Si mund të rikthehen të djathtët e zhgënjyer te PD
Nga Eduard Zaloshnja
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press
Kur PD-ja fitoi zgjedhjet për herë të parë (në vitin e largët 1992), për të votuan 1 milion e 60 mijë zgjedhës nga 1.6 milion pjesëmarrës (përkundrejt 460 mijëve që votuan për të para një muaji, nga 1.6 milion pjesëmarrës). Në fillim të viteve ’90, nuk zhvilloheshin sondazhe, por mund të thuhet pa frikë se shumica dërrmuese e të persekutuarve dhe të shpronësuarve prej regjimit komunist votuan atëherë për PD-në.
Me kalimin e viteve, votat për PD-në pësuan firo të vazhdueshme. Pavarësisht mungesës së sondazheve, mund të thuhet se kjo firo ndodhi edhe pse PD-ja, dalëngadalë, e humbi mbështetjen e të persekutuarve dhe të shpronësuarve prej regjimit komunist. Le të kujtojmë se në vitin 1994, vetëm dy vjet pas ardhjes së PD-së në pushtet, kjo shtresë zhvilloi një grevë urie, e cila u shpërnda me dhunë nga shteti i drejtuar në atë kohë nga Sali Berisha.
Dhe vijmë në ditët tona, kur sondazhet janë bërë pjesë e natyrshme e jetës publike.
Nga një sondazh që zhvillova para dy vjetësh për fondacionin e djathtë gjerman Konrad Adenauer, rezultoi se 30% e zgjedhësve shqiptarë me banim në Shqipëri janë nga familje që u persekutuan prej regjimit komunist për shkaqe politike ose pronësie (çereku i tyre janë nga familje që kanë patur fillimisht raporte të mira me regjimin komunist, por më vonë u persekutuan prej tij). Duke e përkthyer përqindjen e mësipërme në numra zgjedhësish mund të thuhet se rreth 660 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri i përkasin kësaj shtrese (s’mund ta dimë se sa jetojnë jashtë vendit); jo të persekutuar janë 1,540,000 dhe gjithsej zgjedhës në Shqipëri, 2,200,000 vetë. Dhe sa prej këtyre zgjedhësve votuan në 2013-ën për partitë që e mbajnë veten për të djathta?
Nga sondazhi rezultonte se gjysma e tyre, rreth 330 mijë, votuan për këto parti në zgjedhjet e para katër vjetëve, rreth 120 mijë votuan për koalicionin e majtë dhe 210 mijë nuk morën fare pjesë në votim në totalin prej 660 mijë zgjedhës ish të persekutuar.
Janë pikërisht mospjesëmarrësit e 2013-ës (210 mijë), që mund të konsiderohen si zgjedhës të djathtë të zhgënjyer nga premtimet e pambajtura ndër vite të partive që pretendojnë se janë të djathta.
Teorikisht, ky përbënte një rezervuar të mundshëm të votave për PD-në në zgjedhjet e 25 qershorit. Por rezultati në 25 qershor, sidomos në zonat urbane (ku jeton shumica dërrmuese e ish të persekutuarve), tregoi se pati një korrelacion të fortë mes rënies së numrit të pjesëmarrësve dhe rënies së PD-së, në krahasim me katër vjet më parë. Gjë që shërben si indicie se 210 mijë ish të persekutuarve që nuk votuan për PD-në para katër vjetësh u janë shtuar edhe shumë të tjerë (ndoshta mund të jenë bërë tani 300 mijë).
Që PD-ja të bëhet sërish një parti konkurruese për pushtet, duhet t’i bindë këta qindra mijë ish votues natyralë të saj të rikthehen në kutitë e votimit. Ajo duhet të bazohet në disa pika programore, që APD-ja (Aleanca Popullore për Drejtësi) i kishte në programin e saj, si, dekomunistizimi, muzealizimi, rehabilitimi i ish të persekutuarve të regjimit komunist dhe pronave të tyre, diaspora dhe shteti ligjor.
– KOMUNISTIZIMI – Ndërmarrja e iniciativave ligjore për dënimin dhe korrigjimin e krimeve komuniste, heqjen e titujve dhe dekoratave të diktatorit komunist, nomenklaturës së lartë si dhe të gjithë shpurës të sigurimit të shtetit, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në lidhje me lustracionin.
– MUZEALIZIMI, KURRIKULAT SHKOLLORË DHE VLERËSIMET HISTORIKE – Krijimi i muzeve të kujtesës në vendet e vuajtjes, ballafaqimi i nxënësve dhe studentëve me pasojat e krimit komunist nëpërmjet kurrikulave si me anë të ekskursioneve, ndërtimin e memorialit Kombëtar të Kujtesës në Tiranë së bashku me murin e Nderit, përmbyllja e plagës së gjetjes së eshtrave të viktimave të komunizmit dhe martirëve të lirisë, caktimin e një date përkujtimore, ku i gjithë shteti dhe shoqëria shqiptare në mënyrë solemne të nderojë e respektojë viktimat e regjimit komunist si dhe martirëve të lirisë.
– REHABILITIMI – Përmirësime gjithëpërfshirëse të ligjit të cungët të dëmshpërblimit (përfshirja e dosjeve jashtë afatit, zgjerimi i datës nga 9 nëntor ’41, përfitimi i dëmshpërblimit të internuarve, mos-zbritja nga dëmshpërblimi i vlerës së shtëpive të privatizuara dhe e letrave me vlere, konvertimi në vlera monetare ose asete të letrave me vlerë), përcaktimi i kuotës (15% – 20% të përcaktuara me ligj në programet e punësimit, strehimit dhe arsimit, pension nderi, personave të burgosur politikë dhe të internuar)
– PRONA – Rivendosja e të Drejtës Kushtetuese e shtetasve mbi pronën e mohuar dhe të grabitur nga shteti diktatorial, duke i kthyer pronën subjekteve të shpronësuara në zbatim të nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës duke eliminuar pasigurinë e titujve të pronësisë dhe faturën financiare që imponon legjislacioni aktual si dhe duke mbyllur konfliktet ndërmjet familjeve dhe hequr perfundimisht pengesat për investimet e huaja private, me qëllim realizimin e stabilitetit social dhe ekonomik.
– DIASPORA – Krijimin e një fondi dhe banke investimesh për diasporën (aksesi prioritar i diasporës që disponon know-how dhe mjete financiare në ekonominë e vendit, si p.sh.: projekte me partneritet të bizneseve të diasporës në turizëm, infrastrukturë, bujqësi, energji, industri dhe shërbime), si dhe propozimi i një kuote fikse (jo më pak se 5%) për përfaqësimin e diasporës në Parlamentin e Shqipërisë.
– SHTETI LIGJOR – Mbështetje e fuqishme e Vetingut dhe e të gjithë paketës së reformës në Drejtësi, sipas kërkesave të partnereve tanë strategjike (SHBA dhe BE), si kusht themeltar për mirëfunksionimin e shtetit ligjor në shërbim të interesave të publikut.
Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press
Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press