Shëngjini, aty ku turizmi i ka të gjitha
Nga Marash Ndoka
Zona e Shëngjinit shtrihet në 2 anët e lumit Drin. Zona ranore dhe lagunat e saj janë krijuar nga prurjet shekullore të tij. Kjo ka bërë që kjo zonë të njihet si Gjiu i Drinit. Në bregun perëndimor të zonës, nga Talja deri në kufi me Shkodrën, me gjatësi rreth 25 kilometra, janë vendosur Plazhet e Vainit, Shëngjinit, të zonës së Rrencit dhe Rërës së Hedhur. Shëngjini përbën plazhin kryesor të kësaj zone. Ai është i futur në brendësi të tokës, çka e bën të mbrojtur nga erërat. Ndikim të rëndësishëm për përmirësimin e klimës dhe ruajtjen e pastër të plazhit kanë dhënë edhe skalierat që janë ndërtuar kohët e fundit, të cilat e ruajnë atë veçanërisht nga mbeturinat që krijon Porti. Atje janë ndërtuar shumë hotele, restorante dhe shtëpi banimi, çfarë e ka rritur shumë kapacitetin dhe kanë përmirësuar kushtet e pushuesve.
Kohët e fundit kanë filluar të shfrytëzohen edhe plazhet e Rrencit e të Rërës së Hedhur, që janë nga më të bukurat në Shqipëri. Gjiret e vogla me rërë të pastër, uji i kthjellët si kristali, kurora malore me pisha, që u qëndron mbi krye, i bëjnë këto plazhe nga më atraktivet për pushuesit. Në këtë zonë rëra ngjitet lart në mal mbi 60 metra, duke u bërë kështu duna ranore më e madhe në Ballkan e Europë. Pra, kjo është një nga gjërat më të veçanta që e ka vetëm Shëngjini. Bien në sy në këto zona toponimet e ndryshme si Guri i Camës, Shkalla e Ujk Kolës dhe shpella pranë saj, Guri i Peshkatarit ose Guri i Marka Nikës, Shkambi i Lacit, etj., të cilat ja shtojnë kureshtjen dhe kënaqësinë vizitorit. Këto i kanë shërbyer popullsisë së kësaj zone dhe secili toponim ka një histori më vehte. Kështu, bie fjala, Guri i Marka Nikës e ka marrë këtë emër pasi Marka Nika ka qenë një nga peshkatarët më të vjetër e të talentuar të kësaj zone. Ai vëzhgonte detin nga maja e gurit dhe prej aty orientonte shokët e tij peshkatarë që të dilnin me shpejtësi në det e të hidhnin rrjetat nga kalonin masat e peshkut. Sot Shëngjini është një nga plazhet më të mëdha të Shqipërisë. Në periudhat pik të verës, atje pushojnë çdo ditë rreth 100.000 vetë. Veç pushuesve vendas, ai frekuentohet shumë sidomos nga kosovarët dhe banorët e Maqedonisë, kryesisht shqiptarë. Janë përmirësuar ndjeshëm kushtet higjeno- sanitare, pastrimi dhe mirëmbajtja e plazhit. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, nga puna e papërgjegjshme e pushtetarëve janë bërë ndërtime pa kriter, jashtë planit rregullues. Shpresojmë që pushtetarët e sotëm do të përpiqen të eliminojnë sadopak pasojat e mëparshme. Tashmë ata kanë në dorë edhe planin rregullues të zonës jugore, prandaj zbatimi i tij është kërkesë e domosdoshme.
Për banorët e qytetit, të Malit të Rrencit e Malit të Shëngjinit, gjuetia e peshkut në det ka qenë dhe mbetet burimi i rëndësishëm i jetesës së tyre. Tradicionalisht ata njihen si peshkatarë të zot, që me barkat e tyre kanë peshkuar Detin Adriatik dhe Jon, kanë furnizuar me peshk jo vetëm Shëngjinin e zonat përreth por edhe një pjesë të Kryeqytetit tonë. Sot në Shëngjin janë mbi 30 anije peshkimi private, që kanë punësuar rreth 200 vetë. Por në të ardhmen kërkohet që peshkimi të ndihmohet më shumë nga shteti mbasi çmimet e karburantit janë shumë të larta.
Zona e Shëngjinit është e pasur me laguna, në të cilat rritet peshk i shumëllojshëm, rosa dhe shpend të tjerë. Në afërsi të qytetit të Shëngjinit ndodhet Laguna e Knallës, e veçantë për nga lloji i saj. Ajo ka një thellësi 3- 4 metra, furnizohet nga ujërat nëntokësore dhe është krejtësisht e shkëputur nga deti. Kënalla nuk ka ndonjë vlerë të madhe për gjueti, por nga pozicioni që është afër qytetit, ajo mbetet një ujëmbajtëse e bukur që ja shton hijeshinë dhe mikroklimën qytetit. Tashmë ajo po rrethohet gjithandej nga ndërtime të bukura e shumëkatëshe. Laguna e Merxhanit është më e madhja me prodhim të bollshëm peshku dhe shpendësh. Ajo tradicionalisht ju ka shërbyer banorëve të Ishull- Shëngjinit e veçanërisht atyre të lagjes Stom si burim jetese për të ardhurat që nxjerrin nga peshkimi e gjuetia e shpendëve. Laguna ka zona të thella si Vija Kular, e pasur me ushqim për peshkun. Ajo që është më e rëndësishme, Laguna e Mexhanit lidhet me detin me grykën që mban të njëjtin emër. Komunikimi me detin bën që peshku të jetë më i shumëllojshëm dhe i një cilësie më të mirë. Përbri Lagunës së Merxhanit ndodhet zona e Kunes, që është nga më të pasurat për gjuetinë e rosave në Ballkan. Aty janë rritur mbi 42 lloje shpendësh. Kjo pra është e veçanta e dytë që ka zona e Shëngjinit. Dikur ajo ka qenë rezervat- një zonë elitare e rritjes dhe gjuetisë së shpendëve, por kohët e fundit gjuetia pa kriter, mungesa e punës së shtetit ka bërë që vlera e saj të bjerë, por jo përgjithmonë. Mundësitë janë që Kunja të ruhet e pasurohet me shpendë e të mbetet një burim për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Vlera të madhe për gjueti peshku dhe shpendësh ka edhe zona e Vainit, laguna dhe pyjet përreth saj. Të gjitha këto bëjnë të mundur që territori i Shëngjinit të ketë numrin më të madh të gjuetarëve e peshkatarëve, krahasuar me zonat e tjera të Lezhës. Lagunat dhe Lumi i Drinit janë burim i rëndësishëm edhe për zhvillimin e turizmit jo vetëm në verë, por edhe gjatë gjithë vitit. Lumi Drin dhe lagunat i japin hijeshi krahinës. Aty janë ndërtuar lokale të bukura, të mbështetura në traditën popullore dhe të përshtatura me zonat ku janë vendosur. Bien në sy sidomos lokalet e ndërtuara në Ishull- Lezhë, në krah të majtë të lumit Drin që fillojnë nga lokalet Curri, Hoti, lokali i Cenit e i Celës, i Keqit e der tek lokalet Loshi në Vain e në Grykëderdhje të Drinit. Këto shquhen për gatime tradicionale, sidomos për gatimin e peshkut. Një pjesë e pronarëve të këtyre lokaleve “kanë bërë stazhin” në Hotelin e Gjuetisë. Sic dihet, ai ka shërbyer për 50 vjet me radhë si vendi më turistik i Shqipërisë. Pas shkatërrimeve që ka pësuar në vitin 1997, frekuentimi i tij ka rënë shumë. Kuzhinieri i talentuar Hysen Hajdari ose Ceni si i thërrasim këtej, që ka shërbyer për rreth 40 vjet në këtë lokal, tregon se Hotelin e Gjuetisë e kanë frekuentuar shqiptarë nga të gjithë trojet, turistë nga të katër anët e botës, aty janë kremtuar ngjarje madhore dhe gëzime të rëndësishme, kanë pushuar qeveritarë e personalitetet më të larta shqiptare por edhe vizitorë e qeveritarë të Europës e më gjerë. Kjo përbën një histori më vehte jo vetëm për turizmin lokal por edhe për turizmin kombëtar, cfarë duhet njohur e avancuar më tej. Hoteli i Gjuetisë është lokali më i vjetër i Lezhës, i ndërtuar para Clirimit dhe i njohur kudo, prandaj kërkohet që shteti ose biznesmenë e mëdhënj në bashkëpunim me pronarët e tij, ta ngrejnë këtë pikë turistike në nivelin e kërkesave të kohës.
Pak histori për qytetin e hershëm Nimfeun
Komuna e Shëngjinit shtrihet në zonën veripërendimore të Shqipërisë. Natyra këtyre banorëve u ka dhuruar detin, malet, laguna të pasura dhe një tokë shumë pjellore. Burimet historike tregojnë se Shëngjini është njohur si qendër banimi që para Krishtit dhe banohej nga fisi ilir i Abrejve. Për lashtësinë e qytetit veç të tjerash tregon edhe emri helen që mbante. Në dokumentet e kohës ai njihet me emrin Nimfeun që do të thotë “vend i nimfave, vend i zanave”. Edhe fakte të tjera historike çojnë në konkluzionin se Shëngjini është themeluar rreth 2400 vjet më parë nga kolonët helenë. Për herë të parë në dokumentet historike të periudhës romake, ai përmendet që në shekullin e parë, para Krishtit, në luftën e famshme që u zhvillua në Detin Adriatik mes perandorëve romakë Pompeu dhe Cezari. Në veprën e tij “Lufta Civile”, Cezari e përmend Shëngjinin si një liman i mbrojtur mirë nga erërat, ku strehohej edhe një pjesë e flotës së tij. Në mesjetën e hershme, Shëngjini njihet me emrin Medua. Emrin që mban sot, qyteti e ka marrë nga Kisha me të njëjtin emër që ndodhej në Malin e Shëngjinit, e cila njihej që para pushtimit turk. Në vitin 1467, Skënderbeu shkoi në ndihmë të Ferdinandit të Napolit me kërkesën e këtij të fundit. Sic tregon Marin Barleti, ushtria e tij u nis për në Napoli vec të tjerash edhe nga skela e Meduas (Shëngjini). Mbas vdekjes së Skënderbeut, djali i tij, Gjoni, erdhi në Shqipëri për të bërë një kuvend si Kuvendi i Lezhës dhe për të bashkuar popullin si në kohën e Skënderbeut. Gjatë vitete 1499- 1505, me ushtrinë e tij qëndroi në Ishull të Lezhës, 4- 5 kilometra në vijë detare me Shëngjinin. Gjatë periudhës të pushtimit otoman, megjithëse Shëngjini ishte një vend shumë i vogël dhe me pak shtëpi, turqit e mbanin si një pikë të rëndësishme strategjike të tyre. Në shekullin e 19- të, Shëngjini i shërbente për tregti qytetit të Shkodrës dhe ishte pothuajse në varësi të tij. Gjatë periudhës së verës, ai luante rolin e një ure që lidhte transportin detar të Shkodrës me Durrësin. Në legjendat e balladat e lashta thuhet se nga deti kanë ardhur bajlozët dhe kucedrat, me të cilët personifikohej armiku. Është e vërtetë se nga deti kanë ardhur shumë pushtues por është gjithashtu e vërtetë sesa herë kanë ardhur, ato kanë hasur në rezistencën e popullit të këtyre anëve. Mjafton të përmendim disa shembuj, gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit në Shëngjin kanë ardhur anijet turke për të shtypur Lidhjen e Prizrenit, për të mposhtur rezistencën e popullsisë së Ulqinit dhe Tivarit kundër forcave malazeze dhe të Fuqive të Mëdha por ato janë pritur me armë.