Rrufeja që godet Ramën nga Italia

Nga Artur Zheji
Është shumë e qartë se goditja më e madhe e pushtetit të Ramës erdhi nga Italia e kryeministrit Gentiloni. Sigurisht autorizimi për të botuar përgjimet dhe hetimet që bënë pluhur për 24 orë, ngrehinën e Ministrisë së Brendshme shqiptare, duke zbuluar në zemër të saj, kupolën e kontrollit kombëtar të trafikut të drogës, mund të ketë argumentime të ndryshme.

Por e vërteta mbetet, përgjimet janë të sakta dhe është zbuluar veçse maja e ajsbergut, e punës sistematike të Policisë dhe shërbimeve inteligjente italiane, e përballuar e vetme dhe në heshtje me sinkronizimit mafioz në të dy brigjet e Adriatikut.

Italia dhe paralajmërimet e saja, në qeverinë Rama dhe jo vetëm, ka qenë e harruara e madhe në shumë drejtime.

Së pari bregdeti adriatik Italian ka përbërë portën hyrëse të shumicës së drogës “made in Albania” apo e tranzituar përmes nesh, duke vuajtur realisht një trysni të jashtë zakonshme dhe përmbytjen me lëndë të parë, drogëra të të gjitha llojeve, për organizatat mafioze të atjeshme.

Së dyti, qeverisja e deritashme, e dehur nga “heshtja” anglo-saksone, në lidhje me përmasat e kësaj dukurie, ka qenë e verbuar dhe krejt budallaqe, duke nënvleftësuar faktin që edhe Italia me “dolce vita”-n e saj, mikpritëse dhe me verërat dhe kuzhinën e saj fantastike, ka njëkohësisht edhe një shërbim inteligjent të dorës së parë.

Të marrët e kupolës policieske dhe drejtuese të Tiranës, kanë kujtuar në mënyrë gati idiote se durimi Italian nuk do të kishte kufi dhe se selfiet brilante të paradokohshme të Ramës, me ish kryeministrin Italian Matteo Renzi, do të ishin një mburojë e përjetshme dhe e paprekshme, për të pushtuar nën këtë mburojë trojet italiane me vërshime trafiku. Deklaratat ulëritëse të Prokurorit të Përgjithshëm anti-mafia Franco Roberti, kaluan në vesh të shurdhër pamvarsisht se u përsëritën disa herë, në Tiranë dhe në Itali.

Franco Roberti u përqesh në heshtje për të disatën herë nga autoritetet shqiptare, të idiotizuara nga lumi i pashtershëm i eurove, që vinte në mënyrë të nëndheshme nga mafia italiane, një blerëse e gëzuar dhe plot fitime nga “plaçka” shqiptare.

Shumëkush në kupolën qeverisëse shqiptare, ka ngatërruar mënyrat shumë të sjellshme të autoriteteve italiane, butësinë dhe ngrohtësinë e tyre Mesdhetare, si një mungesë fuqie apo si një tolerim në heshtje, për çfarëdo marrëzie që vjen nga Shqipëria.

Të përqendruar vetëm te burokracia e Brukselit apo te vizionet gjeopolitike të Berlinit, si edhe te dashamirësia e tepruar e ambasadës Usa, marrëzisë shqiptare të drogës, ju duk vetja një shqiponjë e pandalshme dhe e padukshme, që nuk le gjurmë dhe që nuk do të ketë pasoja.

Por goditja erdhi pikërisht andej nga ku pritej më pak, pikërisht nga Italia dhe nga shërbimet inteligjente italiane, që duket sikur çmenden vetëm për peshkun e egër shqiptar, për iriqët, guaskat, molusket dhe bukuroshet e nxehta shqiptare, një zbulim mbi 25 vjeçar i tyre.
Tani pason shkërmoqja e sistemit dhe fillon fundi i një marrëzie, që synonte përmes drogës dhe trafikut të saj, të pasuronte me 1000 fish një klasë të mbaruar politike, nga idetë, qëllimet dhe aftësitë qeverisëse./360grade.al/

SHKARKO APP