Shkolla e Golemit, lindi e madhe, por ka mbetur e vogël
REPORTAZH/Instituti Shqiptaro-Amerikan ose Teknikumi Bujqësor në 90- vjetorin e themelimit
Nga Dr. Gjovalin Gjeloshi*
Duke kujtuar një manifestim…
Plot 40 vjet më parë, në vjeshtën e vitit 1976, shkolla bujqësore e Golemit të Kavajës kishte festë. Pothuaj të 600 nxënësit e saj ishin të përfshirë në ushtrime manifestuese të emërtuara “Librin lart, pushkën top, hambarët plot”. (Ky emërtim vinte nga një iniciativë që kishin marrë nxënësit e klasës së II-B të atij viti, ku bëja pjesë edhe unë. Ushtrimet manifestuese, që ta dijë lexuesi, ngjanin me manifestimet që bëheshin prej rinisë shkollore a studentore me rastin e festave të 1 majit apo të 29 nëntorit, që njihej si dita e çlirimit). U bënë disa muaj përgatitje. Në ato javë përpara festës pati shumë seriozitet. Pritej që shkollën ta vizitonte një udhëheqës i lartë i shtetit shqiptar, Haxhi Lleshi, i cili dikur kishte qenë nxënës i kësaj shkolle. Përveç ushtrimeve manifestuese që u zhvilluan në qendrën sportive të shkollës, një numër i konsiderueshëm aktivitetesh e pasuan ditën e festës.
Për çudi, mbaj mend se atë ditë nuk u mbajt ndonjë fjalim domethënës, ku të tregohej historia e shkollës: kur kishte hapur dyert për herë të parë, kush kishte kontribuar, kush kishte qenë drejtori i parë i shkollës e të tjera të dhëna që janë fjalët e para e të përhershme në një përvjetor. Ne ishim fëmijë, e aq më tepër që vinim në atë shkollë prej rretheve të tjera. Askush nuk na kishte treguar gjë për historikun e asaj shkolle, veçse thjesht konsiderohej “me traditë”, “ndër të parat shkolla të mesme bujqësore në Shqipëri”, “një shkollë e mesme, trupi pedagogjik-mësimor i së cilës është pothuaj si trupë pedagogjike e një fakulteti” etj., Por këto cilësime, sidomos të fundit, i vinim re vetë, pa na i thënë njeri. Mësuesit (në fakt, pedagogët) që na jepnin mësim, shumica e të cilëve vinin nga universitetet e Europës, ishin një model në mësimdhënie dhe në kërkesën e llogarisë ndaj nesh. Xhevdet Hydi e Reshat Kosturi (që nuk i kishte arritur brezi ynë, vinin nga universitetet e Perëndimit si Austri e Itali), pasohej prej mësuesve që na jepnin lëndët e specialitetit: Suat Babani, Syrja Hako, LLazar Daka, Genc Jukni etj., që kishin studiuar në Bullgari, Itali apo Rumani. Por kishte edhe një brez mësuesish-pedagogë më të rinj që kryesoheshin nga matematicieni Stavri Llambiri, një shkencëtar i vërtetë i fushës së tij, i cili më vonë u bë për shumë vite drejtori i padiskutueshëm i Institutit të Studimeve Pedagogjike në Tiranë; mësuesi pasionant i kimisë Mihal Barko, që e kishte bluzën e bardhë të bërë shosh prej eksperimenteve kimike që zhvillonte në laborator apo “i pa tolerueshmi” Ahmet Gallavata që na bënte me mësua përmendësh fjalitë bashkëbiseduese në gjuhën ruse, aq të dashur për të, pasi ai vetë ishte me origjinë nga Golloborda etj. Ka edhe emra të tjerë. Ndjesë për këta që përmenda, sepse përveç Stavri Llambirit, të tjerët kanë ndërruar jetë…
Të gjitha këto i kishim përjetuar vetë dhe i konsoliduam edhe më tepër deri në fund të maturës shtetërore, por do të kalonin vite që ne të mësonim për themeluesit e vërtetë të kësaj shkolle me emër.
Kolegji bujqësor: më 1925 apo 1926?
Për vitin e themelimit të shkollës (institutit) shqiptaro-amerikane të Kavajës, ka dy diskutime të ndryshme. Njëri daton në vitin 1925 dhe tjetri në shtatorin e vitit 1926. Po të mbështetemi te vet shënime-kujtimet e themeluesit të saj, Telford Erikson, përgatitur e botuar nga diplomati Mal Berisha, për ata që mbështesin vitin e krijimit të shkollës më 1925, mendoj se kanë një ngatërresë të vogël: me përkrahjen dhe insistimin e kryeministrit e më pas të presidentit të vendit, Ahmet Zogu, “amerikani i madh shqiptar” hapi dy shkolla. Ndërsa po diskutohej hapja e kolegjit bujqësor, ku do të mësonin djemtë, Zogu e nxiti Eriksonin që të hapte më përpara shkollën e vajzave. Dhe vërtetë, sipas këtyre shënimeve del se shkolla e vajzave u hap më 1925 me 46 vajza prej zonave të ndryshme. Më tej, në shënimet e Eriksonit të botuara më 2012, nuk del e qartë se kolegji bujqësor shqiptaro-amerikan u hap në këtë vit apo një vit më vonë, më 1926. Nisur nga insistimet e Presidentit të vendit për të hapur më përpara shkollën e vajzave, logjika të çon se ajo e djemve u hap një vit më vonë. Që shkolla e djemve u themelua më 1926, del edhe nga autorë të tjerë si Ilinden Spasse, Hektor Veshi apo Iljaz Goga etj. Po kështu unë kam bindjen te ky vit, duke iu referuar edhe festës së 50-vjetorit që festoi shkolla jonë e Golemit në vjeshtën e vitit 1976. Në fakt vet Eriksoni shkruan: “…I dhashë besën Mbretit, se do të bëja shkollën e vajzave të parën, edhe pse kisha sjellë gjithçka për shkollën e djemve”.
“Ylli i Kuq” apo “Telford Erikson”
Asgjë nuk e lidhte shkollën shqiptaro-amerikane të Golemit me emrin “Ylli i Kuq”, me të cilin u pagëzua pas vitit 1945. Sipas të dhënave ajo u quajt fillimisht, zyrtarisht “Instituti Shqiptaro-Amerikan”, sepse pavarësisht investimeve të njëanshme fillestare për hapjen e saj (të palës amerikane), ai ishte institucion dypalësh, me pjesëmarrjen edhe të shtetit shqiptar. Ndërsa “Bordi i të Besuarve”, që u mblodh në Boston të SHBA, e quajti atë “Shkolla Shqiptaro-Amerikane e Bujqësisë”. E vërteta është se kjo shkollë, sipas kujtimeve të drejtorit të parë të përgjithshëm të saj, pati përkujdesjen direkte të Ahmet Zogut nga pozicioni i të tre funksioneve të rëndësishme shtetërore që pati: kryeministër, president e po ashtu edhe si monark. Ai jo vetëm e përkrahu idenë e themelimit të kësaj shkolle, por e mbështeti atë me fond toke, pasuri e shtetit, aty ku ishte më e përshtatshme për realizimin e praktikave mësimore të nxënësve të saj. Më vonë për shkollën përdoreshin edhe emra të tjerë si, “Kolegji bujqësor shqiptaro-amerikan” apo shkurt “Kolegji amerikan” etj. (Nën pushtimin Italian, me largimin e amerikanëve, kjo shkollë pati marrë emrin edhe “Arnaldo Musolini”). Unë ruaj një diplomë të kësaj shkolle, të një të afërmi të familjes sime, e cila mban datën e lëshimit më 26 qershor 1931. Në këtë diplomë, emri i kësaj shkolle është “Instituti Arësimuer e Bujqsuer Shqiptar-Amerikan”. Sipas kësaj diplome, “Kursi theorik e praktik i këtij Instituti” është “me program katërvjetore t’aprovueme prej Qeverisë Mbretnore”. (Sipas autorëve të ndryshëm, shkolla e atëhershme filloi si trevjeçare, por në kohë të ndryshme ishte edhe 4, 5 apo 6 vjeçare). Ndërsa tre vjet më vonë, më 1934, në një dokument që ruhet në arkivin e shkollës, në vend të “Diplomë” kemi “Dëftesë lirimi” dhe institucioni quhet “Shkolla Bujqësore për Djem e Institutit Shqiptar-Amerikan”.
“Ylli Kuq”, një emër që vendosej rëndom kudo, përdorej me shumicë në periudhën e sistemit komunist. “Ylli me pesë cepa”, përveçse rëndonte mbi flamurin kombëtar, ai u shumëfishua edhe si emër fshatrash, ndërmarrjesh e institucionesh të ndryshme. Por një gjë duhet të dijë lexuesi: nuk e di pse, por shkolla jonë nuk njihej kurrë me këtë emër. (Dhe nëse ky emër nuk do të qe i shkruar në një tabelë prej xhami, nuk do të na kujtohej asnjëherë). Në Olimpiada, konkurse, shfaqje teatrale, pjesëmarrje në punë fizike etj., ajo thirrej zyrtarisht “Shkolla e mesme bujqësore e Golemit” ose më shpesh, “Shkolla e Golemit”. “Golemasit”, një emër që i bashkonte të gjithë ata që kishin mbaruar këtë shkollë dhe të gjithë pa përjashtim ndiheshin krenar që kishin qenë në ato banka. Dhe emri që i shkonte më për shtat ishte: “Teknikumi bujqësor i Golemit”.
Sot shkolla e Golemit ka emrin që vërtet e ka merituar qysh në themelimin e saj: “Telford Erickson”. Sipas historikut tashmë të njohur prej nesh, dy burra e ngritën, e fuqizuan dhe e kujdesuan atë shkollë, nga fillimi e deri më 1939: Eriksoni dhe Ahmet Zogu. Për të qenë më afër realitetit dhe në respekt të së vërtetës, shkolla mund të kishte emrin e dyfishuar: “Telford Erikson-Ahmet Zogu”. Por kjo nuk është një kërkesë apo sugjerim, është thjesht një mendim për të shprehur kontributin e gjithsecilit. Gjithsesi emrat për këtë shkollë nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe: ajo prapë do të vazhdojë të njihet si “Shkolla e Golemit”.
Një kolegj i vërtet…
Në Shqipëri zakonisht nuk e kemi përdorur fjalën “kolegj”, për të emërtuar institucionet arsimore civile. Në të vërtet kjo fjalë ka ekzistuar edhe te ne, por më tepër kur kemi thënë “kolegj”, kemi pasur parasysh kryesisht shkollat fetare. Të tillë kanë qenë, fjala bie, “Kolegji françeskan” i Shkodrës, “Kolegji i Troshanit” në Lezhë etj, që fillonin nga klasat e ulëta deri te ato të lartat. Nëpër botë ka edhe shkolla civile që quhen kolegje. Kolegjet, të paktën ato fetare në vendin tonë, kujtohen për disiplinën e rreptë që kanë pasur në funksionimin e tyre. Kjo si për mësimdhënësit ashtu edhe mësimmarrësit, po i quaj nxënësit.
Duke lexuar këto ditë kujtimet në dorëshkrim të priftit të ndjerë nga Tuzi, At’ Kolë Berishaj, për jetën e tij si nxënës në kolegjin françeskan të Shkodrës gjatë viteve ‘30-të, m’u kujtua jeta ime si nxënës në shkollën dhe konviktin e Golemit. Mes të tjerave, dy gjëra veçova: zgjimin e mëngjesit me komandë në orën 5:30 si në ditë me diell ashtu edhe me shi, si në verë si në dimër dhe së dyti; studimin e organizuar të mëngjesit, përpara fillimit të mësimit. Pastaj ngjashmëria vijonte në të 24 orët e ditënatës. (Para disa muajsh po i kujtoja Luan Xhevizit, shokut tim të klasës, i cili është nga Golemi dhe sot mësues në këtë shkollë, lakminë që ua kishim ne konviktorët, “vendalive” që nuk i nënshtroheshin rregullave të konviktit. –Por kjo ishte për atëherë, Luan, – i them unë).
Është e natyrshme që, jo të gjithë “golemasit” kanë ndjekur fakultetet pas teknikumit, por për diçka jam i sigurt: teknikumi i tyre është baras me fakultetin e disa të tjerëve. Nëse unë jam bërë dikushi në jetë (këtë nuk e di se sa) meritën për jashtë familjes, e ka “kolegji” i Golemit.
Konvikti në themelet e Universitetit Ballkanik
Aty ku sot e prej dhjetëra vitesh, ndodhet konvikti i shkollës së Golemit, kanë qenë hedhur themelet e një godine të një sipërmarrjeje ambicioze: ndërtimi i një universiteti ballkanik. Në të njëjtën kohë pothuaj me Eriksonin, një amerikan tjetër, i quajtur Irving, më 1926 filloi punimet për ndërtimin e kësaj ndërtese. Meqenëse ky nuk arriti të realizonte çfarë kishte nisur, godinën e mori në administrim Erikson nëpërmjet shoqatës së tij. Me marrjen e kësaj ndërtese, sipas shënimeve që janë botuar, Eriksoni duke parë ecurinë e shkollës bujqësore, filloi të mendonte që ta shpinte vetë më tutje projektin e bashkëkombësit të vet. Ai e parashikonte atë si një universitet të madh që do të ofronte bursa për të rinjtë e të gjitha vendeve të rajonit… Nejse, unë nuk dua të tregoj më tepër për këtë ide që sillej në atë kohë në kokat e amerikanëve që na donin të mirën, se sa dua të them për të veçantën që ndjenim ne nxënësit e Golemit për këtë godinë: ne flinim në një konvikt, që në fillesë ishte menduar të bëhej universitet. Kjo është e vërtet, ndiheshim krenar sa për shkollën aq edhe për konviktin.
Vitet kalojnë, agronomia mbetet
E fillova me universitetin-konvikt për të kaluar te drejtimet, degët që kishte shkolla. Që në krijimin e saj, shkolla e Golemit ishte dydegëshe: bujqësore për djem dhe ekonomi shtëpiake për vajza. Këtu ndoshta qëndron edhe “ngatërresa” që bëhet për vitin e themelimit të shkollës. Si shkollë për vajza, ka filluar më 1925 dhe si shkollë bujqësore për djem, në shtator të vitit 1926.
Kanë fryrë shumë erëra, (kështu shprehet populli për të vënë në dukje një kohë të gjatë që ka kaluar), qysh se është krijuar shkolla e Golemit. Përgjatë viteve mund të ketë pasur dy, tri apo më shumë degë. Gjithçka mund të ketë ndryshuar, por një gjë i ka mbetur e pacenuar: drejtimi bujqësor, dega e agronomisë. Në të 90 vitet e jetës së saj ajo nuk ka reshtur së përgatituri teknikë të aftë për teknologjinë bujqësore. Ashtu si në programet e themeluesve të saj, “të kemi specialistë për një fermë komplekse bujqësore”, “për përgatitjen e administratorëve dhe biznesmenëve bujqësor” etj., shkolla bujqësore e Golemit nuk e ndryshoi drejtimin: qindra agronomë të mesëm që dilnin nga bankat e kësaj shkolle, ose shkëlqyen në fushat e prodhimit me aftësitë e tyre teknike ose drejtoheshin nga Universiteti Bujqësor ku dallonin prej studentëve të tjerë për dijet teorike dhe praktike kryesisht, që kishin marrë në këtë shkollë. Me dhjetëra shkencëtarë të fushës së bujqësisë që bënë emër brenda e jashtë vendit, ishin nxënës të këtij teknikumi: Lufti Bajrami, Sali Kubati, Dhimitër Muço, Ilia Pali, Sotir Pasko, Shkëlqim Agolli, Polo Çakalli, Palokë Kolnikaj, Ibrahim Kumria etj., dhe qindra të tjerë zunë vend nderi në bujqësinë dhe ekonominë lokale.
Dy degët tradicionale të shkollës, pas vitit 1945 qenë agronomia dhe zooteknia. Madhështia e degës së agronomisë asnjëherë nuk u zbeh as kur në vendin tonë lulëzuan shkolla me emër në këtë drejtim si ajo e mesme bujqësore e Kamzës, bujqësore e Peshkopisë, e Fierit, Korçës etj. Krenaria e “të vajturit të fëmijëve në këtë shkollë”, ekzistonte edhe atëherë kur rëndom u hapën mbi 340 shkolla të mesme bujqësore në të gjithë republikën, në çdo fshat të bashkuar.
Pas vitit 1990, megjithë ndryshimet në sistemin e arsimit bujqësor parauniversitar, drejtimi bujqësor në Golem vazhdoi e vazhdon të mbetet edhe sot. Nëse qindra shkolla të mesme bujqësore në Shqipëri u kthyen në të mesme të përgjithshme, në Golem fillimisht mbeten të dy degët bazë të trashëguara, por u shtua edhe një klasë gjimnaz, thjesht “sa për të qenë fara”, por dhe për të përmbushur kërkesat e zonës përreth e për të mos mbetur “pas të tjerëve”. Por “garën”, se kush e heq e para drejtimin bujqësor, Golemi ua la shkollave të tjera.
Agrobiznes, një emërtim që nuk tremb
Po ta vini re, sot emërtime të tilla si: shkolla e mesme bujqësore, teknikumi bujqësor etj, të kësaj natyre, me emra që kanë si rrënjë fjalën bujqësi, nuk ekzistojnë. Të gjithë po kanë frikë nga bujqësia, si aktivitet po e po, por edhe nga vet fjala. (Po kur ka frikë qeveria, si të mos kenë fëmija). Unë nuk e di se ku duam të shkojmë nëse nuk do të ketë në të ardhmen njerëz që të dinë të punojnë në bujqësi. Që të dinë se si të mbjellin e shërbejnë bimëve, të krasisin pemët, të ngasin mjetet bujqësore, si të ushqehen kafshët. Gjyshërit apo baballarët që dinë, nuk do t’i kemi një ditë. Që të mos trembim fëmijët dhe të mos ndihen të fyer (O Zot, ku kemi mbërritur!) se po studiojnë për të punuar në bujqësi, shkollave të pakta apo degëve brenda këtyre shkollave që na kanë mbetur në Shqipëri, ua kemi vënë emrin “agrobiznes”. Kështu ka ngjarë edhe me Golemin. Sot në Golem ka tre degë: agrobiznes, që unë po kam dëshirë me i thënë “bujqësore”, nga një klasë në të katër vitet; ekonomik në të katër vitet si dhe këtë vit është hapur një degë e re: veterinaria. Por sido që të përparojë “ekonomiku” (dhe ka përparime), Golemi vonë do të fitojë statusin që kanë pasur në këto degë shkollat e Beratit apo Lezhës. E aq më tepër veterinaria e brishtë, kur do të arrijë të ketë emrin që ka pasur shkolla veterinare në Shkodër? Kështu që Golemit i uroj të përparojë e të mbajë gjallë emrin e vet të pakonkurrueshëm: atë të teknikumit bujqësor. Shpresoj se, pas tranzicionit të gjatë, do të na kthehet edhe dashuria për t’u marrë me bujqësi: në praktikë e në teori.
“Ikonat” hiqen nga muret
Alqi Dhrami, një ndër mësuesit e fizikës në kohën tonë (1975-1979), ishte në grupin e mësuesve më të rinj të shkollës. Edhe ky, si shumë prej pedagogëve të vjetër me emër të kësaj shkolle, është banor i qytezës së Golemit. Si i tillë, në fillim të viteve ‘90-të, ai mbeti mësuesi i vetëm, që lidhte dy epoka të saj: para dhe pas vitit 1990. Të tjerët kishin dalë në pension apo nuk jetonin më dhe më të rinjtë ishin transferuar në shkolla të tjera. Falë moshës dhe përvojës së gjatë, në fund të viteve ‘80-të dhe në fillim të viteve ‘90-të ai ishte zëvendësdrejtori i shkollës. Gjatë kohës kur ushtroi aktivitetin e tij si mësues, jetoi lulëzimin e teknikumit, si një shkollë kombëtare e me emër në të gjithë republikën, lëkundjet dhe riorganizimin e saj si një shkollë më tepër lokale e rajonale, (madje edhe braktisjen e saj me grupe nxënësish në pranverën e vitit 1991, kur dhjetëra djem e vajza mësynë portet si shumë të rinj shqiptarë për të emigruar) si dhe pikën më të ulët, që e konsideron ai, vitin 1999, kur numri i nxënësve ra në maksimum. Edhe pse në këtë pikë, këtë vit ai ka guximin të marrë drejtimin e shkollës.
-Pas dy vitesh- kujton ai- hapëm një degë të re, Turizmin. Ishte kjo degë që ne na shpëtoi shkollën nga mbyllja. Në vitin 2001 u regjistruan rreth 200 nxënës në këtë degë dhe kjo na mbajti gjallë.
Madje pati regjistrime edhe prej rretheve të tjera, jashtë Durrësit e Kavajës. Pothuaj u përtëri tradita e vjetër që ishte dikur me bujqësoren. Një vit më vonë, pas këtij suksesi, më 2002 “veteranin” e heqin si drejtor të shkollës dhe në vitin 2011 e transferojnë edhe si mësues në shkollën 9-vjeçare të zonës.
Natyrisht, unë nuk them se Alqi Dhrami ishte më i miri i mësuesve që na dhanë mësim. Atje ka pasur shumë të tillë dhe ishin të tjerë përpara tij. “Më i miri” ishte vështirë të ishe dhe këtë nuk e përcaktoj unë. E quajta “ikonë” për arsyet e sipërpërmendura. E quanim ikonë ne brezi ynë, sepse kur bënim vizitë në Golem vitet e fundit, vetëm prania e tij na lidhte me kohën kur studionim në atë shkollë. Megjithatë, lëvizje dhe emërime të tilla pa kriter në arsim, nëse nuk prekin cilësinë e mësimdhënies apo nuk cenojnë historinë e shkollave të tilla, edhe këto “ikonë”, nuk ka gajle se gërvishtin nostalgjinë tonë.
“EDE” Golem
Ekonomia Didaktike Eksperimentale, EDE e Golemit, ishte (ishte, sepse nuk është më) në miniaturë një fermë bujqësore, drejtori i së cilës ishte njëkohësisht edhe drejtor i shkollës së Golemit. Kjo formë organizimi është e vjetër sa edhe vet shkolla. Pavarësisht emërtimeve, si “fermë” apo thjeshtë si “tokë private” e shkollës, për një teknikum bujqësor që përgatitë personel teknik për bujqësinë, toka është “ajri i shkollës”. Aq sa nuk bën një fakultet mjekësie pa “Qendrën Spitalore Universitare”, edhe një shkollë profesionale, në këtë rast bujqësore, nuk funksionon pa një qendër didaktike eksperimentale, në një sipërfaqe të caktuar toke. Qysh në vitin 1922, kur Erikson mendonte për shkollën bujqësore, i kërkonte qeverisë shqiptare t’i jepte tokë në një zonë që ishte në pronësi të shtetit, ku përveçse të ngrinte “Kolegjin Kombëtar të Bujqësisë”, të kishte edhe “një fermë model dhe stacion eksperimental” pranë këtij kolegji. Në vendin ku është shkolla (sot dhe dje) dhe ku ishte ekonomia deri në vitet 90-të të shek. të kaluar, për këtë sipërfaqe toke, Eriksoni i shkruante sekretarit të shtetit për tregtinë, Hoover, i cili më vonë u bë President i SHBA-ve, se qeveria shqiptare i kishte dhënë një donacion prej 300 ha tokë. Dhe kjo tokë “e mirë për kultivim bujqësor…ishte një tokë pjellore dhe gjendej pesë milje larg nga qyteti i Durrësit”.
Prej asaj kohe e deri nga mesi i viteve ‘90-të, kur shkolla do të mbeste fillikat pa bazën eksperimentale-didaktike-prodhuese si “peshku pa ujë”, pak ndryshime do të kishte në programin mësimor-teknik-prodhues të shkollës së Golemit. Sipas dokumentacionit të mëvonshëm, përsëri Ekonomia Didaktike do të ishte një fermë bujqësore prej 300 ha tokë e do të përbënte “një administratë” së bashku me shkollën. I vetmi ndryshim më vonë do të ishte te numri i orëve të praktikave, i cili në kolegjin shqiptaro-amerikan, përbënte themelin e programit. Nëse atëherë nxënësit ngriheshin që me natë për të shkuar në stalla apo fusha për të bërë punët bujqësore e blegtorale, me krah apo me mjete mekanike, më vonë këto punë do të kryheshin nga fuqia punëtore e fermës dhe nxënësit kryenin atje vetëm praktikat mësimore, pa qenë të detyruar të punonin me normë të plotë.
Sot, pesë milje larg Durrësit…
Përpara 90 viteve, pesë milje larg Durrësit (ashtu siç i shkruante Erikson, Hoover-it), “lindi” një shkollë e madhe. “E madhe” në të gjitha përmasat: me nxënës (djem e vajza), me mësues amerikanë e shqiptarë, me programe të modernizuara mësimore teorike e praktike dhe mbi të gjitha me një fermë didaktike që të siguronte “trajnimin e të rinjve shqiptarë në një bujqësi moderne shkencore në të gjitha degët e saj”. Sot, është dhe nuk është më ajo shkollë. Shkatërrimi i Ekonomisë Didaktike dhe përvetësimi i asaj sipërfaqeje toke që ishte për dhjetëra vjeçarë pronë e një institucioni arsimor-bujqësor, është treguesi më i qartë se sa në mënyrë të padrejtë veproi Ligji i tokës në qindra raste në Shqipëri, duke shpërfillur të drejtat elementare të pronësisë. Natyrisht që në këtë “kasaphanë” të abuzimeve me tokën bujqësore, në zona të tilla të lakmuara si ajo e Golemit, nuk kishte si të shpëtonte nga kafshimi një copë kaq e madhe. E njëjta gjë, të themi të vërtetën, do të ndodhte edhe në Velipojë, Shëngjin apo në çdo zonë bregdetare shqiptare (është koha e zhvatjeve të pasurisë kombëtare po e po, por edhe “e pasurisë së tjetrit”). Por, të katandiset ekonomia e kësaj shkolle model në vetëm pesë ha tokë, edhe kjo pa asnjë dokumentacion pronësie, është një abuzim që mund ta bëjnë pushtetet vetëm në Shqipëri.
Çdo drejtor shkolle që ka tentuar të mbrojë sadopak të drejtat e shkollës në këtë sferë, është pushuar nga puna. Kështu ka ndodhur me Alqin, kështu ndodhi edhe me drejtorin e fundit Hilmi Xhaferri. Kështu do të ndodhë derisa shkollën do ta drejtojnë joprofesionistët ose ata që nuk i lidh asgjë me arsimin apo me historinë 90 -vjeçare të institutit shqiptar-amerikan të Golemit.
*Ish-nxënës i kësaj shkolle