Shqipëria pa investime

 

Nga Jorida Tabaku*

 

Për të tretin muaj me radhë, të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat vërtetojnë se politika fiskale me taksa të larta (aplikuar nga mazhoranca e 1 Prillit) nuk i ka shërbyer rritjes së të ardhurave nga këto drejtori. Megjithëse të ardhurat në total janë rritur, këto nuk kanë ardhur si pasojë e politikave fiskale apo luftës ndaj informalitetit. Rritja ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike (pra qytetarët paguajnë më shumë) dhe të ardhurave të tjera jo tatimore që lidhen me shitje të ndryshme apo privatizime.

Që të flasim për të ardhurat e kësaj qeveria, duhet të shohim zërin e Tatimeve dhe Doganave, sa është sasia që ato i sjellin qeverisë në këto muaj?! Sasia është po aq sa çka qenë në vitin e shkuar, duke dëshmuar dy fakte që janë tronditëse a) në Shqipëri është rritur informaliteti apo dhe b) bizneset po mbyllen! Cilado prej tyre qoftë, tregon se vendi është pranë një kaosi dhe krize që nuk do të kalojë dhe kaq lehtësisht. Eksodi i shqiptarëve të të gjitha ngjyrave e tregon më së miri këtë gjendje të mjerueshme.

Nëse vite më parë vendi jonë dallohej për avantazhe të shumta në fushën e thithjes së investimeve të huaja, sot rritja e taksave e tatimeve ka sjellë si rezultat uljen e investimeve të huaja. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë flasin për një rënie të investimeve (2013-2014) me rreth 100 milion euro. Para që i hiqen ekonomisë sonë, para që i largohen qytetarëve, para që i ikin qeverisë që nuk po qeveris. Si rrjedhojë, papunësi më e madhe, mjerim më i madh dhe Shqiptarë që largohen.

Institucionet ndërkombëtare e rendisin vendin tonë, poshtë vendeve të rajonit për shkak të një gjendje politike të rënduar, të taksave të larta. Merrni rastin e vendeve si Serbia, Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia të cilat konkurrojnë me nivele taksash të ulëta. Qeveritë e tyre, përpiqen të përthithin investimet e huaja duke u kryer subvencione, duke konkurruar me lirinë e krahut të punës ndërkohë që qeveria jonë konkurron me barsaleta. Për rrjedhojë vendet e rajonit janë rritur mesatarisht me 35% investimet e huaja ndërkohë që vendi jonë i ka zvogëluar me 13% brenda një viti!

Në katër vite në krye të Bashkisë Tiranë e mbi të gjitha në 8 vite të qeverisjes demokratike, vizioni jonë për fiskun dhe ekonominë e vendit tonë ka qenë “Taksa të ulëta, taksa të ulëta, taksa të ulëta”. Ky do të jetë dhe misioni dhe vizioni jonë edhe nesër në cdo pushtet lokal, do të ulim taksat dhe brenda të gjitha mundësive ligjore do t’i japim dorë dhe ndihmë investimeve të huaja dhe biznesit vendas. Duke e ndihmuar dhe çliruar biznesin nga thundra e një keq-qeverisje të bazuar në taksa të larta aq sa të vdesë biznesin. Oferta jonë e re është oferta e punës, e sipërmarrjes, oferta e tregut të lire!

*Deputete e PD

SHKARKO APP