Spartak Ngjela: A është e lirë e vërteta sot në Shqipëri?

Nga: Spartak Ngjela

E vërteta këtu, sot, është e paguar me shtrembërime mediatike. Nuk është vetëm individuale: sepse shoqëritë e paqytetëruara në sensin modern, në të përgjithshmen e vet, qëndrojnë tek gënjeshtra. Asgjë nuk është e vlefshme për ty, nëse ti nuk e ke në mendimin tënd. Por, ky mendim, që të jetë me vlerë, duhet t’i qëndrojë të vërtetës.

Jo çdo gjë që qëndron lëvizshëm në mendimin tënd, është me dyshim ndaj së vërtetës, sepse mund të jetë edhe në kërkimin e saj. Vetëm e vërteta mund të quhet mendim i drejtë në lidhje me një gjykim. Por, një gjë është absolute: interesi e errëson mendimin tënd drejt së vërtetës. Dhe këtu qëndron, prej mijëra vitesh, regresi i qytetërimit, që në fillesat e tij. Këtu e zë fillin edhe terrorizmi, edhe pushteti politik, edhe lufta, por edhe mendimi filozofik në trajtimin e së vërtetës.

Por, kur liria nuk është e vërtetë, e vërteta nuk ekziston, se ajo nuk është e lirë. E vërteta është themeli i jetës reale. Kush i trembet të vërtetës, ka nivel të ulët të dijes dhe është skllav i vetvetes, por i një vetveteje me vlerë të ulët të intelektit dhe vetëdijes së tij. Vetvetja e iluminuar me kulmin e dijes, është intelekt i lartë, profesion dhe shpirt paqësor që është edukuar nga mendimi i mbështetur tek e vërteta. Por… Filozofia moderne na ka thënë se: Kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë.

Kur të ndriçon e vërteta, jeta jote ka vlerë primare në këtë qytetërim. Por, kur e vërteta të tremb, i ke humbur të gjitha: prandaj, gjallë të mban vetëm gënjeshtra, intriga dhe ligësia, që, më në fund, të kanë pushtuar tërësisht.

Shikojini në politikat diktatoriale se sa të trembur janë diktatorët nga e vërteta. E dini pse? Sepse pushtetin e dhunshëm e kanë pasion, por ky i fut në krime, dhe krimi iu rëndon. E mbani mend Magbethin e Shekspirit? Vrau mbretin për t’u bërë mbret, dhe me vrasje kërkonte të siguronte veten si mbret. Dhe këtu vjen e na del kjo pyetje: Pse, pa një qëllim të iluminuar kombëtar e përktheu Fan Noli aq bukur Magbethin e Shekspirit?

SHKARKO APP