“Sopata” me licensë mbi pyjet minon moratoriumin 10-vjeçar të qeverisë

Nga Agim Blloshmi.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompanitë e kontraktuara nga bashkitë e Librazhdit dhe Përrenjasit dhe disa banorë të zonave vazhdojnë prerjet e paligjshme të qindra pemëve pa u ndëshkuar, ndërkohë që premtimi për moratorium i qeverisë mbetet në letër.

Mes pyjeve të gjelbëruara mbi fshatin Dardhë të bashkisë së Librazhdit, një duzinë drurësh të lartë ahu janë shenjuar me damka false; një hartë katrore në trungun e tyre që duhej të çertifikonte pemët e lejuara për t’u shfrytëzuar nga kompanitë e licensuara.

Dhjetra metra më në thellësi, pemë të ngjashëm të pamarkuara janë shembur përtokë, ndërsa trungjet e tyre ende të njomë janë tentuar të fshihen përmes mbulimit me shkurre ose djegies me zjarr.

Pemët e sharruara rishtazhi dhe damkat false, të cilat BIRN i identifikoi përmes vëzhgimeve në terren në pranverë në pyjet mbi fshatin Dardhë të Librazhdit janë dëshmi e vazhdimit të “sopatës së paligjshmërisë”, thuajse dy vjet pas miratimit të një moratoriumi 10-vjeçar nga qeveria “Rama”.

I prezantuar në janar 2016, moratoriumi në pyje u premtua nga kryeministri Edi Rama si zgjidhja që do t’i vinte fre masakrës së pandalshme për më shumë se dy dekada, që vlerësohet se ka rrafshuar me qindar mijëra hektarë të pyllëzuar në vend.

“Toka ofron burime të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e çdo njeriu, por nuk mund të përballojë dot lakminë e gjithsecilit,” tha asokohe Rama në perifrazimin e një shprehjeje të Gandhit, ndërsa shtoi se moratoriumi do të ndalte çdo aktivitet industrial, tregtar dhe ekonomik në pyje shtetërore apo private.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se moratoriumi i pyjeve ka dështuar të frenojë lakminë e shfrytëzuesve, ndërkohë që qindra pemë vazhdojnë të priten në mënyrë të paligjshme nga kompanitë e kontraktuara nga bashkitë dhe banorët e zonave pyjore.

BIRN iu drejtua me kërkesa për të drejtë informimi bashkive të Librazhdit dhe Përrenjasit-të cilat zotërojnë së bashku një ndër fondet më të pasura pyjore në vend me mbi 50 mijë hektarë dhe mori prej tyre përgjigjen se prerjet e paligjshme vazhdojnë të jenë të pranishme në territorin e administruar prej tyre.

Për shkeljen e moratoriumit fajësohen si kompanitë e licensuara nga bashkitë dhe Ministria e Mjedisit ashtu edhe nga banorë të zonave, të cilët pavarësisht masave të rrepta, ia kanë dalë t’u shmangen gjobave përmes kontestimit të tyre në gjykata ndërkohë që vazhdojnë të pashqetësuara kontratat me bashkitë.

Ndërkohë, intervistat me ekspertë të fushës evidentojnë kontradita në legjislacionin që mbështet moratoriumin si dhe problemet e shumta me organizimin dhe stafin e strukturave lokale, ç’ka e bëjnë moratoriumin 10-vjeçar të qeverisë një premtim të mbetur në letër.

Kontradikta ligjore

Më 4 shkurt 2016, parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin “Për shpalljen e moratoriumit në pyje…”, duke përcaktuar një afat 10-vjeçar për funksionimin e tij në të gjithë territorin e Republikës. Katër muaj më pas, në qershor 2016, Këshilli i Ministrave përmes një vendimi të saj transferoi pyjet dhe kullotat publike në pronësi të bashkive, duke u kaluar paralelisht atyre edhe barrën kryesore të zbatimit të moratoriumit.

Pavarësisht premtimit të qeverisë, paketa ligjore i la megjithatë derën hapur shfrytëzimit të pyjeve për qëllime ekonomike. Neni 3 i ligjit të moratoriumit lejon “shfrytëzimin e lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri” si dhe “shfrytëzimin e lëndës drusore për rigjenerimin dhe shëndetësimin e pyjeve”.

Këto hapësira në legjislacion, sipas inxhinierit Genci Kaçorri të Institutit për Ruajtjen e Natyrës, janë në kontraditë me moratoriumin dhe e bëjnë atë të pavlefshëm.

“Ligji në fillim ndalon shfrytëzimin, tregtimin dhe eksportin e lëndës drusore dhe në krahun tjetër, vetëm dy nene më poshtë ka detyrim për strukturat vendore për plotësimin e nevojave për dru zjarri të banorëve,” tha Kaçorri.

“Kjo do të thotë të priten shumë herë më tepër se sa mundësia e shfrytëzimit të pyjeve, pasi prej dy dekadash, vendi ynë e ka tejkaluar mundësinë e shfrytëzimit të druve të zjarrit me katër herë,” shtoi ai.

Një problem tjetër i evidentuar nga specialistët e fushës është fakti se strukturat lokale të ngarkuara me ruajtjen e pyjeve janë të paorganizuara dhe përballen me mungesa të shumta në staf dhe pajisje, çka e bën të pamundur kontrollin e të gjithë territorit.

“Ligji nuk mund të vetëfunksionojë për faktin se ata që janë ngarkuar për zbatimin e tij, strukturat janë të paorganizuara, territori në përgjithësi nuk është nën kontroll dhe kjo e bën të pavlefshëm [moratoriumin],” shtoi Kaçorri.

Problemet me organizimin e shërbimit pyjor në vend dhe me respektimin e moratoriumit i pranojnë edhe drejtuesit e këtyre strukturave në bashkitë e Librazhdit dhe të Përrenjasit. Qerim Facja, drejtor i Shërbimin Pyjor në bashkinë e Librazhdit i tha BIRN se vendosja e moratoriumit i gjeti strukturat lokale të tulatura nga ristruktimi i nisur në vitin 2015-duke krijuar vështirësi të shumta për mbrojtjen e pyjeve.

“Në vitin 2015, në vend të specialistëve u vendosën punonjës jashtë profilit dhe pa arsimin përkatës për specialitetin pyjor. Kjo i solli dëm të madh pyjeve, gjithçka doli jashtë kontrollit,” tha Facja për BIRN.

“Me krijimin e bashkive të mëdha filloi riorganizimi i strukturave, megjithëse duhet akoma shumë punë për të bërë,” shtoi ai, duke iu referuar funksionimit të moratoriumit.

Njësoj si Facja, edhe kolegu i tij në Përrenjas, Kujtim Myzyri pranon se moratoriumi i gjeti strukturat vendore të papërgatitura.

“Situata më parë ka qenë shumë më e rëndë. Kemi filluar ta vendosim nën kontroll, megjithëse ka ende shumë për të bërë,” shtoi drejtori i shërbimit pyjor të Përrenjasit për BIRN.

Familjar me problematikën e shërbimeve pyjore lokale, eksperti Kaçorri i mëshon megjithatë zanafillës së dobësive që në legjislacion për mosfunksionimin e moratoriumit.

“Ligji në këtë rast konfirmon apo imponon prerjen e gjeneratave të reja, të cilat do të jenë e ardhmja e pyjeve dhe kjo ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dëme,” tha ai.

Prerje të paligjshme me licensë

Pamjet e paligjshmërisë në pyjet e Dardhës nuk janë një rast i izoluar. Pavarësisht moratoriumit në pyje, vetëm në vitin 2016 sasia e druve të zjarrit të prera në Shqipëri llogaritet të jetë sipas FAO-s rreth 2.6 milionë m3. Kjo sasi mendohet se është më shumë se dyfishi i volumit të pyjeve që rriten.

Të dhënat që BIRN siguroi përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se bashkitë e Librazhdit dhe të Përrenjasit kanë nxjerrë së bashku në ankand mbi 1 mijë hektarë pyje për punime shfrytëzimi që prej hyrjes në fuqi të moratoriumit, duke u bazuar te parashikimet për furnizimin e banorëve me dru zjarri si dhe rigjenerimin e pyjeve.

Bashkia e Librazhdit i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se përgjatë viteve 2016-2017 ka lidhur kontrata ose aneks kontrata me gjashtë subjekte për shfrytëzimin e rreth 709 hektarë pyjeve.

Ajo pranoi se njëra prej kompanive të kontraktuara prej saj është gjobitur për shkelje të moratoriumit në pyje dhe kullota, ndërsa një kompani e dytë, e cila rezulton se është edhe kryesorja në punimet e shfrytëzimit në Librazhd është kapur gjithashtu në shkelje të kushteve të moratoriumit.

“Për shkeljen e moratoriumit në pyje dhe kullota, drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave ka bërë proces-verbal konstatimi për subjektin 2A me administrator z.Agim Sula për shkelje të kushteve të kontratës së lidhur me bashkinë Librazhd,” tha Bashkia në një shkresë të firmosur nga kryetari i saj, Kastriot Gurra.

Ndërsa kompania Al Mexwood, fituese e ankandit të organizuar nga bashkia Librazhd në fillim të vitit 2017 për shfrytëzimin e pyjeve në Polis, Çermenikë, Neshtë-Prevall dhe në bllokun Dardhë-Xhyrë është kapur në shkelje të kushteve të moratoriumit nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave.

Drejtoria rajonale e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave i tha BIRN se kjo kompani ishte gjobitur më 17 janar 2017, pasi ishte konstatuar se po transportonte dy ngarkesa me lëndë drusore të pamarkuar.

Megjithatë, Bashkia e Librazhdit i cilësoi paligjshmëritë e mësipërme si “raste sporadike”.

Situata në sipërfaqen pyjore të administruar nga bashkia e Përrenjasit është e ngjashme. Përgjatë viteve 2016-2018, kjo bashki ka parashikuar për shfrytëzim rreth 330 hektarë pyje, ndërkohë që kontratat janë fituar nga dy subjekte lokale.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi, kjo bashki u përgjigj se kishte hartuar 10 procesverbale për prerje të paligjshme në të njëjtën periudhë me një vlerë gjobe prej 50 milionë lekësh.

“Proces-verbalet mbulojnë 681 drurë të prerë në kategori diametrike të ndryshme, nga të cilat 571 copë janë drurë të llojit Ah dhe 110 copë janë të llojit Lis,” sqaroi bashkia e Përrenjasit.

Gjobat e kripura u konsideruan në kohën e hartimit të moratoriumit të pyjeve si një tjetër faktor që do të ndalonte abuzimet. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se penalitetet ndaj kompanive private ende nuk janë vjelë, ndërkohë që individët ankohen se gjobiten njësoj si kompanitë për dëme të papërfillshme.

Si bashkia e Librazhdit ashtu edhe ajo e Përrenjasit i thanë BIRN se subjektet janë ankuar në gjykatë, duke sjellë mosvjeljen e gjobave.

“Çështja është në gjykatë për vendosjen e masës administrative për shkeljen e moratoriumit 5 milionë lekë si dhe vlerën e dëmit të shkaktuar bashkisë Librazhd,” u përgjigj bashkia e Librazhdit për subjektin 2A.

“Vlera e dëmit nuk është vjelë pasi subjektet janë në procese gjyqësore,” shtoi gjithashtu bashkia Përrenjas.

Ndërkohë që kompanitë e kontraktuara ia kanë dalë deri më tani t’u shmangen gjobave dhe të vazhdojnë punën, banorët e zonave pyjore-më të penalizuar në numër ankohen se barra e vendosur në shpinën e tyre është shumë e rëndë.

Sami Çerri nga fshati Lëpushë i bashkisë së Përrenjësit i tha BIRN se i biri u gjobit me 6.5 milionë lekë për prerje të paligjshme, ndonëse sipas tij ai ishte pajisur me mandate-pagesë për dru të thata.

“Më duket e padrejtë. Ne jemi në mes të pyllit, pse duhet t’i blejmë me çmime të kripura te firma kur ne kemi pyjet e fshatit dhe tonat?” u ankua Çerri duke iu referuar ndëshkimit të të birit.

“Drutë i kishim të thata dhe ishim në rregull,” shton ai.

Askush nuk dënohet

Prerjet e paligjshme që vazhdojnë të sfidojnë moratoriumin nuk janë një fenomen që ndodh vetëm në bashkitë e Librazhdit dhe të Përrenjasit. Përgjatë vitit 2017, Policia e Shtetit ndërmori operacionin kombëtar “Roja e Gjelbër”, por rezultatet ishin gjithashtu të vakëta.

Të dhënat e mbledhura nga buletinet mujore dhe komunikatat ditore të policisë numërojnë mbi 250 persona të ndjekur penalisht në gjendje të lirë për prerje të paligjshme të pyjeve. Por rastet flasin për banorë të zonave pyjore në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilët u penalizuan për dëme minimale ose për abuzime të cilat mbetën pa autorë.

Nga mbi 250 raste gjithsej, rreth 21 procedime mbi bazën e nenit 205 të Kodit Penal i përkasin bashkive të Përrenjasit dhe Librazhdit.

Rrjedha e procedimeve penale në Librazhd dhe Prrenjas

Por të dhënat e siguruara në gjykatë tregojnë se shumica e procedimeve u mbyllën në Prokurori dhe vetëm 4 persona u dërguan para gjykatës. Rrjedhja vazhdoi më tej edhe në gjykatë, kur përgjatë gjithë vitit 2017 rezulton vetëm një person i dënuar me gjobë nga Gjykata e Elbasanit.

Disa prej rasteve të pandëshkuara përfshijnë parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura në Elbasan i tha BIRN se kishte konstatuar prerjen e paligjshme të 255 pemëve në vitet 2016-2018. Sipas saj, në 16 raste të konstatuara dëmesh në pyje mungojnë autorët, ndërsa në 10 raste, personat përgjegjës u janë referuar organeve ligjzbatuese. Të pyetur për ndëshkimet e këtyre rasteve, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura tha se “gjobat përkatëse në të dyja bashkitë për shkelësit e ligjit janë kompetencë e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve.

Ndërsa i sheh me dyshim rezultatet e prezantuara nga strukturat lokale të shërbimit pyjor, eksperti Genci Kaçorri thotë se pyjet shqiptare vazhdojnë të mbajnë në kurriz “kompromiset dhe lëshimet e tyre”.

“Territori pyjor është jashtë kontrollit, madje ka edhe individë në strukturat e shërbimit pyjor, të cilët bëjnë lëshime, bëjnë kompromise dhe deri në korrupsion. Bëjnë lëshime në kurriz të pyjeve, ndërsa subjektet vazhdojnë punën e tyre,’ përfundoi ai. /BIRN/

SHKARKO APP