Rreziku i një fushate pa debat politik
Nga Mero Baze
Fushata elektorale e sapo nisur në Tiranë duket se ka angazhuar më shumë dy liderët e partive, sesa kandidatët real në debatin publik. Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë shkëmbyer sot replika publike rreth doktor Halim Kosovës. Rama tenton ta konsiderojë kandidatin e opozitës një udhëheqës pa energji për Tiranën dhe jashtë orbitës së probemeve që ajo ka. Basha i doli menjëherë në mbrojtje me patetizëm, duke i bërë më shumë dëm sesa nder doktor Halimit, qoftë dhe për faktin se Basha është memoria më e keqe e një njeriu që ka drejtuar Tiranën.
Nga ana tjetër në parlamentin e Shqipërisë Veliaj u përball me Berishën dhe më pas publikisht u agresua dhe nga i biri i tij për gjëra private. Ndryshe nga ç’pritej Veliaj ishte agresiv në përgjigjet ndaj Berishës, i cili siç bën rëndom, hapi librin e shtëpisë dhe u mor me nënën e Erionit, dasmën e tij. Ndërsa i biri me një gjuhë dhe më arrogante u mor edhe me faktin që Veliaj është rritur keq, ngaqë nuk ka patur fatin e Shkëlzenit.
Diferenca e parë që krijon nisja e fushatës është pikërisht kjo. Debati për kandidatin e opozitës zhvillohet mes dy liderëve kundërshtarë, njëri e sulmon e tjetri e mbron, ndërsa Veliaj është përfshirë vet në debat direkt me Familjen Berisha.
Nuk dua të ndalem tek cilësia e debatit me familjen Berisha dhe alergjia kombëtare që ngjall i biri i tij, kur flet për jetën e tij me fat si i biri i Berishës dhe akoma më shumë për jetën e tij private.
Por nëse kjo fushatë ka një rrezik real për shumicën, është mungesa e partnerit për debat. Doktor Halimi nuk është personi i duhur me të cilin mund të bësh debat. Ai nuk ka as qëndrim politik, as përgjegjësi politike dhe as ndonjë fjalor politik në fushatën e tij. Kush e ka ndjekur këto ditë, ai më shumë u kujton pjesëmarrësve si kanë lindur në maternitet dhe sa kilogramë kanë qenë, sesa çfarë do të bëjë me Tiranën. Dhe në këtë pikë ai është një kundërshtar i lodhshëm, pasi nuk ke me kë debaton.
Veliaj, i cili vjen nga politika dhe është i prerë për një fushatë politike, në këtë rast mund të gjejë shpëtim vetëm nëse përfshihet në debat politik me Berishën, familjen e tij dhe Bashën. Vetëm kjo mund t’i rrisë pikët tek mbështetësit e vet që ta shikojnë si figurë politike. Debati me doktor Halimin nuk funksionon as politikisht dhe as teknikisht. Për këtë arsye debatin në emër të tij e ka marrë përsipër Basha, ndërsa sulmin në emër të tij e ka marrë përsipër Berisha.
Opozita nuk ka zgjidhje tjetër veç kësaj, pasi ka zgjedhur atë kandidat, por kjo nga ana tjetër është zgjidhja më e mirë edhe për Veliaj. Rreziku real për të, është t’i shmangin debatin politik. Kështu si ka nisur, është më e lehtë për të.
Debati i sotëm me familjen Berisha, edhe pse u bë personal për shkak të zakonit të Berishës të përmende edhe gjyshen, bëhet i ndjeshëm për publikun sa herë fut hundët i biri i tij, i cili ngelet figura më e urryer e pushtetit të Berishës, jo vetëm pse ishte taksidari i madh i pushtetit të tij, por dhe sepse në emër të taksave të tij u vranë 26 vet dhe ai ende nuk është thirrur të dëshmojë. Arroganca e tij karshi shqiptarëve pas ikjes nga pushteti, milionat që pastrohen me dyqane brekësh luksoze në bllok nga e dashura e tij e re dhe karshillëku për të mos pasur frikë nga drejtësia ngaqë e ka ende nën kontroll i ati, e bëjnë atë një kundërshtarë që duhet ta paguash ta kesh përballë. Në këtë pikë fushate, që sot duket se nisi realisht, i iku rrezikut të ishte jo politike. Të jesh në fushatë duke pasur përballë si kritikues Shkëlzenin dhe Saliun dhe si avokat të kundërshtarit tënd Bashën, në një farë mënyre është fat i mirë. Rreziku i një fushate pa debat politik po kalon dhe mund të themi pa frikë se fitorja e parë e Veliajt është që tërhoqi Berishën në fushëbetejë.
Gazeta "Tema"