Shkelen 3 nene të Kushtetutës. Pse hesht OSBE?
Nga Zef Bushati –
Diskriminohen Partitë Politike Jo Parlamentare. Nuk respektohet barazia dhe bindjet politike. Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi hesht. BE dhe OSBE heshtin e nuk kryejnë detyrën. PS voton e vetme në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë plotësisht kontrollin politik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Komisioni Politik i Zgjedhjeve është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë, në kundërshtim të plotë me Rekomandimet e BE dhe OSBE. Shqipëria po rihyn edhe një herë në Zgjedhjet Lokale me Ligjin me antidemokratik që ka Europa. Përfaqësuesit Zyrtare të BE dhe OSBE heshtin. Mjerë ky popull që të gjithë ja kanë me hile. Sa keq që Zyrtaret e Lartë të BE dhe OSBE në Tiranë, bashkohen me interesat e pushtetarëve të PS dhe shkelin Ligjet dhe Kushtetutën e Shqipërisë. OSBE/ODHIR bashkohen me krerët e PS dhe PD, dhe bëhen “ortak” me ta kundër Partive te tjera Politike Jo Parlamentare, madje duke i diskriminuar ato. PS, PD, OSBE / ODHIR shkelin 3 Nene të Kushtetutës së Shqipërisë.
1.- Le t’i referohemi konkretisht Kushtetutës e cila në Nenin 1, pika 3 thotë: qeverisja bazohet ne nje sistem zgjedhjesh te lira,te barabarta, të përgjithshme e periodike. Asnjë nga krerët e PS dhe PD nuk e artikulon fjalën “TE BARABARTA”, madje ketë fjalë nuk e përmendin as Zyrtaret e Lartë të BE dhe OSBE. A e dini pse? Se zgjedhjet në Shqipëri kurrë nuk kanë qenë “TE BARABARTA”. Ecim më tej.
2.- Ne Nenin 45 te Kushtetutës pika 4 shkruhet: vota është vetjake, e barabarte, e lire dhe e fshehte. Në kundërshtim me Kushtetutën PS dhe PD ka formuluar në Ligj ndryshimin ku i jepen të drejta një individi të votojë për të gjithë familjen. Kjo ka bërë që të votojnë individë të ndryshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë në emër të familjes, fshatit, komunës, një lagjeje të qytetit si të “të fortët” e partisë, si kriminelet dhe të korruptuarit që me çdo mjet kërkojnë të zgjidhen deputët në parlament apo të marrin detyra në pushtetin ekzekutiv. Vitet e fundit e kemi parë konkretisht rezultatin e ndryshimit të këtij Neni të Kushtetutës.
3.- Në mbështetje të neneve 18, 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozim të një grupi deputetësh, u hartua dhe u miratua në Kuvendin e Shqipërisë LIGJ Nr.10 221, datë 4.2.2010 PËR MBROJTJEN NGA DISKRIMINIMI në Neni 1. Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, BINDJET POLITIKE, fetare ose filozofike, etj. Pra midis kategorive që diskriminohen janë dhe ” BINDJET POLITIKE ” të cilat qytetaret shqiptare i shprehin nëpërmjet partive të ndryshme politike. Por Partitë Politike nuk veprojnë në kushte të barabarta. Vetëm dy parti favorizohen dhe ato janë PS dhe PD, ndërsa të tjerat diskriminohen nëpërmjet ligjit që kanë hartuar këto dy parti. Komisioneri Për Mbrojtjen nga Diskriminimi është zgjedhur Robert Gajda. Por atij as që i ka shkuar ndonjëherë në mendje se PERSEKUTOHEN BINDJET POLITIKE në Shqipëri, si persekutohen, dhe çfarë duhet bërë që mos të persekutohen. Ai është zgjedhur nga PS dhe është i kënaqur që të gjithë ata qytetarë që kanë bindje politike socialiste i ushtrojnë bindjet e tyre në liri të plotë dhe plot privilegje. Por atij as i bën përshtypje fare që një pjesë e elektoratit të cilët kanë bindje politike demokristiane, nuk mund t’i shprehin bindjet e tyre politike nëpërmjet mediave vizave dhe shtypit tëe shkruajtur, nuk i shprehin bindjet e tyre as nëpërmjet votës në zgjedhje se ja vjedhin votën, nuk janë as të barabartë në garën elektorale me PD e PS. A e di ky Komisionë qeë në garën zgjedhore PS dhe PD marrin respektivisht 800 dhe 600 milion leke nga buxheti i shtetit ndërsa Partia Aleanca Demokristiane nuk merr asnjë lek, zero lek? Nuk është ky persekutim i Bindjeve Politike të një grupi të caktuar qytetarësh që kanë të njëjtat bindje politike? Nuk është ky persekutim i bindjeve politike apo jo zotërinj të BE-së dhe OSBE-së ?
Konkluzioni: Votuesit e Partive të tjera që sot janë Jo Parlamentare vazhdojnë të jenë të diskriminuara nga deformimi i Ligjit dhe nuk gëzojnë asnjë të drejtë që i jep Kushtetuta. Për çfarë demokracie, barazie dhe ndryshimi mund të flitet në Shqipëri kur shkelen Nenet e Kushtetutës, kur Ligji Zgjedhor diskriminon, nuk ndryshon dhe kur Zgjedhjet e ardhshme Lokale do të jenë njësoj si ato të Zgjedhjeve te kaluara? Njësoj votat edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale do blihen e do vidhen nga të korruptuarit e pushtetit, njësoj bandat do ushtrojnë dhunë e presion, njësoj kandidatet e Partive te tjera jo Parlamentare nuk do kenë mundësi të kandidojnë pa mbledhur 20 mije firma, pa patur anëtarë nëpër komisione, njësoj votat do te numërohen nga militantet e PS dhe PD , çdo gjë do jetë njësoj. Këtë e dinë edhe drejtuesit e lartë të BE dhe OSBE. Sa turp, sa keq për ata që heshtin dhe nuk kryejnë detyrën dhe sa keq për popullin dhe vendin tonë që është Anëtar i NATO-s dhe kërkon të Anëtarësohet në BE. Pa u zhvilluar në Shqipëri Reforma Zgjedhore që është reforma e reformave nuk do të ketë qetësi, nuk do të ketë luftë kundër drogës e prostitucionit, nuk do ketë lufte kundër kriminalitetit e korrupsionit, nuk do ketë anëtarësim me të drejta të plota në BE, në familjen e përbashkët evropiane.
KOHA JONË SONDAZH

