Shqipëria fantastike e De Biasit

Nga Alfred Lela

Në Francë, Kombëtarja shqiptare ka qëndruar 89 minuta dhe është mundur në tre. Ky duket si një vazhdim i keq, po të kesh parasysh se një fillim edhe më shumë i tillë, mund të konsiderohet humbja 0-1 me Zvicrën; shto edhe daljen me të kuqe të kapitenit Lorik Cana. Shkurt, në dy ndeshje zero pikë, asnjë gol të shënuar dhe tre të pësuar.

Çfarë ka atëherë prej mendjemadhësie, naiviteti dhe keqkuptimi, në titullin e këtij editoriali, që e lejon fantastiken dhe Shqipërinë në të njëjtën fjali? Disa gjëra, në fakt. Duke filluar prej dorës që po na japin ndeshjet e kombëtares shqiptare, e më pak edhe të të tjerave, për ta futur në vise të amnezisë atë që ndodh tjetërkund në sferat shoqërore, e më shumë se askund në politikë. Përfaqësuesja jonë, me në krye një italian, na ka ndihmuar të harrojmë, dhe përçmojmë ndoshta, luftën politike të brendshme, të përqendruar te togfjalëshi ‘reformë në drejtësi’. Bashkë me Bashën, Ramën, Berishën e Metën, turmat e vlagëta që mbushin sheshet dhe baret me sytë ngulur nga ekranet e projektorëve apo tv-ve, kanë futur në xhepin e vogël edhe kusurin e ndërkombëtarëve: Vlahutin, Lu e të tjerë. Duke jetuar me këshillat, nervat, emocionet dhe grintën e një ndërkombëtari të vetëm, të shqiptarizuar tashmë, Gianni de Biasi. I cili, i vetmi, e ka kryer Drejtësinë e tij duke reformuar futbollin shqiptar.

Shqipëria ka edhe një ndeshje tjetër nesër, e cila mund të jetë e fundit: luan si më e pabarabarta e grupit me më të barabartën e vet, Rumaninë. Përllogaritjet janë cinike e meskine dhe i ngjajnë bastit politik: A do të dalë Meta nga koalicioni me Ramën; a do të ketë një qeveri të vjetër në vend të një tjetre që u vjetrua po aq shpejt sa ajo që zgjati 8 vjet; a do e vendosin amerikanët ‘vijën e kuqe’ për Bashën e të tijtë; a kthehet gjithmonë Berisha te fatum-i i pashmangshëm i një përplasjeje me amerikanët, sikur ta kish për herë të parë e kurrë të fundit? E me radhë, të tilla hetime, që herë na nxjerrin në turin tjetër të garës europiane, e herë na vizatojnë kuq e zi në Rinas, me kryet ulur por ‘pa krye në hi’. Të paktën në futboll.

Të dielën nuk dihet çfarë ndodh. Të mësuar me Shqipërinë heroike – çfarë ishin tjetër ndeshjet me Zvicrën dhe Francën përveçse dy Simfonive Heroike – ndoshta me zor do ta pranojmë një skuadër që merr tri pikë përmes një loje të vakët në një fitore ku përzihen kërcitjet e trillit dhe letrat e fatit. Apo, aq të djegur jemi për ato dy barazime që na janë ‘hequr’, thuajse përdhunshëm, nga imagjinarja e triumfit, sa një treshe pikësh do të ishte bash trinia e shenjtë ku do të varnim faljen dhe shpresën kombëtare të radhës?

Kush mund të thotë, përveç parashikuesve, që me anë të parashikimeve trembin frikën që u banon përbrenda.

Shqipëria ka qenë fantastike. Marka Made in Albania asnjëherë më parë nuk është konsumuar botërisht nëpërmjet një mediumi si televizioni; me anë të një sporti global si futbolli; në një shkallë të tillë ku përzihen kureshtja për të panjohurën dhe tjetrin e çuditshëm; apo dhe brerja njerëzore për t’u identifikuar me the underdog. Davidi kundër Goliathit nuk pushon së qeni një duel që të mban frymën pezull.

Të përziera në këtë koktej të fantastikes kanë qenë, sa bukuria e vajzave shqiptare, aq edhe një lloj përunjësie e burrave: nëse e para ka qenë e gjithmonshme, e dyta thuajse nuk ka ndodhur kurrë. Ndoshta, edhe të kompleksuar me namin e keq që gëzojnë shqiptarët, burrat kanë kënduar e vallëzuar në vend të mujsharisë së zakonshme. Edhe kanë lotuar hidhërimin për Shqipërinë, që si gjithmonë shkonte deri aty e mu aty, thyhej. Skënderbegshëm duronte tre rrethime e shembej te i katërti.

Të mos mënojmë që t’i japim kreditet aty ku ato takojnë për këtë orë fantastike të Shqipërisë: globalizmit, kapitalizmit, liberalizmit. Për të gjithë vrerin që nxjerrin bulshinjtë e sovranistëve, majtistëve e të tjerë hard liner-ash, linjash tashmë të vdekura e pa demarkacion, Shqipëria e këtij qershori ka pasur globalen si shenjën më të dukshme. Mund ta gjesh kozmopoliten gjithkund te ky ekip, duke filluar që nga italiani De Biasi; te djemtë që luajnë në të gjithë cepat e Europës e deri në Amerikë; te prejardhja e tyre që varion nga emigrantët e brezit të parë apo të të dytit; te përzierja e birit të shqiptarit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Presheva a Diaspora. Për të mos folur për babelin e gjuhëve.

Kombëtarja e futbollit e bëri Shqipërinë me një Made in Albania kolektiv. Kur të zbresin në Rinas, në fillim të javës apo më vonë, me këtë vetëdije duhen pritur. Në ndeshjen me Francën ne pamë përballjen e heroikes me cilësinë. Në fund, fitoi cilësia. Por, gjithmonë kështu nis jeta e gjërave: në fillim është një akt krijues apo flijues, i cili nuk ndodh kurrë pa heroiken. E presim edhe cilësinë. Dhe do të na mbërrijë. Ndërkohë, kemi qenë bashkëkohës dhe dëshmitarë të Simfonisë Heroike të Shqipërisë së De Biasit dhe kjo nuk është pak.

SHKARKO APP