Spartak Ngjela: Prokuroria e Durrësit po liron vrasësit. Ja si ndryshuan akuzën

Denoncimi i fortë i avokatit Spartak Ngjela në “Koha Jonë”: Shkelje flagrante e organit të akuzës

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka bërë një denoncim lidhur me devijimin e një procesi gjyqësor në Durrës.  Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në prill të këtij vitit dhe për të cilën media foli gjatë në momentin e vrasjes. Tre persona; Kujtim Ekonomi, Kostandin Ekonomi dhe Jurgen Kurti rrahën për vdekje 58-vjeçarin Agim Arapi. Motivi i ngjarjes ishte pagesa e qerasë së një pjese të biznesit që dy vëllezërit Ekonomi dhe Jurgen Kurti, nuk pranonin t’ja jepnin Agim Arapit. Tre personat e kanë dhunuar Arapin duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.  

Fillimisht prokuroria ngriti akuzën për vrasje të cilësuar, pasi dhunuesit ishin në dini se viktima vuante nga sëmundje të zemrës, por vazhduan ta qëllonin. Ndërkohë avokati Ngjela thotë se prokuroria e Durrësit e ka devijuar akuzën nga “vrasje të cilësuar”, në “vrasje nga pakujdesia”.

Ngjela hedh dyshime serioze për korrupsion nga ana e organit të akuzës në këtë çështje. Ai parashtron gjithë detajet e procesit dhe pikat ku, sipas tij, organi i akuzës ka bërë devijimin e çështjes.

Nga Av. Spartak Ngjela

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës është duke u gjykuar çështja penale në ngarkim të pandehurit Kujtim Ekonomi, akuzuar për vrasjen e shtetasit Agim Arapi në datën 11.04.2017.

Në këtë datë, tre persona, Kujtim Ekonomi, Kostandin Ekonomi dhe Jurgen Kurti i kanë hyrë në dyqanin e tij tregtarit, viktimës, Agim Arapi, dhe për një konflikt shumë banal e kanë rrahur për vdekje, dhe ai, duke qenë me ndërhyrje kirurgjikale në zemër ka vdekur.

Menjëherë ka filluar çështja penale kundër dy vëllezërve Ekonomi dhe Jurgen Kurtit.

Nga të gjitha të dhënat operative e faktike rezulton se vrasja është e iniciuar nga Jurgen Kurti, kurse dy vëllezërit që kanë marrë pjesë në vrasje janë Kostandin Ekonomi, që është Vjehrri i tij dhe Kujtim Ekonomi, vëllai i Kostanin Ekonomit.

Por çfarë ka ndodhur me hetimin e çështjes?

Sipas të dhënave rezulton se vrasësit kanë bërë pagesa të mëdha korruptive në Prokurori dhe në gjykatë, por pavarësisht se ne nuk kemi prova rreth dyshimeve që kanë njerëz të caktuar në qytetin e Durrësit, pasi studiuam çështjen penale të përmbledhur në praktikën hetimore të Prokurorisë së Durrësit, arrijmë në këto konkluzione:

Prokuroria ka devijuar akuzën kryesore nga vrasje e cilësuar në vrasje nga pakujdesia, duke krijuar një çështje thuajse të re në funksion të akuzës.

Cilat janë pikat e errëta të hetimit të vrasjes dhe cilësimit juridik të saj?

Edhe nga fashikulli hetimor që ka përmbledhur prokuroria konstatohet se në momentet që dy vrasësit kanë goditur drejtpërsëdrejti viktimën, kanë qenë duke e dhunuar atë, gruaja e vet Vjollca Arapi, i ka njoftuar se bashkëshorti i saj që ata po godasin ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në zemër.

Sipas kësaj, vrasësit që nga ky moment kanë marrë dijeni që viktima e tyre ka një cen të rëndë në zemër.

Në funksion të kësaj, fakti që të dy vrasësit kanë dijeni për sëmundjen e rëndë të viktimës dhe vazhdojnë ta godasin, që në këtë moment kanë hyrë në hullinë juridiko- penale të vrasjes së cilësuar që parashikonet në nenin 79 të K.Penal.

Sipas nenit 79 të K.Penal, vrasja quhet e cilësuar dhe dënohet jo më pak se 20 vjet ose me burgim të përjetshëm në rast se ajo është kryer:

  1. Ndaj të miturit,
  2. Ndaj personit me mangësi fizike ose psikike, të sëmurë rëndë ose shtatëzënë, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura.

Atëherë pyetja është kjo:

Si ka mundësi që Prokuroria t’i shmanget një hetimi normal të një vrasjeje, kur kjo është detyra sublime e një shteti dhe si rrjedhojë edhe e organit të akuzës që paguhet nga shqiptarët për të ruajtur dhe garantuar jetën e tyre?

Por, korrupsioni në Shqipëri është shumë i madh dhe kjo është një çështje serioze për organet e specializuara për garantimin e jetës njerëzore.

Kjo është një çështje, e cila duhet ta marrë në dorë media shqiptare dhe të mos lejojë të zvarritet për të vazhduar rutina korruptive e shitjes së drejtësisë.

Janë të shumtë vrasësit që janë liruar nga akuza, por ky është një rast i dukshëm, i cili duhet të bëhet publik.

Në funksion të kësaj që shprehëm po i jap gazetës “Koha Jonë” edhe promemorien që i kam dërguar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, si avokat i ngarkuar me prokurë në mbrojtje të të dëmtuarës, të vesë, Vjollca Arapi.

Av. Spartak Ngjela.

PROMEMORIE

Drejtuar: Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës

Nga: Avokat Spartak Ngjela, mbrojtës me prokurë i akuzueses së dëmtuar Vjollca Arapi, në çështjen penale nr. 602, të vitit 2017 që ka të bëjë me vrasjen e qytetarit Agim Arapit.

Me objekt: Ricilësimi i veprës penale, nga vrasje nga pakujdesia, ne vrasje me bashkëpunim.

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës i ka paraqitur Gjykatës së Shkallës Parë Durrës për gjykimin e çështjes penale nr. 602, të vitit 2017. Kërkesa në fjalë i është paraqitur gjykatës në datën 12.04.2017 dhe ndërkohë çështja është duke u gjykuar përpara Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, kundër të pandehurit Kujtim Ekonomi, i biri i Dhimitrit dhe e i Naxhijes, i datëlindjes 19.05.1967, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Agim Arapi në datën 11.04.2017. Përpara studios “Law Firm & Finance”shpk, administrator i së cilës jam vetë, u paraqit bashkëshortja e të ndjerit Agim Arapi, e cila kërkoi ndihmë juridike, sepse kishte konstatuar mungesë konseguence dhe serioziteti në hetim kundrejt vrasësve realë te bashkëshortit të saj. Studioja “Law Firm & Finance”:

Pasi mori në studim të gjithë praktikën e mbledhur në dosjen penale të struktuar nga ajo Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës; Pasi konstatoi gjatë studimit se kjo çështje mbart me vete gabime serioze të cilat implikojnë shtetin në abuzim për ndjekjen penale; Pasi konstatoi vetë profesionalisht se nuk mund të ketë vrasje nga pakujdesia, kur dy dhe tre persona kanë hyrë në dyqanin e viktimës dhe kanë vrarë viktimën; Pasi konstatoi se pushimi nga ana Prokurorise i çështjes për Kostandin Ekonomin, nuk ishte një argumentim për akuzuesin, por një mbrojtje e dobët avokatie që i bëhet të pandehurit nga ana e hetimit dhe prokurorit përgjegjës;

Pasi konstatoi se pushimi i çështjes penale në ngarkim të Kostandin Ekonomit, është bërë me tendencë abuzive për të lehtësuar Kujtim Ekonomin si të pandehur, në mënyrë që akuza e tij të shkojë nga vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia; Pasi konstatoi se brenda praktikës që është mbledhur në hetim rezulton në mënyrë të qartë juridike se Jurgen Kurti është i implikuar direkt në vrasje; Pasi, në lidhje me Jurgen Kurtin, ne konstatojmë se në praktikën hetimore ekspertiza jonë profesionale e vërteton atë si bashkëpunëtor, madje si organizator të bashkëpunimit në vrasje me dy të tjerët;

Pasi konstaton profesionalisht se i gjithë konflikti ka në epiqendër Jurgen Kurtin;

Pasi analizoi me kujdes dhe pa që e gjitha praktika hetimore është bërë për të fshehur vrasësit e vërtetë;

Pasi ekspertiza jonë konstaton se në rastin e hetuar nga prokuroria në këtë çështje, na rezulton se kemi të bëjmë me një vrasje në bashkëpunim nga tre autorë; Kujtim Ekonomi, Jurgen Kurti dhe Kostandin Ekonomi. Paraqesim para jush këtë promemorie me mendimin se: në interes të shtetit, në interes të drejtësisë dhe në interes të viktimës, gjykata duhet ta hetojë gjerësisht këtë çështje në mënyrë që në vendimin përfundimtar të ndërrojë cilësimin e veprës penale në ngarkim të Kujtim Ekonomit; duke iu kujtuar se ajo sot, sipas Kodin të ri të Procedurës Penale, në bazë të nenit 375, ka të drejtë që me vendimin përfundimtar të ndryshojë cilësimin juridik të veprës;

Duke shkuar me mendimin se profesionalisht, nëse gjykata ndërron cilësimin e veprës nga vrasje nga pakujdesia, në vrasje me paramendim dhe në bashkëpunim, të paktën për dy persona, domosdoshmërisht prokuroria është e detyruar të riçelë hetimin për këtë çështje. Duke shkuar me mendimin se gjykata shqiptare nuk mund të jetë çmendur që të konsiderojë vrasjen nga pakujdesia një vrasje të cilësuar në bashkëpunim nga tre persona;

Ju drejtojmë këtë promemorie sipas argumentimit të mëposhtëm:

Hetimi me tendencë ka shpërngulur vendngjarjen nga dyqani i viktimës në lokalin e vrasësve. Ne e konsiderojmë këtë zhvendosje si të qëllimshme. Aktualisht në dispozicionin e Prokurorisë ka qënë videoja që regjistron të gjithë ngjarjen, pasi dyqani i viktimës, ku ka ndodhur ngjarja, ka qënë i ruajtur me kamera dixhitale. Unë nuk e di ende nëse ky disk regjistrimi i është dorëzuar gjykatës apo jo, sepse sipas fotografive që janë në praktikën hetimore që kemi marrë nga gjykata, nuk rezulton disku, të cilin ne e kemi, por në dosjen tuaj janë vetëm disa fotografi të marra nga njëri prej disqeve që kanë regjistruar ngjarjen. Dua të theksoj se ngjarja është regjistruar në mënyrë korrekte nga tre kamera të vendosura paraprakisht në hapësirën e dyqanit ku ka ndodhur ngjarja, dhe unë i disponoj që të tre disqet.

Të tre disqet do t’ia dorëzoj Gjykatës në seancën më të para gjyqësore, sepse janë të hedhura normalisht në një disk, në të cilën shihet qartë se: Të tre vrasësit kanë hyrë në dyqanin e viktimës sipas kësaj radhe: Në fillim ka hyrë Kostandin Ekonomi dhe ka bërë fjalë, madje e ka prekur me dorë zonjën Vjollca Arapi, e cila është pronare e dyqanit. Pas kësaj, në dyqan vjen dhe hyn viktima; aty krijohet një konflikt midis të treve dhe Vjollca Arapi paralajmëron agresorin se burri i saj është me problem kardiak. Vjollca del jashtë, lajmëron policinë, por ndërkohë kanë hyrë në dyqan te viktima njëri pas tjetrit, Kujtim Ekonomi dhe Jurgen Kurti. Dhe kanë ndenjur të tre me viktimën. Nga regjistrimi konstatohet qartë që Jurgen Kurti, që është iniciatori dhe organizatori i bashkëpunimit, ka ardhur me makinën e tij, ka parkuar makinën përballë dyqanit dhe ka hyrë brenda në momentet e ndeshjes fizike midis Kostandinit dhe Kujtim Ekonomit. Nuk kuptohet se çfarë ka ndodhur brenda, por është parë; që Jurgen Kurti ka dalë i pari, dy të tjerët kanë ndenjur te viktima; dhe më pas kanë ikur dhe këta, sepse po mbërrinte policia, e lajmëruar nga Vjollca Arapi. Policia dhe Vjollca Arapi e kanë gjetur viktimën të gjymtuar, me dhunë të jashtëzakonshme. Në spital ai vdiq.

Zoti Gjyqtar!

Bashkëngjitur kësaj promemorie po iu dërgoj diskun e regjistruar titulluar – DVR CAMER, duke iu kërkuar në mënyrë strik-ligjore hetimin gjyqësor të pacenueshëm të kësaj çështjeje dhe ricilësim të një vepre të shëmtuar penale; si vrasje me paramendim në bashkëpunim. Bashkëngjitur promemories time ju kam paraqitur paraqitjen e përbledhur të ngjarjes nga Vjollca Arapi, të cilën ajo do ta dorëzojë si dëshmi përpara Gjykatës së Faktit Durrës.

Bashkëngjitur prokura e Vjollca Arapit.

PS: Një promemorie e ngjashme me këtë iu drejtua njëherësh edhe prokurorit të rrethit dhe Prokurorit të çështjes.

SHKARKO APP