Shef Saimiri në vendin e barit
Shqipëria e vogël është shndërruar në furnizuesin më të madh me mariuanë në Europë. Sa e ka seriozisht qeveria me “luftën kundër mafies së drogës”? Një reportazh i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”.
Nga David Klaubert
Kryekomisari i luftës kundër kriminalitetit Saimir Rrustemi i ka marrë koordinatat për aksionin e tij drejtpërdrejtë nga Ministria e Brendshme. Para se të fillojë aksioni ai shfleton letrat nën dritën e një llambe të rrugës: pamje satelitore nga Google Earth, kurrize të kodrave me male dhe mbi to të shpërndara gjilpëra të verdha.
Është natë, pak para orës katër, dhe Shkodra, qyteti më i madh i Shqipërisë së veriut, fle. Vetëm para stacionit të policisë ka jetë. Gjithnjë e më shumë pjesëtarë të policisë dalin duke çapitur nga errësira. Kryekomisari Saimir Rrustemi nënvizon në dokumentet e tij emrat përkatës të fytyrave të lodhura. Ai i ka angazhuar 50 policë nga stacioni lokal i policisë, një turmë e larmishme me uniforma të kaltra në të errët. Meqë aty ku janë të ngulitura gjilpërat vitin e kaluar është hapur zjarr ndaj policëve, tani është angazhuar edhe një njësi speciale: tre furgonë të mbushur me djem. Secili me kallashnikov.
“Ju pret një punë e mundimshme”, thotë Rrustemi pasi del para policëve. Syhapur, me hijen e një mjekre në faqe, këmbët në pozicion ushtarak. “Askush nuk do të kthehet në qytet para se të kryejmë punën”. Ai është 36-vjeçar, më i ri se shumica e policëve të tij. Shef Saimiri e quajnë prej se ai vitin e kaluar u emërua kryekomisar i qytetit. Që nga atëherë detyra e tij kryesore është kjo: zhdukja e bimëve. Çdonjëra prej 12 gjilpërave tregon se bëhet fjalë për ara me kanabis.
Shqipëria, në jugperëndim të Ballkanit. Gjatë gati 300 ditëve të vitit mban mot me diell. Megjithatë, lumenjtë që nga malet derdhen në Mesdhe, kanë shumë ujë. Kushte shumë të mira jo vetëm për florën dhe faunën vendore, por edhe për bimën që fillimisht ishte sjellë nga Azia qendrore, latinisht: Cannabis sativa. Ajo rritet në Shqipëri aq mirë, saqë ky vend i vogël është bërë prodhuesi dhe furnizuesi më i rëndësishëm i mariuanës në Europë. Dukshëm më i rëndësishmi, siç thotë Europoli.
Një përzgjedhje nga konfiskimet e mariuanës shqiptare në muajt e fundit: dy tonelata në një jaht luksoz në jug të Peloponezit, 25 kilogramë në një autobus në Vjenë, 674 kilogramë në një mjet transporti afër Amsterdamit, 2,3 tonelata në një skaf të shpejtë para Pulias (Apulia), 550 kilogramë në një kamion në autostradën 9 afër Hof-it (në Gjermani). Ishte ndër konfiskimet më të mëdha që i bëri dogana e Bavarisë.
Një ndër trevat më të mëdha të mbjella me mariuanë vitin e kaluar ishte në malet e Dukagjinit, jo larg Shkodrës. Këtu Shqipëria është siç e ka përshkruar Karl May, pa qenë kurrë këtu: e izoluar, e ashpër dhe shumë e bukur. “Ferr”, thonë policët e shef Saimirit.
Koordinatat për aksionin e tyre ata fillimisht i kanë marrë nga Guardia di Finanza italiane. Policia financiare dhe doganore fluturon rregullisht mbi territorin shqiptar dhe shkrep fotografi, të cilat pastaj shqyrtohen. Ngjyra e gjelbër e arave me kanabis është më intensive se e pjesës tjetër të vegjetacionit, dhe kur italianët zbulojnë këso njolla, ata ia përcjellin informatat ministrisë së Brendshme në Tiranë. Pastaj policët si Saimir Rrustemit duhet të hidhen në aksion. Në tokë, sepse helikopterë nuk kanë.
Rruga drejt trevës së Dukagjinit vërtet i ngjan një udhëtimi në ferr. Amortizatorët e xhipave të policisë qëmoti janë shkalafitur. Rruga e paasfaltuar kalon mbi një grykë të thellë dhe kilometër pas kilometri qëndrojnë kryqe dhe pllaka përkujtimore me emra që tregojnë për familje të tëra që janë fundosur në vdekje. Fshatrat s’janë gjë tjetër veçse amvisëri bujqish të shpërndara gjithandej, aty-këtu një kishë dhe një shkollë me pullaz të rrëzuar. Pas katër orë e gjysmë rruga është aq e përpjetë, saqë një automjet policie vjell tym dhe ndalet. Shoferi përpiqet duke marrë hov, pastaj me të shtyrë, por motori nuk ia arrin. “Viti i prodhimit 1998”, thotë polici. “Kështu do ta luftojmë ne mbjelljen e kanabisit? Ata kanë më shumë para se ne”.
Krimi i organizuar ka gjetur një truall të pëlleshëm në Shqipëri. Kalimi nga regjimi totalitar në demokraci në fillim të viteve ’90 u karakterizua nga trazirat e dhunshme, paligjshmëria dhe korrupsioni. Klane mafioze me lidhje të ngushta me politikën filluan të fitojnë para nga kontrabanda me cigare, armë, heroinë dhe njerëz. Së shpejti u kyçën edhe në biznesin e kanabisit. Në Lazarat, jo larg kufirit me Greqinë, mbjellja arriti përmasa industriale. Banorët mbillnin në oborre pas shtëpie, kopshte dhe në ara. Për përpunim kishin disa laboratorë. Sipas vlerësimeve të Guardia di Finanza në Lazarat çdo vit prodhoheshin deri në 900 tonelata kanabis.
Qeveria në Tiranë e toleroi Lazaratin, thua se është zonë e lirë për tregti me drogë. Banorët unanimisht votonin Partinë Demokratike, e cila ishte në pushtet nga viti 2005 deri më 2013. Pak para se të mbushej një vit nga ndërrimi i qeverisë – dhe pak ditë para se Bashkimi Europian të merrte vendim nëse Shqipëria do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim -, kryeministri socialist Edi Rama urdhëroi një ndërhyrje policore. 800 policë dhe forca speciale me automjete të blinduara rrethuan fshatin. Kundër tyre u hap zjarr me mitraloza dhe granata kundërtank. Pas pesë ditësh policia arriti të asgjësojë 80 tonelata mariuanë dhe 130 mijë bimë. Por, lufta kundër kanabisit vetëm kishte nisur. Sepse plantacionet e përhapën pastaj në mbarë vendin.
Në Lazarat u arrestuan vetëm shërbëtorët. Shefat e tyre ikën – me paratë, me ekspertizën, me lidhjet e mira me politikanë dhe policë. Sa të rëndësishme janë këto lidhje e konfirmon një njeri, i cili vetë ka punuar në arat e kanabisit në Dukagjin. Ai nuk dëshiron t’i përmendet emri, dhe nuk dëshiron të flasë në kafehanen në Shkodër, të cilën e kishte zgjedhur vetë si pikëtakim, por në veturë në lëvizje. “E kam bërë këtë vetëm për shkak se më duheshin para për familjen time”, thotë ai vazhdimisht. Është 17-vjeçar, shumë i zgjatur, por i hollë si fëmijë. Ai thotë se para 10 vitesh me prindër dhe pesë motra e vëllezër ka ardhur nga një fshat malor i Dukagjinit në periferi të Shkodrës. Një vit shkoi në shkollë, mësoi si të shkruajë emrin e tij, më shumë jo. Filloi të lajë vetura dhe fitonte 300 lekë në ditë. Dy euro e gjysmë. Para dy vitesh atë e kontaktoi një djalë nga fqinjësia, një që po ashtu rridhte nga Dukagjini dhe përherë bartte rrobe të markave të shtrenjta. “A dëshiron të punosh për mua në ara?”, pyeti ai. Pasi ai premtoi 3 mijë lekë në ditë, djaloshi tha po. Shefi i tij i ri kishte katër ara, të fshehura pas maleve në kodra. Pesë, gjashtë të rinj punonin atje gjatë verës. Hidhnin farën, plehun, bartnin ujin, spërkatnin helmin. Dhe në vjeshtë korrnin. Vetëm si rojtar ai nuk ishte angazhuar kurrë, tregon djali. Kallashnikovi, thoshte shefi, është i rëndë për ty. Sidomos para fillimit të korrjeve vinin vazhdimisht policë në kodra për t’i zhdukur bimët e kanabisit. Arat tona, thotë djaloshi, ishin të sigurta. “Shefi im ka miq në politikë. Dhe ka paguar shumë para”.
Qeveria e socialistëve në Tiranë, e cila rifitoi pushtetin në zgjedhjet e qershorit të këtij viti, nuk e mohon se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përzier në aktivitetet e bandave të drogës. Por qeveria pretendon se po lufton pa kompromis kundër kësaj dukurie. “Kjo është një luftë e vërtetë, nuk është si të kositësh bar në kopshtin tënd”, thotë kryeministri Edi Rama. “Ka momente kur kalon në sulm, pastaj ka kundërofensiva të kriminelëve. Por, tani të gjithë kemi arsye të besojmë se kjo histori do të marrë fund gjatë këtij viti”.
Që nga fillimi i vitit të gjithë drejtorët e policisë të 12 rajoneve shqiptare janë ndërruar. Ndryshe nga më parë operacionet për shkatërrimin e arave me kanabis filluan menjëherë pas mbjelljes në pranverë. Hulumtimet e përbashkëta të kësaj gazete dhe të magazinës “Report München” të televizionit gjerman ARD në disa pjesë të vendit tregojnë se po mbillet më pak kanabis se vitin e kaluar dhe nëse mbillet, atëherë në zona shumë të thella. Banorët e fshatrave, gazetarët lokalë dhe të involvuar të tjerë e konfirmojnë këtë. “Shefi im sivjet nuk ka ara”, thotë djaloshi nga Shkodra. “Unë përsëri po laj vetura”. Dhe kryekomisari Saimir Rrustemi thotë: “Kanabisi sivjet gëzon prioritetin më të lartë”. Pastaj shton: “Kësaj here me të vërtetë”.
Por, oferta e mariuanës shqiptare nuk është zvogëluar si pasojë e ofensivës – përkundrazi: autoritetet doganore dhe policore të Europës aktualisht po konfiskojnë më shumë se kurrë. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti Guardia di Finanza ka zbuluar në anije në Detin Adriatik 25 tonelata, më shumë se gjatë gjithë vitit 2016. Përkundër asgjësimeve nga policia shqiptare, të inskenuara për mrekulli nga mediat, rendimentet e mafies së drogës në vjeshtën e kaluar duken të kenë qenë shumë të mira. Artan Hoxha, gazetari më i njohur hulumtues i Shqipërisë, supozon se qeveria e socialistëve qëllimisht e ka toleruar mbjelljen e kanabisit një vit para zgjedhjeve. Hoxha është një tip muskuloz me frizurë si furçë, i cili qëmoti hulumton mbi krimin e organizuar dhe nuk ndalet as nga kërcënimet me vdekje me SMS, as nga përpjekjet për frikësim nga organet e korruptuara të shtetit.
Në fillim të vitit të kaluar, thotë Hoxha, shumë drejtorë rajonalë të policisë i ishin drejtuar atij dhe kishin kërkuar të raportojë më pak për mbjelljen e kanabisit. “Më thanë: <Të respektojmë shumë dhe të ruajmë. Por, për të mbetur miq duhet të të lusim: mos hulumto në rajonet tona>“. Drejtorët e policisë, thotë Hoxha, lanë të kuptohet se ka pasur marrëveshje mes bandave të drogës dhe institucioneve shtetërore. Pastaj në rajonet përkatëse vërtet u mboll shumë kanabis dhe pa kurrfarë ngurrimi. Me telefonin e tij Hoxha tregon një video të regjistruar prej tij: një pamje mbi një plantacion kanabisi me më shumë se 10 mijë bimë, jo larg fshatit tjetër, thua se është një vresht i mirë.
Ministria e Brendshme shqiptare nuk dëshiron të prononcohet drejtpërdrejtë mbi akuzat e Hoxhës. Por, një zëdhënës njofton: përkundër të gjitha përparimeve në forcimin e policisë, ajo ende vuan nga ndikimi i madh i partive politike. Krahas policëve të korruptuar nga mbjellja e madhe e kanabisit, sipas zëdhënësit, përfitojnë edhe shumë njerëz, të cilët në zonat e prapambetura si Dukagjini nuk kanë shans të kenë të ardhura të rregullta apo mbështetje financiare nga shteti. Por, paranë e madhe nga biznesi me miliarda kuptohet se e marrin bosët e mafies dhe klanet e tyre familjare, të cilët në nivel lokal ende kanë ndikim të madh. Ata janë politikisht fleksibël dhe me pushtetin dhe paratë e tyre përkrahin ato parti dhe ata kandidatë, të cilët nuk pengojnë bizneset e tyre ilegale. Sa të ngushta janë ende lidhjet, tregon shembulli i Klement Balilit: në maj të vitit 2016 policia greke, bashkë me Europolin dhe me agjencinë amerikane të antidrogës, shkatërroi një bandë, e cila me vite të tëra kishte kontrabanduar kanabis dhe kokainë në drejtim të Europës Perëndimore dhe kështu supozohet të ketë fituar qindra milionë euro. Si person në prapavijë dhe financues hetuesit e identifikuan Klement Balilin. Ai ishte drejtor i ministrisë së Transporteve në Sarandë në jug të Shqipërisë. Përveç kësaj familja e tij atje kishte ndërtuar “Santa Quaranta”, një hotel luksoz buzë plazhit. Përkundër shumë raporteve mbi mungesën e lejeve për ndërtimin në hapjen e hotelit morën pjesë shumë politikanë, mes tyre edhe socialisti Arben Ahmetaj, sot ministër i Financave, dhe Ilir Meta, presidenti i tanishëm.
Kur autoritetet greke ia dorëzuan shqiptarëve urdhërarrestin kundër baronit të dyshuar të drogës, fillimisht nuk ndodhi asgjë. Balili doli në televizion dhe mohoi akuzat. Ai u suspendua nga administrata. Por, tek disa muaj më vonë, pas presionit ndërkombëtar, policia filloi një aksion të madh në Sarandë – por gjoja nuk e gjeti të kërkuarin. “Ka dëshmi të qarta se Balili gjatë gjithë kohës ka lëvizur i lirë në Shqipëri dhe prapë nuk është arrestuar”, thotë Ylli Manjani, i cili atëbotë ishte ministër i Drejtësisë në Tiranë dhe pas deklaratave kritike mbi sjelljen e qeverisë ndaj mafies së drogës u hoq nga posti. Klement Balili ende është i lirë.
Demokratët opozitarë e bënë temë elektorale rastin Balili dhe mbjelljen e kanabisit. Bashkimi Europian, ku Rama dëshiron patjetër ta fusë vendin e tij, në Raportin e Progresit kritikoi qartë dështimin e policisë dhe drejtësisë shqiptare në shkatërrimin e bandave të drogës. Por, duket se ekziston edhe një shkak tjetër përse mbjellja e kanabisit ka rënë: interesi i bosëve të mafies është i ulët. Për shkak të ofertës së madhe çmimet kanë rënë përtokë. Magazinat janë plot. Tek në korrik policia shqiptare zbuloi në qytetin bregdetar të Vlorës më shumë se 15 tonelata mariuanë, vlera e saj në tregun e zi: 160 milionë euro. Një konfiskim i mirë. Por, nëse vitin e kaluar, siç kanë vlerësuar hetuesit nga Europa Perëndimore, janë korrur më shumë se 1000 tonelata, kjo nuk është ndonjë humbje e madhe për mafien.
Nëse qeveria e Ramës vërtet e ka seriozisht me luftën e saj kundër kanabisit dhe nëse do t’ia dalë kundër shefave të fuqishëm të klaneve, do të shihet tek vitin e ardhshëm kur kërkesat do të jenë më të madha dhe vëmendja ndërkombëtare më e vogël.
Ndërkohë klanet i investojnë gjetiu milionat e tyre nga mbjellja e kanabisit, në hotele dhe patundshmëri, në bujqësi dhe në ndërmarrje të të gjitha degëve. Ata po ashtu po i zgjerojnë bizneset e tyre ilegale. Ka disa vite që janë gjithnjë e më aktiv në kontrabandën me kokainë – me kontakte të drejtpërdrejta me kartelet e drogës në Amerikën Latine. Bandat me origjinë shqiptare ndërkohë kanë “ndikim shumë të madh në krimin e organizuar në Britaninë e Madhe”, paralajmëron Agjencia Kombëtare e Krimit në Britaninë e Madhe. Sipas saj bandat shqiptare janë të përqendruara në tregtinë me kokainë, një biznes i shoqëruar nga dhuna. Agjencia gjermane kundër kriminalitetit në raportin e saj mbi krimin e organizuar për vitin 2016 shënon një rritje prej 85,4 për qind të të dyshuarve me shtetësi shqiptare. Edhe këtu akuza kryesisht ndërlidhet me tregtinë me drogë me shtrirje ndërkombëtare.
Pas pesë orësh kryekomisari Saimir Rrustemi dhe njerëzit e tij më në fund arrijnë te zona që shihej në imazhe satelitore. Rrugën e vazhdojnë në këmbë, të ndarë në disa grupe. Mbi rrënjë lisash, nëpër livadhe, kodrave përpjetë, kodrave teposhtë. Pas një ore zbulojnë gjurmën e parë: një pellg artificial, rreth dhjetë metra me dhjetë, dhe një zorrë e trashë për transport të ujit. Policët ndjekin rrjedhën përgjatë një tatëpjete me shkëmbinj. Pak më vonë ata gjenden mes bimëve të gjata të kanabisit, të cilat rriten në tarraca prej guri.
Forcat policore me kallashnikovët e tyre pozicionohen mbi arë, por askush nuk shihet. Fshati tjetër është një orë e gjysmë ecje në këmbë. Njëri prej njerëzve të Rrustemit nxjerr nga çanta e shpinës një kmesë me dorëz të gjatë druri dhe fillon t’i këpus fijet e kanabisit. Të tjerët i bëjnë turrë me degët e lisave të shpërndara gjithandej dhe me zorrën e prerë të ujit. Pastaj ia vënë zjarrin disa gjetheve të thara dhe pas pak minutave në qiell ngjitet një tym i dendur. Disa prej policëve më të rinj e shfrytëzojnë kanabisin që digjet si sfond për të bërë selfie. Pastaj ata vazhdojnë të kërkojnë gjilpërën tjetër të ngulitur në hartë. Tek pasi ka rënë terri xhipat e policisë arrijnë para stacionit të policisë në Shkodër. 100 pjesëtarë kthehen pas aksionit që ka zgjatur 18 orë. Bilanci i tyre: nuk pati të shtëna, as arrestime, 12 ara i asgjësuan. 1785 fije. Shef Saimiri është i kënaqur. Një turrë e mirë e bimëve të këqija.
“Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”. Përktheu “Dialogplus”