Serbia faktor (de)stabiliteti në rajon

Nga Ivica Petrovic

(Deutsche Welle)

Tërheqja e diplomatëve serbë nga Shkupi është komentuar në Beograd si përgjigje e Serbisë për përgjimin e diplomatëve serbë në Maqedoni si dhe mbështetjes së Kosovës në përpjekjet e saj për anëtarësim në Unesco. Por gati të gjitha shpjegimet serbe mund të përmblidhen me një fjali: “Vendimi është marrë pas njohurive për veprime ofensive ndaj organeve dhe institucioneve të Serbisë”. Edhe ministri i Jashtëm Ivica Daçiq u përpoq që të gjitha të mbeten në nivelin e sekreteve dhe spiunimeve, kur tha se “ne i dimë të gjitha – çfarë kanë vendosur, çfarë po bëjnë dhe çfarë do të bëjnë autoritetet maqedonase”. Dyshimet nuk i ka zgjidhur as paraqitja e presidentit Aleksandar Vuçiq në televizionin shtetëror, i cili tha se “Serbia i di të gjitha gjërat që ka bërë Maqedonia”. Ndërkohë që mediat serbe kanë raportuar me tituj shumë bombastikë si “Zaevi i ka shpallur luftë Serbisë”, “Vëllaçko Zaevi na futi thikën pas shpine”, “Maqedonasit kanë përgjuar madje edhe vet Vuçiqin”… Mediat serbe kanë cituar edhe liderin e Partisë Demokrate Serbe në Maqedoni Ivan Stoilkoviq, i cili thotë se “personeli i ambasadës serbe në Shkup është trajtuar sikur ai i ambasadës së Iranit”, ndërsa Irani konsiderohet si “sponsor i terrorizmit”.

Analistët thonë se të dy shkaqet mund të jenë shkas për keqësimin e gjendjes – përgjimet dhe Unesco. Eksperti Bojan Elek thotë për DW se përgjimet nuk janë një hap i jashtëzakonshëm, kur dihet se një agjent i BIA ishte pjesë e trazirave që kanë ndodhur në Parlamentin e Maqedonisë. Autoritetet e Serbisë pohojnë se këto përgjime janë drejtuar kundër Serbisë. Drejtori i Qendrës për Rajonalizim Aleksandar Popov, mendon se të gjitha këto ngjarje janë iracionale. “Kur bëhet fjalë për mbështetjen e anëtarësimit të Kosovës në Unesco, kjo është pasojë e njohjes së Kosovës, e Kosovën e ka njohur ish-kryeministri Gruevski, me të cilën edhe SNS e Serbisë ka pasur raporte të ngushta. Kosovën e kanë njohur edhe shumë vende të tjera, të cilat e mbështesin edheb anëtarësimin e saj në Unesco, por kundër tyre nuk janë ndërmarrë masa të ngjashme. Raportet janë acaruar pas ndërrimit të pushtetit në Maqedoni, që nuk është sipas dëshirës së Beogradit”, thotë Popov.

Opinioni i Serbisë është mësuar që për çdo problem të presidentit Aleksandar Vuçiq të akuzohen forcat e jashtme. Kumtesat dhe shpjegimet kanë qenë shumë të paqarta, ndaj shkaku i vërtetë i tërheqjes së diplomatëve dhe krizës në raportet serbo-maqedonase nuk dihet. Bojan Elek pohon se këto masa janë të tepërta dhe kanë për synim krijimin e atmosferës së panikut dhe frikës. Pushteti në Serbi pohon se ky vend e meriton titullin e kampionit të botës në kontributin për paqë dhe stabilitet. Aleksandar Popov paralajmëron se me masa të këtilla Serbia po shndërrohet në faktor destabiliteti në rajon. “Masat ndaj Maqedonisë janë të ashpra dhe të pazakonshme, që kontestojnë edhe kredibilitetin e Serbisë si faktor paqe në rajon”.

Popovi thotë se raportet me vendet e rajonit i ka përmirësuar pushteti i mëparshëm e jo ai i Vuçiqit. Ndërkohë që pushteti i tanishëm i ka ashpërsuar raportet me disa vende. Gazetat e afërta me pushtetin e kanë quajtur Zaevin “të afërt me qarqet mafioze, të cilat kanë për synim destabilizimin e Serbisë dhe futjen e saj në kaos”. Popovi thotë se këto media shpesh shkruajnë gjërat që politikanët serbë nuk duan t’i thonë vet. Hapat e Serbisë i ka kritikuar edhe ish-ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq, i cili tha se veprime të këtilla “nuk bëjnë as republikat banane”. Bojan Elek pohon se Serbia po sillet në forma të ndryshme – si faktor i ruajtjes së stabilitetit por shpesh edhe si faktor destablizues në rajon. “Serbia ka kapacitete të mëdha për destabilizimin e rajonit dhe këto kapacitete po i përdorë edhe për qëllime të brendshme politike. Kjo nënkupton shkaktimin e krizave të përhershme dhe krijimin e bindjes për cenimin e Serbisë nga vendet fqinje, me qëllim ruajtjen e pushtetit në vend”. Deutsche Welle

SHKARKO APP