Rrymat politike shqiptare, mars-qershor 1913
Nga Heral A. Saraçi
Më 28 Mars 1913 mbërriti në Vlorë kandindati për fronin e Shqipërisë, Duka Ferdinand Montpensier.
Ardhja e dukës ishte shenja se bllokada e Greqisë ndaj Vlorës ishte hequr. Ismail Qemali zhvilloi bisedime konfedenciale me dukën Montpensier. Nga ana tjetër ai mendoi ta shfrytëzonte jahtin për të ndërmarrë një udhëtim me qëllim mbrojtjen para Evropës të çështjes shqiptare që kërcënohej rëndë. Ismail Qemali ishte i vendosur të ecte në rrugën e tij megjithëse anëtarë të Qeverisë ishin kundër këtij hapi të Kryeministrit. Në të vërtetë krijohen dy grupime në qeveri njëri i kryesuar nga vetë Ismail Qemali ndërsa tjetri që mendonte se më parësore ishte qëndrimi i tij në Shqipëri për të mbajtur rendin dhe unitetin. Ndërmjet palëve nuk pati mirëkuptim, Ismail Qemali i shoqëruar nga dy djemt e tij, Ethemi e Qazimi, ministri i arsimit Luigj Gurakuqi, Isa Boletini me njërin nga djemtë u nisën drejt Italisë ndërsa Mit’hat Frashëri, Abdi Toptani dhe Nikollë Kaçorrin ndoqën njëri tjetrin me dorëheqjet e tyre. Në qeveri “…. me zëvendësimin e Ismail Qemal beut si kryeministër u ngarkua myftiu i Dibrës dhe Ministria e Jashtme iu ngarkua Ministrit të Brendshëm Myfit bej Libohovës”.
Përveç të dhënave të mësipërme konsulli austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, raporton se një grup bejlerësh “jashtë qeverisë që nën kryesinë e Eqerem bej Vlorës[i] formojnë si të thuash opozitën që gjendeshin në këtë kohë kritike në Fier …..”. Siç shihet fundi i marsit solli çështjen e prioriteteve të qeverisë shqiptare, veprime në planin e brendshëm apo në atë të jashtëm? Ismail Qemali i drejtohet me këto fjalë prefekturave përpara nisjes nga Vlora: “Për arsye se disa çështje të Atdheut kanë mbetur varur, më duhet të vete përkohësisht në Europë, të mbroj të drejtat tona kombëtare ……. Qeverisja ….. iu ngarkua Kryetarit të Këshillit Kombëtar Hirësisë së Tij Vehbi Efendiut. Ju porosis t’i zbatoni mirë urdhërat e Këshillit ……. Të përpiqeni më shumë nga çdo herë tjetër për të ruajtur qetësinë”. Ismail Qemali duke u nisur në Evropë përfshihet vetë drejtpërsëdrejti në politikën e jashtme, lobimin për çështjen e atdheut ndërkohë që në rrafshin e brendshëm përcakton dy pika: së pari zbatimin e urdhërave të Këshillit të Ministrave prej prefekturave dhe së dyti ruajtjen e qetësisë publike. Qëndrimi i politikanëve ministra ishte për moslargimin e tij nga Vlora. Mospajtimi i qëndrimeve ndërmjet Ismail Qemalit dhe tre ministrave për përparësinë ndërmjet dy politikave shkaktoi dhe krizën e parë qeveritare në historinë e shtetit shqiptar.
Nga ana tjetër Ismail Qemali me emërimin i Vehbi Agollit, ish-kryetarit të Pleqësisë në krye të qeverisë synonte forcimin e institucioneve të qeverisë me një personalitet fetar dhe politik për të mbushur zbrazëtinë e krijuar pas ndërprerjes së funksionimit të këtij organi. Ndërkohë, kjo lëvizje politike e rriste dhe më shumë dallimin me grupimin e përkrahësve të ish-zëvendëskryetarit të Pleqësisë, Eqerem Vlorën. Kjo krizë që dëshmon shkëputjenë e tre politikanëve shqiptarë nga Qeveria e Vlorës shpreh dhe dallimin e rrymave ekzistuse që ishin të përfshira në qeveri. Kështu largohen tre politikanë profesionistë, një përfaqësues i bejlerëve të Tiranës, Abdi Toptani, një përfaqësues i katolicizmit, zëvendëspeshkopi i Durrësit, Nikollë Kaçorri dhe i treti përfaqësues i familjes Frashëri, Mithat Frashëri.
Por lëvizjet politike shqiptare vazhduan edhe më me vrull. Konsulli Lejhanec në telegrafin e datës 16 prillit 1913 jep një tabllo edhe më të gjerë të atyre personave që konsiderohen si grupi i bejlerëve jashtë qeverisë. Sipas tij ata janë Fazil pashë Toptanin, Masar be Toptanin, mons. Nikoll Kaçorri dhe Murad bej Toptanin kundërshtarë të Ismail Qemalit të cilët kërkojnë ta luftojnë atë në marrëveshje me qeverinë austro-hungareze. Këtë qëllim të tyre e dinë edhe Eqerem bej Vlora dhe Eqerem be Libohova[ii]. Shihet se këtij grupimi bejlerësh, Toptani-Vlora-Libohova i është bashkuar edhe Nikollë Kaçorri, fytyra politike e katolicizmit shqiptar. Eqerem Vlora shfaqet si një figurë kyçe e këtij grupimi ndonëse 26 vjeçar.
Ndërmjet dorëzimit të Janinës dhe të Shkodrës politika e brendshme shqiptare kishte pësuar krizën e parë politike qeveritare.
Më 23 prill Esat Toptani i dorëzoi Malit të Zi Shkodrën. Në përgjithësi dorëzimi i Shkodrës konsiderohet tradhëti e Esadit por ai në këtë rast si dhe në të tjerë më herët a më vonë bëri politikë. Shkodra iu dorëzua Malit të Zi pasi Konferenca e Ambasadorëve në Londrër, më 22 Mars kishte vendosur për kufirin verior dhe lindor të Shqipërisë. Në këtë vendim ishte caktuar se ky qytet i përkiste Shqipërisë. Veprimi i dorëzimit të qytetit, krejt ndryshe nga rezistenca disa mujore për mbrojtjen e tij nuk ishte as heroik dhe as i lavdishëm. Në të vërtetë mund ta konsiderojmë një shembull i ndërthuejes së politikës së jashtme me atë të brendëshme ku një politikan shqiptar bën dallimin. Ndoshta Esadi me dorëzimin e Shkodrës u shiti malazezëve 3 javë lavdie për t’i kujtuar në librat e historisë. Vetë u largua nga Shkodra me një marrëveshje e cila niste me fjalët “Essad Pasha mbasi u mor vesh me Princ Danilon, Kryesundimtarin e ushtrisë malazeze për rënien e qytetit në dorë të Malit të Zi e mbas vendimeve që bënë bashkë lajmëroi me një herë të gjithë përfaqësuesit e fuqive të Mëdha me këtë letër që po e përshkruajm më poshtë: “As Mali i Zi dhe as zëvendësvaliu turk Esad pasha nuk e kishin në dorë fatin e qytetit për këtë arsye pse mos të merreshin vesh ballkançe me njëri tjetrin në mënyrë që të nxirrnin përfitime nga lufta? Kështu të dy bashkë “lajmëroi me një herë të gjithë përfaqësuesit e fuqive të mëdha”. Me marrëveshjen prej 15 pika Esadi merrte me vete të gjithë ushtatët, nizam dhe redif së bashku me armatim (armët automatike dhe topat), dokumentat ushtarak dhe ushqime. Mali i Zi e siguronte Esadin se asnjë ndëshkim nuk do të jepej ndaj personave që kishin marrë pjesë në luftë. Kjo do të thoshte mosndëshkimin e banorëve të Shkodrës që mbeteshin nën Malin e Zi. Në vazhdim të kushteve të dorëzimit ushtria shqiptaro-turke do të përcillej prej një gjenerali dhe disa oficerësh malazezë. Marrëveshja e nënshkruar nga Kryekomandanti i ushtrisë malazeze Princi Danilo dhe Zëvendësi i Valiut e sundimtari i ushtrisë në Shkodër, Esadi, gjeneral brigade, më datë 23 prill 1913 në të vërtetë ishte fillimi i një politike të re nga një faktor, rrymë a politikan shqiptar, Esad Toptani. Nuk përjashtojmë që marrëveshja e Esadit me Malin e Zi kishte edhe anën e padukshme të saj. Sipas delegatit malazes në Komisionin Financiar në Paris ndërmjet Kral Nikollës dhe Esadit ishte bërë një pakt i fshehtë sipas të cilit ai jo vetëm e kishte dorëzuar qytetin dhe kishte siguruar daljen e lirë të ushtrive por edhe ndihmën e Malit të Zi për të hipur në fronin e Shqipërisë[iii]. Nëse deri dje ai kishte luftuar si turk në përfundim të betejës së bashku me trupat turke largohej nga Shkodra duke fituar bashkëpunimin e Malit të Zi. Cila mund të ishte llogaria politike e Esadit? Proturk, promalazes, Shkodra i mbetej Shqipërisë, një lavdi e paplotë por i fuqishëm për çdo sfidë të ardhme politike. A nuk i kishin thënë pak muaj më parë se “ ……. i lihet ndërgjegjes së Zotnis Suaj fisnike që të marrë, për ballë kësaj gjëndjeje, një qëndrim simbas nevojës së vendit e nderit kombëtar.”[iv] Esadi, me ndërgjegjen e tij po i drejtohej vendlindjes me një ushtri prej 15.000 ushtarësh turq dhe shqiptarë. Askush në politikën shqiptare nuk ishte në të tilla kushte në përfundim të Luftës së parë Ballkanike. Të gjithë ishin në pritje se çfarë kishte ndërmend të bënte Esadi? Me aq njerëz nën urdhër ai ishte i plotfuqishëm për të bërë gjithshka në Shqipëri. Në ditët pas dorëzimit të Shkodrës, Ministri i Jashtëm i Perandorisë Ruse, Sazanov i tha ambasadorit italian në San Petërburg se “Esadi ishte një vali i mirë për Shqipërinë”.
Trupat malazeze nën presionin e fuqive ndërkombëtare u detyruan të largohen nga Shkodra më 14 Maj 1913. Kjo tërheqje plotësonte largimin e ushtrive të shteteve ballkanike në veri dhe qendër të Shqipërisë që kishte nisur në fillim të prillit me tërheqjen e ushtrive serbe fillimisht nga Shkodra e më pas nga Durrësi, Tirana, Kavaja, Elbasani etj.
Lirimi i Shqipërisë së Mesme nga ushtritë serbe krijonte rrethana për zhvillimin e një politike të brendshme të rrymave të ndryshme politike vendase me synim shtrirjen dhe sendërtimin e mëtejshëm të shtetit shqiptar.
Paria vendore e Durrësit prej 16 vetësh më datë 21 prill 1913 njofton Kryesinë e Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës se kishte formuar Qeverinë e Pavarur të Shqipërisë dhe në krye të prefekturës me unanimitet kishte emëruar Hamid Toptanin (Hamit bej Toptani). E njëjta rrethanë vihet re dhe pak ditë më pas në Elbasan. Me telegramin e datës 4 maj 1913 Aqif Biçaku (Aqif pashë Elbasani; Aqif pashë Biçakçiu), Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Elbasanit duke përmendur krijimin e komisionit qeveritar nacional në Elbasan njofton parinë e kazasë së Gramshit dhe asaj të Peqinit për të formuar provizorisht komisionet qeveritarë në ato vende.[v] Ndërkohë që në një çast pak më të vonshëm, më datë 6 maj 1913, Aqif Biçaku nënshkruan si prefekt i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës në telegramin që i dërgon Esadit. Vihet re bashkëpunim dhe mirëdashje ndërmjet qendrave të Shqipërisë së Mesme. Refik Toptani (Refik bej Toptani) Kryetar i Qeverisë së Tiranës[vi] dhe Hamdi Toptani nga Durrësi përgëzojnë Aqif Biçakun për formimin e Qeverisë së Elbasanit. Veprimtaria atdhetare e parive të Durrësit, Tiranës dhe Elbasanit është shembull i shpirtit kombëtar të këtyre qyteteve të përfaqësuar nga Hamit Toptani, Refik Toptani dhe Aqif Biçaku.
Në këtë çast përveç prefekturës së Beratit ku ishte vendosur selia e qeverisë qendrore, në Vlorë, territori shqiptar zmadhohet edhe me dy prefektura të tjera atë të Durrësit dhe të Elbasanit të cilat me konfirmimin në detyrë të Aqif Biçakut dhe Hamid Toptanit përfshihen në strukturën administrative të shtetit shqiptar. Ndërmjet muajve prill dhe maj 1913 kemi njëkohësisht bashkimin e organeve vendore (prefektura e Durrësit dhe Elbasanit) me ato qendrore në Vlorë por njëkohëshisht edhe formalizimin e këtyre dy rrymave politike në institucionet shqiptare. Në Durrës dhe Tiranë shfaqet oxhaku i Toptanësve me Hamitin dhe Refikun duke bërë të dallueshme në këtë mënyrë rrymën e bejlerëve toptanas në politikën e brendshme shqiptare.
Në këtë çast dhe Elbasani shfaqet rrymë politike e përfaqësuar nga Aqif Biçaku i cili ishte zgjedhur nga paria e atij qyteti ku bejlerët e të dy oxhaqeve Biçaku dhe Vërlaci ishin në mirëkuptim për kreun e qeverisë.
Duket se punët po ecin mbarë dhe të gjithë ishin në një mendje. Në këtë valë gëzimi të Shqipërisë së Mesme, Esadi me ushtrinë e tij mbërrin në Tiranë dhe e përcakton veprimtarinë e tij politike të më tejshme duke i njoftuar kazatë e prefekturës se ai është për decentalizimin e perandorisë. Ai vazhdon më tej politikën e tij proturke duke ulur flamurin kombëtar shqiptar dhe duke valuar atë perandorak osman.[vii] Një qëndrim i tillë politik antikombëtar ishte një kthim mbrapa në politikën shqiptare por Esadi e mbante ende gradën e gjeneralit të brigadës së ushtrisë osmane. Rrethanat në të cilat ndodheshin shqiptarët në majin e vitit 1913 ishin ato sendërtuese dhe mëkëmbëse të shtetit kombëtar dhe jo ato të gusht-tetorit 1912 për të drejta në kuadër të një vilajeti të decentalizuar të Perandorisë Osmane. Esadi bënte politikë si me flamurin kombëtar dhe me hamendjen e rivalëve të tij politikë. Në të vërtetë loja politike sapo kishte nisur. Kishte qenë Aqif Biçaku që për t’i matur pulsin apo duke besuar në gadishmërinë e tij patriotike ashtu si ajo e bejlerëve të tjerë toptanas, Hamiti dhe Refiku, i kishte kërkuar 300 mauzerë me municion për të armatosur batalionin e xhandarëmërisë që po krijohej në Elbasan. Çështja shtrohej a do të përfshihej komandanti i koll-ordhisë turke Esadi në politikën shqiptare? A do të përshihej Esadi në institucionet shtetërore shqiptare? Nëse jo, ai shumë mirë mund të largohej për në Turqi bashkë me trupat e tij. Nëse po, si?
Esadi e vazhdoi punën e tij me organizimin e administratës me qëllim forcimin e pushtetit të tij. Për të forcuar veten dhe më tepër në një plan më të gjërë ai organizoi në Krujë një kuvend në të cilin ftojë përfaqësues të trevave të Shqipërisë së Mesme. Aty morën pjesë delegatët e Durrësit, Kavajës, Tiranës, Leshit dhe Kurbinit. Nënprefekti i Tiranës dhe njëkohësisht myftiu i qytetit Musa Qazimi, bashkëluftëtar me Esadin në mbrojtje të Shkodrës parashtroi në takim tre pika të cilat ishin:
- Të zgjidhet nga mbretëritë një princ, që të njohi gjëndjen tonë të përgjithshme.
- Kruja, meqë ka rëndësi historike dhe meqë ndodhet në mes të Shqipërisë, të caktohet si kryeqytet.
- Për të siguruar qetësinë dhe rregullin në Gegëri, deri sa të vijë princi, Esad Pasha të zgjidhet provizorisht kryetar i Qeverisë dhe t’i lutemi që këtë detyrë ta pranojë.
Hamdi Toptani, prefekti i Durrësit është ai që e njofton Aqif Biçakun për kuvendin e mbledhur në Krujë. Duket qartë se edhe bejlerët toptanas nuk janë në një mendje me Esad Toptanin. Me qeverinë qendrore apo më vete, centralistë apo partikularistë? Edhe pjesëmarja në Kongres nuk ishte e tillë që të ndryshonte peshoren e grupimeve politike. Ishte muaji maj. Ende pushteti qendron me administratën e tij nuk ishte shtrirë në territoret e sapo liruara nga ushtritë serbe. Por kjo sjellje ishte në kurriz të Shqipërisë, ishte kundër bashkimit kombëtar. Dhelpërake është edhe sjellja e Esadit i cili nuk merr pjesë në kuvend. Në fakt aty janë dy njerëzit e tij besnikë myftiu Musa Qazimi shok i qëndresës së Shkodrës dhe Tefik Mandiqi ish-drejtori i korrespondencës i sanxhakut të Durrësit. Esadi në këtë çast qëndron një hap larg skenës së theatrit duke u gjendur si i paditur ndaj kërkesës së kuvendit për ta zgjedhur provizorisht Kryetar Qeverie. Për këtë propozim anëtarët e kuvendit u ballafaquan me njëri tjetrin. Abdi Toptani, delegatët e Durrësit dhe prifti katolik në kuvend ishin kundër tre pikave. Flamuri kombëtar u ngrit në Krujë dhe kuvendi u shpërnda pa arritur ndonjë vendim të përbashkët. Duket se kundër Esadit nga bejlerët toptanas nuk ishte vetëm Hamiti por edhe Abdiu ish-ministri i Qeverisë së Vlorës deri më mars 1913. Ky i shqetësuar për lëvizjen individualiste të Esadit kërkon të gjejë zgjidhje dhe niset për në Vlorë.
Brenda një muaji shohim një zhvillim të rrymës politike të Esad Toptanit. Fillimisht ai niset nga një prag politik i kapërcyer nga 28 Nëntori 1912. Vjen në Tiranë ngre flamurin osman dhe shpall decentralizimin. Në Krujën e Skënderbeut, jo ai vetë por ithtarët e tij shprehen për princ, por me kusht që ai të mos ishte çdokush por ta njihte gjendjen e përgjithshme të shqipëtarëve. Ky deklarim më tepër se cilitdo kandidati i shkonte përshtat vetë Esadit aq më tepër që në pikën e tretë të programit kërkohet edhe ngritja e qeverisë provizore prej tij. Duke mos u shpallur për një princ osman në të vërtetë esadizmi ndyshon qëndrim fillestar duke lëvizur në drejtim të princit oksidental megjithëse nuk e përcakton atë. Vetë ngritja e flamurit kombëtar në Krujë është shkëputje nga Turqia dhe përsëri një përshfaqe politike esadiste oksidentale. E në këtë hap me të bashkohet dhe kleriku mysliman Musa Qazimi i cili në ngjarjet e mëvonshme do të ketë një rol të dalluar. Pika e tretë e kuvendit, ngritja e qeverisë në Gegëri është prova e kundërshtimit të tij për bashkëpunim me rrymat e tjera politike. Në këtë veprimtari politike të Esadit është e qartë se ai e nuk njeh Qeverinë e Përkohshme të Vlorës megjithëse nuk e shprehet haptazi.
Politika esadiste jep shenjat e saj dhe në Prefekturën e Elbasanit. Nga Peqini, Kadri Bonati (Kadri bej Bonati), i biri i Demir Bonatit (Demir pashë Bonati) shkoi në Krujë në përkrahje të Esadit. Dervish Biçaku (Dervish bej Biçaku) ishte treguar i gatshëm për tu bashkuar me Esadin përpara se të zhvillohej kongresi i Krujës. Ai ishte duke provuar forcat dhe mundësitë për një veprimtari të mëtejshme. Në fund të muajit maj Esadi kërkoi të hynte në lidhje me Vjenën por ajo iu përgjigj se pranonte Qeverinë e Vlorës si përfaqësuese të gjithë Shqipërisë. Në qershor u vendos tërheqja e trupave turke kështu që forca ushtarake e Esadit u përgjysmua.
* * *
Po e vazhdojmë shtjellimin tonë duke dhënë më parë një pasqyrë të veprimtarisë së Qeveverisë së përkohshme të Vlorës për të gjithë përiudhën maj 1913 – janar 1914 si shtylla qëndrore e veprimtarisë institucionale shtetërore shqiptare rreth së cilës u përfshinë më shumë a më pak të gjitha rrymat politike të kohës. Këtë paraqitje po e bëjmë duke i qëndruar besnikë tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar. Në këtë mënyrë synojmë të shpjegojmë edhe rrymat politike të lidhura me veprimtarinë e Qeverisë së Përkohshme shqiptare me seli në Vlorë. Shkurtimisht pikat kryesore të veprimtarisë së saj janë:
- Në muajt maj-qershor qeveria e shtrin pushtetin administrativ në Shqipërinë e Mesme.
- Masat administrative ligjore:
Në qershor 1913 u ngrit organi ushtarak me emërtimin “Zyra e Shtatmadhorisë” dhe u hartua “Rregullorja e Milicisë Shqiptare”. Milicia që do të krijohej kishte detyrë të mbronte vendin deri sa të krijohej ushtria e rregullt.
U ngritën komisione për studimin e organizimit të drejtësisë, xhandarmërisë dhe policisë.
U shpall shqipja gjuhë zyrtare. Njohja e “gjuhës amtare me shkrim dhe këndim” vihej si kusht i domosdoshëm për emërimin e nëpunësve.
Në fushën e organizimit të sistemit gjyqësor, në maj 1913 qeveria e përkohshme vendosi të liheshin në fuqi ligjet dhe aktet normative të kohës së sundimit osman.
U vendos shkëputja e drejtësisë nga feja. U vendos që çështjet penale dhe civile të gjykoheshin nga gjykatat shtetërore.
Çështjet me karakter fetar do të gjykoheshin nga gjyqet e sheriatit me në krye myftinjtë.
U caktua Kadiu dhe Myftiu i Përgjithshëm pa pëlqimin e Stambollit gjë që hapte rrugën për shkëputje nga Kalifati.
U miratua “Kanuni i përtashëm i administratës civile të Shqipërisë” që u botua në fundin e nëntorit 1913.
Masat ekonomike e financiare
Të ardhurat fiskale të siguruara nga shteti osman dhe ato që do të mblidheshin t’i kalonin shtetit shqiptar.
U bë likujdimi i Bankës Bujqësore turke në Shqipëri.
Nisën përpjekjet për ngritjen e një Banke Kombëtare. Në tetor u nënshkrua marrëveshja koncesionare për krijimin e “Bankës Kombëtare Shqiptare”, me kapital austro-italian për një afat 60 vjetësh.
Qeveria ndërmori mbledhjen e tagrit doganor. Autoriteti doganor administroi doganën e Vlorës dhe të Durrësit.
Burime të tjera financiare shërbyen detyrimet fiskale në dobi të shtetit si e dhjeta nga prodhimet bujqësore dhe xhelepi nga bagëtitë e imta. Qeveria hoqi shtesën prej 6% të xhelepit që ishte vendosur prej administratës osmane për nevoja ushtarake.
Qeveria mendonte që industrinë dhe komunikacionin ta zhvillonte nëpërmjet marrëveshjeve të koncesioneve.
Qeverisë iu desh të trajtonte edhe çështjen agrare. Masa e parë që mori ishte kalimi i çifligjeve të shtetit në duart e veta. I. Qemali më 21 tetor 1913 premtoi se kabineti i tij do të merrte “çdo masë që të mos mbetej kurrë shqiptari pa qenë zot i tokës”.
- Masat kulturore
Çështja e arësimit ishte në vëmendje të qeverisë gjithashtu. Shqipëria kishte 250 shkolla fillore dhe disa dhjetëra plotore. Objektivi i qeverisë ishte hedhja e themeleve të një sistemi arsimor me frymë kombëtare laike.
Ministria e Arsimit ngriti një komision, i cili do të merrej me hartimin e terminologjisë shqipe për degët e ndryshme të administratës, të arsimit dhe të sferave të tjera të jetës së vendit. Komisioni filloi nga puna në qershor 1913.
Në nëntor u vendos të ngrihej edhe një qendër shkencore për studimin e gjuhës amtare të programeve dhe të teksteve shkollore.
Ministria e Arsimit organizoi kurse për nëpunësit për të njohur gjuhën shqipe me shkrim dhe lexim.
Siç të shihet gjatë veprimtarisë 14 mujore të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës mund të flitet për një politikë institucionale shtetërore që mbetet në kuadrin e themelimit dhe konsolidimit por për politika të veçanta institucionale në fusha specifike jemi të vetëdijshëm se vendi gjendej në hapat e parë të projekteve dhe zbatimit.
* * *
Siç e kemi thënë dhe më lart largimi i ushtrisë pushtuese serbe nga Shqipëria e Mesme krijoi mundësi për zhvillime të brendshme politike. Me telegramin e datës 4 maj 1913 Aqif Biçaku, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Elbasanit duke shënuar krijimin e komisionit qeveritar nacional në Elbasan dhe fillimin e punës në emër të perëndisë i shkruan Gramshit dhe Peqinit për formimin e komisioneve qeveritare dhe ruajtjen e rendit publik në ato vende. Dy ditë më vonë Aqifi me cilësinë e prefektit të Elbasanit i drejtohet Esad Toptanit me kërkesën për 300 mauzerë me synim për të formuar batalionin e xhandarmërisë. Këto telegrame janë interesantë se ndërsa shënojnë nga lart poshtë të tre nivelet e pushtetit shtetëror qeveri qendrore, prefektura e Elbasanit dhe qeveri vendore (kazat e Gramshit dhe Peqinit) japin dhe përfytyrimin e Aqif Biçakut për funksionimin e pushtetit shtetëror nga qendra në rrethina. Sipas Aqifit “Deri sa të bëhet organizimi nga ana e Qeverisë Qëndrore të Shqipërisë …. këtu (në Elbasan) u formua një komision qeveritar nacional dhe në emër të Perëndisë filloi nga puna. Jeni të lutur edhe ju të zgjidhni nga parësia e popullit njerës të përshtatshëm dhe të formoni provizorisht një komision qeveritar nacional”. Pra, organizimi nga Qeveria qendrore ende nuk ka nisur ndërkohë Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Elbasanit (ish-Sanxhaku osman i Elbasanit), po e ndërmerr këtë hap me nismën e tij duke iu drejtuar strukturave vendore ish-osmane (kazasë së Gramshit dhe Peqinit) që tradicionalist kanë qenë në varësi të Elbasanit. Fjalët e Aqif Biçakut janë të zgjedhura “në emër të Perëndisë”, “jeni të lutur edhe Ju ……”, “Lutemi përpiquni”. Telegrami është një njoftim ndërmjet organesh vendore në krijim ku ai i Elbasanit duke përmendur perëndinë i lutet Gramshit dhe Peqinit për të vepruar nën shembullin e tij. Në këtë fazë organet qeveritare sythe nuk kanë asnjë autoritet ndaj njëra tjetrës dhe Elbasani nuk mundet të urdhërojë Gramshin dhe Peqinin. Këto organe vendore janë të pritje ….” të organizimit nga ana e Qeverisë Qendrore.
Veprimtaria institucionale politike e Aqif Biçakut vazhdon dhe më tej kur me telegramin e datës 7 maj 1913 duke parashikuar “Kur të vendoset mirë Qeveria e shenjtë kombëtare, natyrisht, do të bëhet dhe organizimi i duhur” përcakton hapat e duhura për të vënë në lëvizje administratën vendore. Konkretisht ato janë: punësimi i oficerëve, punësimi i xhandarëve, sigurimi i mjeteve financare me anë të taksës së vergjive, punësimi i nëpunësve për të trajtuar çështje të Sherisë, të drejtave civile dhe penale, emërimi i një noteri për çështjet tregtare. Pasi përshkruan këto domosdoshmëri për themelimin dhe vënien në punë të administratës vendore ai i kërkon Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Përkohshme që “Ju lutem keni mirësinë të më autorizoni t’i emëroj këta nëpunës provizorisht me një rrogë të arësyeshme”. Mbasi me përkushtim ka sugjeruar se çfarë duhet bërë për nisjen e punës të administratës vendore ai i kërkon autorizimin Qeverisë Qendrore për të emëruar nëpunësit. Në fund Aqif Biçaku nënshkruan Prefekt i Elbasanit. Më 7 maj është krijuar varësia Ministri e Brendshme – Prefektura e Elbasanit. Aqif pasha i konfirmuar nga qendra në detyrë po nis emërimin e nëpunësve të sektorëve të veçantë. Nëpunës titullarë të administratës vendore të Elbasanit Aqif pasha emëron Kryesekretar të Prefekturës Alush Saraçin (Rushdi Alush Saraçi) dhe Kryetar të Bashkisë Fuad Biçakun (Fuad bej Biçaku).
Në një telegram të dytë po të datës 7 maj 1913 Prefekti Aqif Biçaku vazhdon të informoi mbi organizimin e xhandarëmërisë dhe emërtimet e drejtuesve të saj Kamber Efendiu nga Elbasani dhe Ismail Haki Efendiut nga Delvina.
Në vazhdim të shkëmbimeve telegrafike më datë 19 maj njoftohet nga Elbasani drejt Vlorës se “Organizimi i financës u bë. Pas dy tri ditëve do të fillohet të nxirren të ardhurat. ……” dhe kërkohet emërimi i nëpunësve të drejtësisë nga ana e qendrës.
Organizimi institucional në Elbasan shënon edhe krijimin e një organi kolegjial në kuadër të prefekturës të sapothemeluar, Këshillin Administrativ. Ky organ i përbërë nga gjashtë anëtarë dhe një kryetar kishte kompetenca këshillimore dhe vendimmarrëse. Më datë 11 Qershor 1913 Këshilli Administrativ i Prefekturës bisedon dhe miraton rregulloren e xhandarmërisë së Elbasanit e cila ishte e përbërë nga dhjetë nene.
Siç shihet brenda një muaji paria e Prefekturës së Elbasanit me në krye Aqif Biçakun arrin të themeloi Prefekturën, Bashkin, Xhandarmërin, kazanë e Gramshit dhe Kazanë e Peqinit duke bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë e Përkohshme Shqiptare. Për këtë veprimtari Këshilli i Ministrave nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm, Myfit Libohovës e falenderon Prefektin e Elbasanit me Vendimin e datës 17 maj 1913.
Për sa më sipër jemi të mendimit se kemi përcaktuar një tjetër rrymë politike shqiptare të kohës. Rryma e Elbasanit e cila është konservatore. Figurë përfaqësuese e saj është Aqif Biçaku në detyrën e prefektit të asaj krahine. Interesant me këtë rrymë është se ndërsa vërtetohet ecuria e saj e shpejtë me formalizimin në qeverinë qendrore në planin vendor ajo ndesh në mosmarrveshje me rrymën rivale të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, rrymën e Esad Toptanit. Ky rivalitet në rradhë të parë është kombëtar. Qëndrimi i kësaj rryme ndaj Esadit përmblidhet me rasti e kuvendit të Krujës sipas të cilës “Elbasani, dhe sidomos Shkëlqesia e tij Aqif Pasha, këtë iniciativë e ka konsideruar si një paralajmërim që do të shkaktonte shkatërrimin e Shqipërisë. Aqif Pasha jo vetëm që kishte vendosur të mos aderonte në emër të Elbasanit, por kishte thënë se ne jemi me Qeverinë e Vlorës, prandaj duhet të mos u besojmë asnjëherë intrigave të Esad pashës, as premtimeve e propozimeve që mund t’u bëjë ai nesër apo pasnesër anëtarëve të Qeverisë së Vlorës. Në përgjigjen që do t’i jepte Aqif pasha, Esad pashës, paska për t’i thënë se mbledhja, d.m.th. kongresi, në qoftë se është për shpëtimin e Atdheut, duhet bërë në Vlorë që është kryeqendra”. Elbasani nuk mund të merrte pjesë në një kuvend ku do të caktohej kryeqyteti, do të emërohej kryetari i një qeverie rivale megjithëse aty do të ngrihej edhe flamuri kombëtar. Kombi shqiptar e kishte marrë një herë vendimin më 28 nëntor 1912. Ky qëndrim parimor i parisë elbasanase e kryesuar nga Aqif Biçaku pati pasoja për të ardhmen e qytetit por në sajë të këtij qëndrimi besnik ndaj pushtetit shtetëror, politikë cenralizuese, sot flasim për një histori 14 mujore të Qeverisë së Përkohshme shqiptare me qendër në Vlorë. Rivaliteti Aqif-Esad tregohet edhe në përplasjen që ndodhi në brendësi të parisë së prefekturës së Elbasanit ku Dervish Biçaku, Demir Bonati dhe Kadri Bonati u shkëputën prej saj dhe u bashkuan me Esad Toptanin.
* * *
Muaji maj i vitit 1913 në politikën e brendshme shqiptare do të sillte të reja dhe nga Prefektura e Beratit. Ndërmjet mytesarifit të asaj qendre Aziz Vrionit dhe Ministrit të Brendshëm Myfit Libohovës ndodhi një përplasje sa institucionale dhe po aq private.
Ministri i Brendshëm përjashtoi nga puna dy propagandistë grekë në Berat, drejtorin e shkollës Papajorgji dhe nëpunësin e regjisë së duhanit Bertodule. Aziz pasha kërkoi tërheqjen e urdhërit duke vënë në dukje përshtypjen e keqe që do të bënte tek banorët e krishterë të Beratit kjo masë. Meqë qeveria ngulmoi në zbatimin e urdhërit Aziz pashai dha dorëheqjen. Mufit beu pa hezituar e pranoi dorëheqjen e Aziz pashës dhe në vend të tij dërgoi Mehdi Frashërin (Mehdi bej Frashërin). Metropoli i Beratit, imzot Joahimi i drejtoi Qeverisë një lutje ku në emrin e banorëve të krishterë kërkonte që për virtytet e pashait sidomos në periudhën anarkike të lihej në funksionin e tij. Myfid beu iu përgjigj se me keqardhje ai ishte i detyruar të merrte parasysh dëshirën e pashait për tu larguar nga detyra sepse e shihte se midis tyre nuk kishte pajtim mendimesh. Sa për anarkinë që ekziston në vend sipas Myfidit, Qeveria Provizore qëndronte në pikëpamjen e saj se ajo do të pakësohej nëse secili bënte detyrën e tij dhe duhej që udhëheqësit të jepnin shembullin e mirë për respektimin e ligjeve të vendit. Ai qartësonte se sjellja Aziz Vrionit shpjegohej me marrëdhënien që ai kishte me Qeverinë Greke për rregullimin e një mosmarrveshje pasurie në Janinë. Vetë Myfidi për shkak të luftës kishte pësuar një dëm prej 70.000 lira nga rekuizimet e çifligjeve të tij në Gjirokastër dhe Janinë dhe nuk mund të toleronte që nëpunësat vartës të administratës të shtyrë nga interesa material të dëmtonin ato shtetërorë.
Kjo ngjarje është shembull i koklavitjes para së cilës ndodhej qeveria shqiptare. Ndërsa Myfiti kërkon të bëjë punë si atdhetar (nacionalist[viii]) shqiptar në goditje të propagandës greke në Berat ai përballet me kundërshtimin e kreut të oxhakut të Vrionëve që ishte njëkohësisht prefekt si dhe me kreun e kishës orthodhokse, Metropolin grek Joakim. Pushimi nga puna i dy nëpunësve propagandistë grekë ishte shumë i ndjeshëm për “anchient regime” në Berat. Pushteti qendror shqiptar po futej në sinuret vendore duke prishur atë status quo osmane fijet e së cilës kishin nisur të shkëputeshin institucionalisht që më 28 nëntor 1912. Ishte një shoqëri e tërë që në vorbullën e shekujve kishte krijuar një natyrë të sajën dhe që nuk e kuptonte dhe as që donte ta pranonte realitetin e ri kombëtar. Myfiti e di shumë mirë këtë sepse edhe ai është pjesë e saj megjithatë kërkon të bëjë një hap drejt ndryshimit me pushimin nga puna të dy propagandistave grekë, njëri punonjës i arsimi dhe tjetri tregtie. Në fakt gjendet përballë dy krerëve të Beratit njëri përfaqësues i feudalizmit lokal e tjetri i kishës greke. Myfiti brumë i brumit feudal, kreu i oxhakut të Arsllanpashalinjve të Janinës kishte kokën për t’ia dalë në krye punës së Ministrit të Brendshëm. Në humbjen materiale që kishte pësuar si nga rekuizimet greke dhe ato turke në Luftën e Janinës ai shikonte jo vetëm anën financiare por dhe copëtimin e trojeve kombëtare të cilat ishin të pushtuara nga Greqia përfshirë edhe vendlindjen e tij, Libohovën. Megjithatë, sekushi e dinte vetë se ku i pikonte çatia dhe Berati me hallet e tij nuk kishte faj as për Janinën dhe as për Libohovën. Në Berat punët rregulloheshin ndërmjet Aziz pashës dhe Mitropolitit Joahin. Sa për shtetin shqiptar Aziz Vrioni ishte vetë shteti shqiptar në Berat dhe mirëkuptimi që kishte me Metropolitin dhe të krishterët e qytetit ishte sa interes i tij aq edhe i pronave që kishte në Berat dhe Janinë.
Duhej mirëkuptim ndërmjet njerëzve që drejtonin Shqipërinë sepse ajo ishte shumë e vogël për tu ngrënë me njëri-tjetrin. Vetë qyteti i Vlorës ishte një kaza e sanxhakut të Beratit. A mund të trupohej shteti shqiptar pa mirëkuptimin e Myfit be Libohovës dhe të Aziz pashë Vrionit, pa bashkërendimin e Beratit me Vlorën? Azizi nuk mund të lihej i shkarkuar dhe as qejfprishur për dy propagandistë grekë të cilët edhe u larguan me polici nga Berati. Për t’i përkëdhelur sedrën e emëruan ministër të punëve botore në vendin e Mit’hat Frashërit.
Ngjarja që përshkruam përqas dy rryma të tjera politike të kohës tipike konservatore. Njëra është e grupimit të bejlerëve Vrionas të Beratit me në krye Aziz Vrionin ndërsa tjetra ajo e Myfit Libohovës. Të dy kanë qenë deputetë në parlamentin osman para vitit 1912, të dy përfaqësojnë dy oxhaqe feudale dhe të dy janë funksionarë të Qeverisë Shqiptare. Rasti i këtyre dy bejlerëve është ai i formalizimin të rrymave politike në institucionet e qeverisë së Vlorës duke nisur nga dhjetori 1912. Mosmarrëveshtja ministër – prefekt janë sa provë e vlerave të tyre kombëtare e po aq e rivalitetit feudal në qeveri.
* * *
Ndërkohë në brendësi të institucioneve të Qeverisë së Përkohshme në Vlorës vihet re dhe një lëvizje tjetër. Qeveria shpall lënien në fuqi të legjislacionit osman dhe riorganizon sistemin e organeve të drejtësisë. “Gjyqet civile dhe penale të ndara në dy degë më parë tani njësohen…….. Kadillëqet suprimohen dhe çështjet e sherisë shikohen nga zotërinjt e tyre myftijt. Domethënë se e drejta gjyqsore që kishin kadijt kalon tek myftijt…… Myftijtë që do t’emërohen si ndër nënprefektura ashtu dhe ai i qendrës së prefekturës do t’i propozohen nga ju (prefekti) Eminencës së tij Vehbi Efendiut, Shehislam i Shqipërisë. ….. “. Siç vihet re është një kohë e pandalshme pune. Po vihet në lëvizje e gjithë administrate civile dhe fetare e Shqipërisë. Në këtë veprimtari shtetërore për tu shënuar është emërimi i klerikut Vehbi Agolli në detyrën e Shehislamit. Ai heq dorë nga detyra e mëkëmbësit të kryetarit të Qeverisë Shqiptare i emëruar nga Kryeministri Ismail Qemalit në muajin Mars dhe emërohet në krye të hierarkisë myslimane shqiptare.
Në këtë rast rryma fetare, konservatore myslimane e përfaqësuar nga Vehbi Agolli përmbush objektivin e saj historik. Krijimi i institucionit të Shehislamit, dhe përfaqësimi i tij me një klerik dhe nëpunës të lartë shqiptar është arritje në pavarësimin shpirtëror të kombit shqiptar, vazhdim i pavarësisë kombëtare të 28 nëntorit 1912.
* * *
Me shtrirjen e administratës shtetërore përtej prefekturës së Beratit në drejtim të Elbasanit dhe Tiranës, me riorganizimin e sistemit të organeve të drejtësisë në Vlorë, me krijimin e institucionit të Shehislamit që kishte të drejtë për të emëruar myftinj në prefektura dhe nënprefektura, shteti shqiptar e kishte krijuar pushtetin qendror dhe strukturën e tij institucionale.
Shteti shqiptar më 23 Maj 1913 drejtohej nga:
Këshilli i Ministarve
Kryeministër Ismail Qemali
Mëkëmbësi i Kryetarit dhe Ministër i Luftës Mehmet Rushdi Drralla
Ministër i Brendshëm dhe Mëkëmbës Ministër i Jashtëm Myfid Libohova
Ministër i Drejtësisë Petro Poga
Ministër i Punëve Botore Aziz Vrion
Ministër i Arsimit Luigj Gurakuq
Ministër i Postë Telegrafës Lef Nosi
Ministër i Bujqësisë Pandeli Cali
Shehislam
Vehbi Agolli
Prefektë
Elbasan: Aqif Biçaku
Durrës: Hamdi Toptani
Berat: Mehdi Frashëri