Shqiptarët që ikin dhe shqiptarët që vijnë në Shqipëri
Nga Roland Qafoku
Është fatkeqësi e madhe për Shqipërinë, kur qytetarët e saj e konsiderojnë atdheun një vend të përkohshëm! Vargu i atyre që ikin nga ky vend nuk mbaron dhe popullsia e atdheut tonë tkurret e tkurret, përmes një dukurie që gjithashtu nuk paska fund. Ardhja e emigrantëve si pushues verorë ose siç quhen me pa të drejtë turistë të huaj, është më shumë një përmallje e tyre me familjen dhe vendin që kanë braktisur, se sa një dëshirë për tu kthyer e për të jetuar këtu. E vërteta është se ka edhe kthime, por numri i atyre që ikin është shumë herë më i lartë dhe Shqipëria jonë e vogël, po zvogëlohet në atë mënyrë që statistikat janë të zymta, por parashikimet janë edhe më të zymta. Nëse një fenomen i tillë kishte një justifikim të madh në periudhën e 1990-1994, por edhe gjatë trazirave të vitit 1997-1998, habia e të gjithëve është se vala e re e madhe e emigrantëve nuk paska të mbaruar, as në ditët që jetojmë. Ajo rinisi pothuajse me të njëjtën masë në vitin 2016-2017 dhe vazhdon edhe këto ditë me të njëjtin pasion dhe dëshirë, duke përdorur shprehjen demoralizuese: “Të ikim nga sytë këmbët”. Sipas INSTAT-it, nga viti 1990 deri në vitin 2007, nga Shqipëria janë larguar 710 mijë persona, mes tyre 390 janë meshkuj dhe 320 mijë femra. Nga viti 2007 deri më 2011, pati një qëndrueshmëri dhe lëvizjet kanë qenë të papërfillshme, por kjo zgjati vetëm 4 vjet. Po sipas INSTAT, nga viti 2011 deri më 2017, janë larguar nga Shqipëria 330 mijë shqiptarë si emigrantë. Pra, nëse në 17 vjet janë larguar 710 mijë persona, në 6 vitet e fundit janë larguar pothuajse edhe gjysma e kësaj shifre. Kjo nuk përbën alarm, kjo është një thirrje piskamë. Është një sirenë dhe gong i madh për kombin. Të çfarëdolloj të jenë arsyet ose justifikimet, ajo që na tremb është se vendi po boshatiset dhe nëse parashikimet do të rezultojnë të sakta, rrezikojmë asimilimin. Natyrisht që fajtori nuk është një, dy ose tre qeveritarë dhe kryeministra. Fajtore është klasa politike shqiptare në këto 28 vjet, që nuk ndërtoi Shqipërinë që deshëm, por një vend që shumica e quan të përkohshëm. Pra, atë që nuk e bëri asnjë dukuri pushtuese dhe dhunuese ndaj këtij populli në mesjetë e në kohët moderne, po na ndodh tani kur nuk duhet të ndodhte kurrë. Në intervistën që unë i mora kryeministrit Edi Rama më 1 mars të këtij viti, ai u duk pothuajse i dorëzuar, teksa përmendi fjalët se është e pashmangshme dhe e pafrenueshme si dukuri, sepse nuk e ka shmangur dhe nuk e ka frenuar askush:
“Është një dukuri e pafrenueshme me asnjë lloj instrumenti që kemi në dispozicion, se po të ishte ashtu do ta kishin frenuar të paktën polakët. Po marr Poloninë, që është shembulli më i suksesshëm i integrimit europian. Që kanë një masë të madhe njerëzish që ikin dhe është një masë e konsiderueshme”.
Kryeministri Rama dha zyrtarisht disa shifra, sipas të cilave më 2011, janë larguar nga Shqipëria 55.162 persona, në vitin 2012 janë larguar 52.307, më 2013 janë larguar 49.425 persona, më 2014 janë larguar 46.525, në vitin 2015 janë larguar 41.443 persona, më 2016 janë larguar 32.542 persona dhe më 2017 janë larguar 39.905 persona.
Këto shifra bëhen edhe më të rënda pas publikimit të studimeve që kanë bërë disa institucione të specializuara për emigracionin. Sipas Barometrit të Ballkanit, 50 për qind e popullsisë shqiptare kanë në plan të largohen nga Shqipëria. Ndërsa në qershor 2017 sipas Gallup, 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen, duke na renditur në vend të dytë në botë, pas Sierra Leones. Kjo është shifra më e rëndë, më e frikshme, më demoralizuese dhe gati shfarosëse për shqiptarët, në historinë e vjetër dhe të re. Nuk u shuajt shqiptari as nga kolera e fillim shekullit të kaluar, as dy nga luftërat botërore, as nga komunizmi, as tranzicioni i parë i madh i postkomunist, as viti 1997, por e shkatërron ideja për ta kthyer atdheun në një vend të përkohshëm. Vërtet që Polonia nuk e ka frenuar këtë dukuri, por një vend me 40 milionë banorë nuk është njësoj si Shqipëria jonë e vogël, me 2.8 milionë banorë. Vërtetë që në vitin 2017, nga Kroacia u larguan 50 mijë persona, por përpos popullsisë dyfish më lartë se e jona, Kroacia ka një standard jetese shumë herë më të lartë se ne, për më tepër që është anëtare e BE-së.
KTHIMET
E vërtetë është se ka shqiptarë që kthehen, por kthimet janë shumë herë më të vogla se sa largimet. Në historinë e shtetit shqiptar nuk është arritur rasti i dytë fatlum, si ai i vitit 1924 kur në krye të qeverisë erdhi imzot Fan Noli. Vetëm nga besimi dhe pritshmëritë, nga SHBA u kthye në Shqipëri 6 mijë emigrantë, me besimin se Shqipëria më në fund do të bëhej. Kjo është shifra më e lartë e kthimeve për numër të popullsisë, që në atë kohë nuk numëronte më shumë e 500-600 mijë. Pra, i bie që është kthyer 10 për qind e popullsisë. Pavarësisht se edhe ata u zhgënjyen shumë, është një nga kthimet pothuajse epike. Por togfjalëshi Shqipëria do të bëhet, vazhdon të përdoret edhe pas afro 100 vjetësh, që më shumë ka kuptimin se nuk është bërë, se sa optimizmi që po bëhet. Vetë kryeministri Rama ka dhënë disa shifra zyrtare. Sipas tij, më 2011 kanë ardhur 36.967 persona. Në vitin 2012, janë kthyer 32.534 persona. Në vitin 2013, janë kthyer 28.624 persona. Në vitin 2014, janë kthyer 24.740 persona. Në vitin 2015, janë kthyer 20.843 persona. Në vitin 2016 janë kthyer 23.060 persona. Në vitin 2017, janë kthyer 25.003. A janë inkurajuese këto shifra? E vërteta është se janë shumë shumë pak. Këta të kthyer u ngjanë më shumë zogjve shtegtarë që kurrë nuk kanë një atdhe të tyre, por rendin sezoneve dhe stinëve për të provuar klimën. Dhe më e rëndësishme se kaq, bilanci i të kthyerve me ata që ikin, është i tillë që diferenca është shumë e madhe. Pra, këto lloj kthimesh janë pothuajse të pa vlera.
LËNIA E NËNSHTETËSISË
Heqja dorë nga nënshtetësia shqiptare, është një tjetër dukuri që po e tkurr vendin dhe që flitet pak ose aspak. Vërtet kemi emigrantë që janë larguar nga Shqipëria, por një pjesë e tyre vazhdojnë të kenë nënshtetësinë shqiptare ose dy nënshtetësi. Kështu që, të dhënat zyrtare tregojnë se numri i atyre shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe disponojnë nënshtetësi shqiptare, është shumë i vogël në krahasim me ata që kanë hequr dorë nga nënshtetësia. Kështu, sipas një raporti të Komisionit Europian për Migrimin dhe Azilin, në vitin 2003 në Greqi jetonin 434.810 shtetas shqiptarë. Sipas ISTAT-it, në vitin 2006 në Itali, jetonin 348 mijë shtetas shqiptarë. Në vitin 2005, në SHBA sipas regjistrimit të popullsisë, jetonin 113.661 shtetas shqiptarë. Por në dekadën e fundit numri i atyre që kanë lënë nënshtetësinë me anë të dekretit të Presidentit të Republikës, është shumë i lartë në raport me numrin e popullsisë. Tashmë është kthyer në një rutinë, por janë shumë shqiptarë që kanë hequr dorë nga nënshtetësia dhe shteti shqiptar nuk i pengon. Natyrisht, është e drejta e çdokujt të heqë dorë nga nënshtetësia, por duhet të gjenden mekanizma që tashmë kjo është kthyer në dukuri e duhet të reduktohet. Nga ana tjetër, e vërtetë është se ka edhe qytetarë që marrin nënshtetësinë shqiptare. Por në të shumtën e rasteve, ata janë shtetas të huaj dhe më së shumti ende janë shqiptarë të Kosovës, që disponojnë një shtetësi tjetër dhe marrin një shtetësi të dytë shqiptare. Vetëm nga janari deri më sot, kanë lënë nënshtetësinë shqiptare 313 persona, ndërkohë që po në këtë periudhë kanë marrë nënshtetësinë shqiptare 32 persona mes tyre dhe Kryepeshkopi i Kishës Katolike nga Malta, Anthony Alfred Frendo. Pra, raporti i atyre që lënë nënshtetësinë me ata që marrin nënshtetësinë, është 1 me 10. Ky raport ka qenë edhe më i lartë në 5 deri në 10 vjet më parë, por gjithsesi një dukuri e tillë duhet të frenohet. Ashtu siç duhet të frenohet largimi masiv nga vendi si emigrantë. Ka vetëm një zgjidhje madhore për të frenuar ikjen e shqiptarëve dhe ardhjen e shqiptarëve në Shqipëri: Ta bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm, për ne dhe fëmijët tanë! Vetëm kështu do na ndodhë ajo që ndodhi në vitin 1924 kur 10 për qind e popullsisë shqiptare u kthye në atdhe nga SHBA, sepse besonin se Shqipëria do bëhej. E urojmë të ndodhë përsëri! Por ama, pa pësuar zhgënjim.
Gazeta “Albanian Free Press”