Replikë me çamin e vitit 2009, Abaz Hado
Nga Dashamir Tahiri
Në një artikull të gjatë dhe plot ngjyrime patriotike z. Abaz Hado përpiqet të shpjegojë se qëndrimi i PDIU-së dhe posaçërisht i Shpëtim i Idrizit, është amaneti i të parëve, dhe ka bërë që çështja çame të kombëtarizohet dhe ndërkombëtarizohet. Ai thekson gjithashtu se aleanca me PS-në për zgjedhjet lokale është një zgjidhje e duhur, në kohën e duhur dhe shpreh keqardhjen e thellë për qëndrimin tim, që nuk është në sinkron me atë të Shpëtim Idrizit.
Po le t’i shikojmë me radhë problemet që ngre dhe mbron zoti Hado. Që në krye të artikullit ai rendit sukseset e PDIU si “një parti ku mund të mbështet patriotizma shqiptare… që është prezent me modernitetin europianist në pjesëmarrjen aktive kur janë diskutuar probleme të mprehta që preknin interesin kombëtar si marrëveshja mbi ujërat detare, apo ndryshimi i modelit për regjistrimin e popullsisë.”
Personalisht nuk kuptoj dhe shoh asnjë arsye pse patriotizma shqiptare duhet të mbështetet te PDIU-ja apo te ndonjë parti tjetër dhe kjo frazë më duket e kotë dhe pa kuptim. Sa i përket ligjit të regjistrimit të popullsisë, propozimi i PDIU-së ishte të shtohej një amendament që kush nuk tregonte të vërtetën e kombësisë, të gjobitej me 1 milion lekë të vjetra. Për t’i bërë qejfin PDIU-së ky amendament u shtua dhe kaq ishte gjithë kontributi “historik” në këtë çështje. Në caktimin e kufijve të ujërave detare me Greqinë, jo vetëm PDIU-ja, por edhe shumë parti të tjera e dënuan megjithëse kur e kishte marrë ferra uratën. Gjykata Kushtetuese i vuri vulën me vendimin e saj. Hado më poshtë thekson se “…PDIU-ja ka deklaruar se për të opozitë do të ketë me çdo forcë politike vetëm për çështjen e madhe çame dhe kur preken interesat e këtij komuniteti”. Në të vërtetë këtë frazë e kam thënë unë i pari dhe prandaj sot mbaj këtë qëndrim. Më poshtë argumentohet aleanca për zgjedhjet lokale me PS-në, ku thuhet: “Realisht aleati aktual e ka në programin e vet politik çështjen çame”.
Duket zoti Hado që jeni jo vetëm i paditur në politikë, por edhe i painformuar. Zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje lokale që kanë të bëjnë me administrimin dhe qeverisjen e qyteteve. Sa i përket zgjedhjeve politike, këto u zhvilluan dy vjet më parë dhe PDIU-ja ishte në aleancë me Partinë Demokratike, që i dhuroi jo pak por pesë deputetë PDIU-së; Shpëtim Idrizin direkt dhe katër nga formula e koalicionit. Por tani nuk ka më thela te PD-ja ndaj po shkohet nga PS-ja. Asnjë parti shqiptare nuk e ka ndryshuar programin politik të saj që shpalosi dy vjet më parë. Nëse Kryetari PS-së bën politikë duke siguruar numrat që i duhen për vazhdimin e qeverisjes në rast “lajthitjeje” të LSI-së, çamët përse kërkuan pesë bashki? Që të vendosin njerëzit e tyre aty, të punësojnë sa më shumë nevojtarë besnikë, të marrin ca tenderë, e ca favore që sjellin para e përfitime të tjera, e në këtë mënyrë të sigurohet vazhdimësia parlamentare për “Idrizin &Co”. Unë votat e mia i kam marrë me punën time, në favor të çështjes çame dhe kjo është rruga ime e vetme që nuk ka për të ndryshuar asnjëherë.
Në treqind e ca rreshta gazete me germa dhjetëshe nuk lexon dot asnjë sukses të PDIU-së për Çështjen Çame veç frazave mbushur me folklor patriotik dhe keqardhje për qëndrimin e Dash Tahirit, megjithëse qysh në titull thuhet që qëllimi kryesor i PDIU-së është amaneti i të parëve, madje thekson se qëllimi i vetëm i Shpëtim Idrizit është problemi çam. Dua t’i kujtoj zotit Abaz se vetë Shpëtim Idrizi ka deklaruar shumë herë edhe pasi bëri aleancë me PS-në së fundmi në TV; “…se kjo parti nuk është parti e çamëve, porse e ka në program edhe çështjen çame në kuadrin e Çështje Kombëtare”. Kësaj i thonë i zoti e shet, tellalli s’e jep. Madje me shumë guxim Idrizi deklaroi se problemi çam është i Shoqatës Atdhetare Çamëria. Se çfarë kupton Idrizi me zgjidhjen e Çështjes Kombëtare dhe zgjidhjen e Çështje Çame si pjesë e saj, këtë mund ta di vetëm ai dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kjo me të vërtetë bie erë tradhti. Por këtë tezë të Lidershipit çam duhet duhet t’a kuptojnë mirë gjithë komuniteti çam që t’u jepet fund një herë e mirë spekulimeve për këtë çështje të shenjtë.
Sa herë PDIU-së dhe Idrizit i duhen votat e çamëve sillet si parti e çamëve, tashmë në aleancën e re mendon se do të fitojë votat e socialistëve dhe të çamëve. Nuk mendoj se do të funksionojë kjo formulë sado e rafinuar duket. Shqetësimi mbetet i njëjti: Të gjithë çamët që mendojnë ende se PDIU-ja është parti e çamëve duhet ta harrojnë këtë gjë. PDIU-ja është një parti e një klani të ngushtë që po përdor çdo manovër për përfitime politike dhe ekonomike. Do të ishte e nevojshme që krahas “sukseseve” në sektorin e brendshëm, ju zoti Hado të theksonit edhe premtimet në atë të jashtëm si për shembull: Në cilin stad janë Bisedimet dhe Marrëveshjet me Departamentin Amerikan të Shtetit, me Bashkimin Europian, si po shkojnë bisedimet me atë studion angleze që nuk iu mësua emri kurrë, si po shkon shpërndarja e abetareve shqipe në Çamëri, ç’po bën komisioni i përbashkët greko-shqiptar për çështjen çame, po për ngritjen e një Obelisku në përroin e Selanit, po me ato tetë pikat për zgjidhjen e problemit çam të shpallura katër vjet më parë nga Idrizi në tubimin e Qaf Botës etj, etj? Këto gënjeshtra sollën aq vota sa të garantojnë pesë vende në parlament për deputetët çamë. Por më tej nuk mund të shkohet. Si nuk ke thënë asnjë fjalë për këto në shkrimin tënd kundër meje?
Ti zoti Hado thua se ne jemi vëllezër e më kujton Çamërinë dhe varret e të parëve duke nënkuptuar se unë po tradhtoj atë çështje të shenjtë. Gabohesh rëndë. Unë nuk kam nevojë as për karrige deputeti e as për favore të tjera dhe këtë e dinë gjithë ata që më njohin. Unë iu futa politikës për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit çam, për të cilin kam qenë e jam gati të sakrifikoj gjithçka. Por nëse sot ti ke nevojë për një rrogë zv/ministri, që të pëlqeu aq shumë dikur, e mund ta kenë premtuar sërish, kjo nuk bëhet duke bërë servilin e Shpëtim Idrizit dhe duke thënë gënjeshtra. Çështja çame ka qenë ka qenë dhe do të mbetet ëndrra dhe ideali im. Edhe sikur vetëm të ngelem në këtë rrugë unë sërish do të vazhdoj. Me dallavere e gënjeshtra nuk shkohet shumë larg. Unë e di që kam të drejtë dhe koha do ta tregojë.