Schulzi thyen dhëmbët te Merkeli
Sfiduesi nga SPD e akuzon kancelaren në intervistë televizive se “fluturon”. Kështu flet një njeri, të cilit i kanë mbaruar argumentat dhe i cili fshehtas është pajtuar me disfatën e tij, beson Marcel Fürstenau.
Fillimisht faktet – katër javë para zgjedhjeve parlamentare 2017: partitë unioniste CDU dhe CSU janë në anketime pak më poshtë se kuota e 40 përqindshit. Partia Socialdemokrate Gjermane sa e kalon 20 përqindshin. Në sondazhin më të fundit për tendencën në Gjermani, të kryer në 25 gusht, dueli përfundon 38:22 për kampin e Angela Merkelit. Pra sfiduesi i Merkelit, Martin Schulz ndodhet 16 pika dëshpëruese përqindjeje pas saj. Në këtë kuadër, secili nga kandidatët kryesorë të të dyja kampeve u dha kanaleve televizive ARD dhe ZDF intervista të veçanta për verën.
Megjithë prapambetjen konstante prej muajsh, Schulz-i mori pozicion luftarak në emisionin e ARD-së, “Informacion nga Berlini”. Gjë tjetër atij nuk i kishte mbetur. Por ai që dëgjoi me vëmendje, nuk qe në gjendje të zbulonte mesazhe të reja. Të mbahet qëndrim i fortë ndaj Turqisë, një pretencë për motorat me djegie në automjete, duke përfshirë edhe dizelin, arsim më të mirë. Të gjitha pozicione të njohura, të cilat në thelb mbrohen edhe nga partitë unioniste.
Te tema e sigurisë, Partitë unioniste vënë thekse
Me dëshpërim kërkon SPD, kërkon Schulz-i temë me të cilën të godasë. Por nuk ka të tillë, që të perceptohet edhe si e tillë në opinion. Kjo në një kohë kur partitë unioniste kanë përparësinë që me ministrin e Brendshëm Thomas de Maiziere (CDU) të bëjnë paraqitje veçanërisht të efektshme: të mërkurën e kaluar ai paraqiti projektin pilot për identifikimin automatik me anë të videokamerave në hapësirat publike të kriminelëve që dyshohen se kanë kryer vepra penale. Një ditë më pas ai ndaloi faqen ekstremiste të majtë në internet, linksunten.indymedia.org.
Nuk duhet të jetë rastësi, që të dyja ndodhën në fillim të fazës së nxehtë të fushatës elektorale. Që para pushimit veror të parlamentit, Merkeli pati shtruar si kalimthi rrugën për këtë, duke arritur që kundër rezistencave në partinë e vet – të arrihej legjitimimi me ligj i të ashtuquajturave martesa homoseksuale. Me këtë, socialdemokratët humbën temën e fundit me ngarkesë të veçantë emocionale, me të cilën mund ta vinin në presion Merkelin.
Kancelarja e shkëputur nga realiteti? Ka pak gjasa!
Dhe meqenëse Schulzit i ka mbaruar municioni në çështjet përmbajtësore, ai godet tani personalisht Merkelin. Njerëzit kanë përshtypjen se ajo “ka humbur kontaktin me realitetin”, se “fluturon” tha ai në intervistën televizive. Me të vërtetë? Po të qe kështu, sfiduesi do të qe më popullor se kancelarja. Fakt është e kundërta.
Shkurt: dikush, që e sheh se po lufton pa sukses për postin e kancelarit, dhe që e di këtë, përpiqet që ta kthejë timonin nga vetja me sulme personale ndaj mbajtëses së postit. Një përpjekje, e destinuar të dështojë. Përballë përparësisë së madhe që kanë partitë unioniste katër javë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Por edhe sepse shumica e njerëzve i refuzojnë sulme të tilla. Të paktën kur nuk shoqërohen me shembuj konkretë. Dhe këto shembuj Schulzi nuk i përmendi. Ndërsa Merkeli iu përgjigj në mënyrë sovrane sulmit të sfiduesit: “Besoj se unë përballem me njerëzit”, tha kancelarja në intervistën verore me emisionin e Berlinit, “Berlin direkt”.
Në 3 shtator do të pasojë e vetmja ndeshje e drejtpërdrejtë pikëpamjesh, e cila do të kryhet në televizion. Ajo gëzohet për duelin televiziv, tha Merkeli. Një pohim që mund t’ia besosh.