Sonila Meço: Nesër nis Big Brother-i qeveritar
Gazetarja Sonila Meço, në një postim në Facebook e ka krahasuar krijimin e qeverisë së re dhe nisjen e sezonit politik me atë të edicionit të Big Brother. Meço shkruan se banorët do jenë qeveritarë, të përzgjedhur nga Rama, në cilësinë e Vëllait të madh, të aftë për t’u manipuluar e për të ngjallur debat.
Statusi i plotë:
Nga Sonila Meço
Së shpejti…
Media po konkurohet bindshëm nga kreu i qeverisë: pas lindjes së kanalit më të ri në teknologjinë, që po tërheq vrrullshëm komunikimin, tashmë ai po kopjon edhe formatet më të suksesshme të medias tradicionale.
Nga nesër në mbrëmje nis Big Brother, me banorë qeveritarë. Ka nisur numërimi mbrapsht për njohjen e personazheve të rinj, 24 orë nën vëzhgimin e Vëllait të Madh në Reality Shoë-n më të ndjekur në vend.
Vëllai i madh i ka përzgjedhur në sekretivitet të plotë banorët e rinj. Të aftë të shkaktojnë reagim të fortë në publik, spektakël e thashethemnajë të përvëluar.
Lehtësisht të manipulueshëm për t’u bërë pjesë lojrash psikologjike, intrigash e kulisash, pa punuar e reaguar me kokën e tyre, por duke marrë çdo direktivë nga Vëllai i Madh.
Asnjë buxhet në dispozicion, atë e di Vëllai i Madh. Kush thyen rregullat e formatit të ideuar, realizuar e prodhuar nga Vëllai i Madh përjashtohet, duke u etiketuar si ‘i leshtë’.
Nuk do të ketë nominime, as fitues, por vetëm mbijetues. Publiku nuk do të votojë, por vetëm do komentojë në rrjete sociale.
Lejohen të gjitha sharjet dhe fyerjet. Derisa publiku nuk kish asnjë rol në përzgjedhjen e tyre, duke ia besuar çdo detaj vëllait të madh, nuk ka asnjë të drejtë të gjykojë, por vetëm të paragjykojë, shajë, të hajë veten me dhëmbë, të mallkojë e përjetojë emocionet e një loje për të cilën edhe do paguajë me taksa që ta shohë.
Kush nuk paguan, nuk do ketë sinjal pë të ndjekur live 24/24 Reality Shoë-n më të përgjuar në vend.
Mediat tradicionale do lejohen të transmetojnë vetëm imazhet dhe episodet e përzgjedhura prej vetë Vëllait të Madh e nga ndonjë Vëlla i Vogël, që gjithsesi do të komunikojë sikur të jetë i Madhi.
Kujdes! Vëllai i Madh po vëzhgon.
Nga nesër në aksion.