëta që po e pengojnë në të drejtën e saj.
Zaev iu bëri thirrje VMRO-DPME që ta mbështesin referendumin. “Siç e dini, ky është një moment historik, jo vetëm për shkak të vendimit të referendumit por dhe për shkak se përmes këtij vendimi do të definohet e ardhmja e Maqedonisë”- do deklaronte ai, ndërsa paralajmëron se do largohet nga posti i kryeministrit nëse nuk ka sukses duke shprehur besimin se qytetarët nuk kanë alternative tjetër.
Ndërsa opozita maqedonase fillimisht doli hapur kundër marrëveshjes më pas zbuti disi qëndrimin e saj duke ia lënë çdo qytetari të mendojë si duhet të votojë. “Dëgjoni zemrën tuaj dhe veproni si duhet. Në fund Maqedonia do fitojë”- do të deklaronte kryetari opozitës Hristian Mickoski, duke larë kështu duart si Ponc Pilati.
Ajo çfarë po e bën kaq të rëndësishëm këtë referendum është fakti se ka një angazhim maksimal të faktorit ndërkombëtar në mbështetje të tij. Ndoshta do të ishte angazhimi më i madh që pas luftës në Kosovë duke e konsideruar si një shans historik dhe për stabilitetin në Ballkan.
Maqedonia në vetëm 3 javë është vizituar nga shumë personalitete të larta evropiane e botërore, që nga kancelaria gjermane, Angela Merkel, sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis, kreu i NATO-së, Jens Stoltenberg e shumë kryeministra e shefa të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së. Te gjithë kanë përcjelle të njëjtin mesazh: “dalja në referendum dhe votimi i marrëveshjes me Greqinë, si alternativë e vetme për të ardhmen e Maqedonisë.”
Në një letër dërguar Presidentit Ivanon me rastin e 8 Shtatorit, Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump do shkruante:” Marrëveshja e Prespës zgjidh kontestin e gjatë të emrit me Greqinë dhe hap rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe do rrisë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për të gjithë rajonin. Në mbështetje të Shefit të tij në një vizitë në Maqedoni doli dhe Sekretari Mbrojtjes James Mattis i cili e vlerësoi k.min Zaev si një faktor stabiliteti në Ballkan dhe se do ta ndihmonin vendin e tij në këtë proces anëtarësimi.
Situata në Maqedoni është bërë objekt vlerësimi tejet i veçantë dhe për vetë NATO-n për të shmangur në të ardhmen konflikte të reja në Ballkan. Sekretari i Përgjithshëm, i saj Jons Stolenberg do deklaronte:”Ky është rast që të jepet njëherë në jetë për tu bërë anëtar i plotë i komunitetit ndërkombëtar me të gjithë të mirat që sjell kjo…Dera e NATO-s është e hapur por populli i këtij vendi do vendosë për të ecur brenda saj”.
Eurokomisioneri Johanes Han në prag të vizitës tij në Maqedoni deklaroi se:”Nëse tani nuk shfrytëzohet kjo mundësi, jam përafërsisht i sigurt se dera do mbyllet për dekada me rradhë, nëse jo përgjithmonë”. Ndërsa Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE Frederica Mogherini në vizitën e saj më 13 Shtator në Maqedoni deklaroi se :” Më 30 Shtator, kur të dilni për votime, kujtohuni se keni në dorë çelësin e ardhmërisë. Mos heshtni, çelësat janë te ju dhe mos e lëshoni këtë mundësi, pasi bën fjalë për të ardhmen tuaj”.
E interesuar për zhvillimet në Maqedoni është dhe Gjermania, shteti më i fuqishëm i BE-se, ku Kancelaria Merkel në takimim që ka patur me k.min Zaev inkurajojë qytetarët maqedonas për të votuar.”Një gjeneratë ka vetëm njëherë këtë rast historik për të vendosur për të ardhmen. Andaj unë dua tju them mos rrini në shtëpi në këtë ditë historike, por dilni dhe thoni mendimin tuaj për të ardhmen tuaj”. Nga Tirana zyrtare,Presidenti Ilir Meta duke besuar në rolin e faktorit politik shqiptar do inkurajonte se”: Ndaj besoj e njëkohësisht u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të marrin pjesë në Referendumin e 30 Shtatorit dhe të votojnë pro marrëveshjes, për të hapur një kapitull të ri, jo vetëm për Maqedoninë, por dhe për të ardhmen e tyre në këtë vend”. Në mbështetje të këtij referendumi është dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Ndërsa para pak ditësh në Maqedoni bëri një vizitë dhe kreu i opozitës shqiptare Lulzim Basha i cili mori takim me lider të spektrit politik shqiptar për mbështetje e inkurajim të votës pro.
E megjithatë përpos mbështetjes ndërkombëtare, ka një hendek të madh kombëtarë e cila i atribuohet opozitës dhe forcave të tjera të errëta që duan destabilizimin e Maqedonisë dhe Ballkanit. Në Maqedoni për shkak të konflikteve shumë të ashpra në 4 vitet e fundit ndërmjet opozitës dhe maxhorancës, ka qenë e pamundur dakordësia ndërmjet tyre për tu ulur e për të menduar seriozisht për ekzistencën e shtetit të Maqedonisë dhe popullit maqedon. Është e vërtetë që marrëveshja është kundërshtuar në të dyja anët e kufirit kryesisht nga opozita si në Shkup dhe në Athine, por në sytë e publikut duket një kundërvënie politike për interesa personale se sa ato ndërkombëtare. Është me shumë rëndësi që në situata të tilla deçizive për kombin ,të ketë së pari unitet kombëtarë. Ajo çfarë po e vështirëson procesin e referendumit përveçse opozitës që luan rol negativ, është përfolur shumë dhe për “ rrezikun rus”.
MPJ Ruse, ka deklaruar se Moska nuk e fsheh qëndrimin negativ drejt marrëveshjes Athinë- Shkup për emrin e ri të Maqedonisë. Sipas saj marrëveshja është larg interesave të forcimit të paqes dhe sigurisë në Ballkan. Ndërsa ambasada ruse në Shkup në prononcimin më të fundit sipas tv “Telma” shprehet se Rusia nuk ka ndërmend të hyjë në punët e brendshme gjatë proçesit të referendumit. Madje vetë kryeministri Zaev në një konferencë ndërkombëtare më të fundit organizuar nga BE është shprehur se “nuk kam dëshmi për ndonjë ndikim rus. Federata Ruse është mike e Maqedonisë dhe ajo nuk ka asgjë kundër integrimit të Maqedonisë në BE, por është kundër anëtarësimit në NATO”.
Pra, Maqedonia është kthyer në fushëbetejën më të madhe aktuale politike në rajon. Mesazhet që përcillen pro dhe kundër këtij referendumi, më shumë i ngjajnë një lufte diplomatike ndërmjet fuqive të mëdha,të cilat kanë zgjedhur këtë vend të brishtë në Ballkan për të“paralajmëruar” njeri –tjetrin.
Kësisoj, qytetarët brenda Maqedonisë, por dhe ne që ndjekim nga jashtë atë çfarë po ndodh, jemi të dyzuar. Personalisht ndërsa shikoj mesazhet e liderëve më të rëndësishëm ndërkombëtarë, nga njëra anë më gëzon fakti që Maqedonia, ka arritur të ketë këtë një vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, madje duket sikur është prioritet në agjendat e politikës së tyre të jashtme. Nga ana tjetër …më tremb skenari që ndërkombëtarët parashikojnë. Pse po nxitohen??
Në të vërtetë mbështetja e ndërkombëtare ndaj Maqedonisë, përkthehet si imponim për të pranuar marrëveshjen duke votuar pro në referendumin e 30 shtatorit. Ata thonë ,duhet të dilni e të votoni “PRO” në këtë referendum …por është e paqarte ndaj kujt do të votohet pro. Pyetja që do t’iu përgjigjen qytetaret e Maqedonisë është : – A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen për emrin me Greqinë? Kjo është një pyetje manipuluese dhe aspak e qartë, po aq sa vetë marrëveshja. Sigurisht qytetarët e Maqedonisë janë definitivisht për anëtarësim në BE dhe NATO, (mjafton të shohim të rinjtë e këtij vendi që po shkollohen dhe po kërkojnë punësim në vende europiane), por mund të jenë kundër marrëveshjes me Greqinë. Në këtë referendum,vota kundër marrëveshjes do përkthehet në votë kundër integrimit europian, ndërkohë qytetarët e Maqedonisë duhet të votojnë vetëm nëse e pranojnë apo jo marrëveshjen për ndryshimin e emrit .Aktualisht qytetarët maqedonas janë të paqartë ndaj pyetjes dhe marrëveshjes.
Në këtë situatë vetëm pak ditë para referendumit, shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Dimitrov, doli duke sqaruar të gjitha aspektet e Marrëveshjes me Greqinë. Siç tha, në takime me qytetarët këto javë të fundit, ka parë se ka shumë dezinformata rreth marrëveshjes.”Shtetësia do të jetë shtetas/maqedonas të Maqedonisë së Veriut, siç do të regjistrohet në të gjitha dokumentet e udhëtimit. Zyrtarisht gjuha do të jetë “gjuhë maqedonase”. Pra si kundër u pranua vetë nga ministri i Jashtëm…ka një mungese informimi në masë të madhe tek publiku dhe e gjithë kjo fushatë e bërë deri tani i ngjante një fushatë partiake …me ultimatume, akuza, aq sa qytetarët e Maqedonisë po ndjehen të “shantazhuar”.
Personalisht besoj në fjalën e ministrit të Jashtëm, jo vetëm si ministër dhe si firmëtarë kryesor i kësaj marrëveshjeje historike, por mbi të gjitha si një nga njerëzit më me integritet në politikën maqedonase. E megjithatë, pavarësisht se ai garanton me nderin e tij dhe të familjes së tij që kjo marrëveshje është më e përshtatshmja deri tani për Maqedoninë, nuk mjafton. Duhet një fushatë me informacione të hollësishme rreth kësaj marrëveshje, pasi çdo njeri i madh e i vogël duhet të jetë i ndërgjegjshëm për çfarë po voton, pasi bëhet fjalë për identitetin e tyre kombëtar. Ndaj me shumë gjasa po shkojmë drejt një bojkoti dhe jo një shansi historik. Zgjidhja e vetme do të ishte shtyrja e këtij referendumi dhe të merret e gjithë koha e duhur që çdo qytetar të informohet rreth kësaj marrëveshjeje. Kjo marrëveshje jo vetëm duhet të ketë pranim ndërkombëtarë legjitim por mbi të gjitha duhet pranuar nga vetë populli maqedonas dhe të gjithë grupet etnike në vend, pasi kjo do të ishte shkak për mosmarrëveshje të brendshme brenda partive politike në Maqedoni dhe serish do të jemi në vendnumëro.
Nuk jam për dështimin e marrëveshjes ndërmjet këtyre dy vendeve të cilat patjetër duhet ta përfundojnë këtë “lufte politike”, por duhet më shumë kohë qe të gjithë të jenë të qarte se çfarë po votojnë dhe ku po shkojnë. Duke qene se kjo datë mund të mbetet në histori, atëherë duhet të jeni të kujdesshëm se për çfarë do të kujtoheni. “Shansi historik” mund të shtyhet për një datë tjetër…