Speciale për Referendumin në Britani
Skocia mes Brexit-it dhe Evropës
Në Skoci nuk ekziston makthi i zakonshëm në lidhje me Evropën si në Angli. Shumica e skocezëve janë për qëndrimin e vendit në BE.
Gjatë referendumit për pavarësinë në shtator të vitit 2014 Skocia mbush me flamurë dhe postera plot ngjyra të mbështetësve dhe të kundërshtarëve të pavarësisë. Në referendum morën pjesë rreth 85 për qind e personave me të drejtë vote. Rreth 55 për qind votuan në favor të qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Tani, disa ditë para referendumit për Brexit situata politike në Skoci është e ndryshme. Këtë herë shihen vetëm pak flamuj ose postera për t’i inkurajuar votuesit për të votuar pro ose kundër daljes nga BE-ja.
Jo mani për Evropën
Edhe pse sipas shumë sondazheve dy nga tre e skocezëve do të votojnë që Britania e Madhe të qëndrojë në BE, deri tani, ekspertët presin një pjesëmarrje të ulët në referendum. Po ashtu në ndryshim nga referendumi i pavarësisë në shtator të vitit 2014 në këtë refrendum nuk kanë të drejtë të marrin pjesë të rinjtë e moshës 16 dhe 17-vjeç.
“Makthi i zakonshëm në lidhje me Evropën në Angli, nuk ekziston në Skoci,” tha për DW-në Michael Keating, profesor për politikën në Universitetin e Aberdini. “As euroskeptikët në Skoci nuk kanë një marrëdhënie aq obsesive me kontinentin sa anglezët. Kjo pyetje nuk është aq e rëndësishme këtu dhe nuk i polarizon njerëzit aq shumë,” tha Keating në një intervistë për DW.
Më tepër për qëndrim në BE
Partitë e përfaqësuara në parlamentin e Skocisë në Edinburg janë pro qëndrimit në BE. Madje edhe konservatorët skocezë dallojnë në këtë pikë nga konservatorët anglezë në Westminster.
Po ashtu edhe parrullat e kundërshtarëve të BE-së për migrimin dhe pavarësinë nuk gjejnë shumë ithtarë, sepse në Skoci ka shumë më pak emigrantë se në Angli. Po ashtu Skocia ka nevojë për emigrantë për të zëvendësuar punonjësit e moshuar që dalin në pension.
Edhe koalicioni skocez kundër BE-së është i përçarë dhe ky është një shkak tjetër që dy të tretat e skocezëve si dhe shumica e sipërmarrësve janë për qëndrimin e vendit në BE.
Ringjallje e debatit për pavarësinë e Skocisë
Në rast se anglezët do të votojnë për të dalë nga BE-ja, kjo mund të sjellë me vete ringjalljet e debateve për pavarësinë e Skocisë. Sipas sondazheve në një rast të tillë do të fitonin madje nacionalistët.
Një Skoci e pavarur mund të anëtarësohej në BE, por kjo do ta vështirësonte marrëdhënien me Anglinë, si jo anëtare e BE-së, duke filluar që nga kontrolli i kufijve. Po ashtu në një rast të tillë një Skoci e pavarur do të ishte më afër Brukselit se sa Londrës, sepse kompetencat e deritanishme p.sh. në sektorin e peshkimit dhe të bujqësisë do të kalonin nga Londra në Edinburg.
Megjithatë shumica e skocezëve shpresojnë që kjo të mos ndodhë dhe ky shqetësim mund t’i motivojë shumë skocezë që të marrin pjesë në refrendum.
Brexit-i kërcënon kulturën
A e rrezikon dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja kulturën? Tregu më i madh i eksporteve britanike në fushën e kulturës është BE-ja.
A do të varfërohen shkëmbimet kulturore mes BE-së dhe Britanisë së Madhe në rast të daljes së saj nga BE-ja? A do të ndërpriten fondet e BE për teatrin, filmin apo projektet artistike? A do të shkëputet madje vendi prej kontinentit në rast të Brexit-it? Këto dhe pyetje të tjera të ngjashme i bënë 300 artistë britanikë të përpilonin një letër të hapur që u botua në faqen e parë të gazetës së përditshme londineze “The Guardian” ku ata kërkojnë që Britania e Madhe të qëndrojë në BE.
Ndër nënshkruesit e letrës janë regjisori Steve McQueen, shkrimtarët John le Carré dhe Ian McEwan, arkitekti David Chipperfield, dizajnerja Viviane Westwood apo artisit Anish Kappor.
Bëhet fjalë për shumë para
Sipas shoqatës “Creative Industries Federation” krijimtaria artistike i sjell rreth 84,1 miliardë paund ekonomisë britanike dhe tregu më i madh i eksporteve britanike në fushën e kulturës është BE-ja. Në këtë fushë bëjnë pjesë edhe tregtia e objekteve artistike dhe tregu televiziv.
Brukseli po i financon projektet kulturore dhe filmike mes vendeve të BE-së për periudhën 2014-2020 me rreth 1,46 miliardë euro, thotë Katharina Weinert, këshilltare pranë “Creative Europe Desk Kultur” në Bonn.
Po ashtu BE-ja ofron edhe ndihma strukturore p.sh. për teatrot rinore dhe projektet teatrale si “Platform Shift Plus” u marin pjesë të rinj britanikë, gjermanë, norvegjezë, italianë dhe nga disa vende të tjera. Dalja nga BE-ja nuk do t’i pezullonte menjëherë projekte të tilla, por në rast të një Brexit-i Komisioni i BE-së duhet të diskutojë për raste të tilla.
Nicholas Kenyon, drejtor i qendrës kulturore Barbican në Londër tha për gazetën “Neuen Zürcher Zeitung” se Brexit-i do të ketë pasoja dhe në fushën e kulturës, sepse p.sh. shumë filma të njohur si “The King’s Speech”, “The Iron Lady” dhe “Slumdog Millionaire” nuk do të mund të realizoheshin pa fondet e BE-së.
Probleme me shkëmbimet kulturore
Presidenti i Lidhjes së Muzeumeve gjermane Eckart Köhne
tërheq vëmendjen në bisedë me DW-në se në rast të Brexit-it do të ashpërsohen ligjet për doganat dhe do të ketë kufizime për huazimin e veprave të artit nga një muzeum tek tjetri.
Martin Roth që drejton Victoria & Albert Museum në Londër e konsideron si një përfytyrim të tmerrshëm Brexit-in. Ai thotë se edhe pse Britania e Madhe do të mbetet pjesë e kulturës dhe identitetit evropian, politika do t’i vështirësojë këto marrëdhënie. Pasojat e Brexit-it do të ishin dogana, taksa dhe viza për artistët britanikë që do të duan të punojnë në vendet e BE-së.
Irlanda, Irlanda e Veriut dhe Brexit
Nëse britanikët do të largohen nga BE kjo ndoshta do të kishte pasoja edhe për paqen në Irlandën e Veriut. Sondazhet thonë: shumica e irlandezoveriorëve duan të qendrojnë në BE.
Një ekspozitë në Belfast kujton aktualisht një vit në histori, në të cilin irlandezët përjetuan gjëra shumë të ndryshme: në vitin 1916 kryengritësit nisën në Dublin kryengritjen e Lindjes kundër britanikëve, të cilën ata e shtypën në mënyrë brutale. Njëkohësisht luftuan dhe vdiqën mijëra vetë nga Irlanda e Veriut si ushtarë të trupave britanike në Luftën e Parë Botërore.
Qindra vjet më vonë Irlanda është një shtet paqësor. Por politika vazhdon t’i ndajë njerëzit, veçanërisht në Veri të ishullit.
BE na ka gozhduar
Në Woodvale Road, lagje e banuar kryesisht nga protestantët në Belfastin Perëndimor, ndodhet dyqani i mishit i Sammyt. Pronari Nathan Mooney ka vendosur si do të votojë në 23 qershor. “Unë jam për të dalë nga BE. Gjithë kjo burokraci, që na gozhdon – thjesht është shumë.” Veç kësaj Britania e Madhe i përcjell shumë para Bashkimit Evropian, është i bindur kasapi. Mbështetësit e Brexit thonë se shuma që i përcillet nga Britania e Madhe BE është 443 milionë euro në javë. Ndërsa kundërshtarët e Brexit deklarojnë përkundrazi se Britania e Madhe përcjell më e shumta gjysmën e kësaj shume.
Sot në Belfast vërtet që është më qetë se sa gjatë tri dekadave me kryengritje kundër pushtimit britanik, e cila u kushtoi jetën mbi 3000 vetëve. Por gardhi i lartë prej pesë metrash midis lagjeve protestante-unioniste dhe katolike-nacionaliste në Belfastin Perëndimor është ende aty.
“Kufiri do të mbyllej”
“Unë nuk do të shkoj të votoj. Por po ta bëja, unë do të votoja për qendrimin e Britanisë së Madhe në BE. Kjo do të ishte e mirë për biznesin”, thotë Sean Morgan. Ai qendron i rrethuar me triko të verdha, kopje armësh historike dhe një kopje të shpalljes së Irlandës së Veriut në dyqanin e tij “Fenians”. Fenianët ishin në në shekullin e 19-të republikanë irlandezë, të cilët u angazhuan për Irlandën e bashkuar. Sean Morgan druhet se në rast të një Brexit mund të krijohet një kufi i ri midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Ky kufi deri tani ka qenë i hapur, meqenëse një marrëveshje e rregullonte kalimin madje edhe në kohën e konfliktit të Irlandës së Veriut.
Dhe me të vërtetë, në një raport të publikuar nga deputetët e Komisionit të Irlandës së Veriut thuhet se në rast të një Brexit, kalimit të papenguar i vihet pikëpyetje.
Edhe kryeministri irlandez Enda Kenny foli së fundi që mund të futen sërish kontrollet në kufi, nëse Britania e Madhe e braktis BE. Ish-kryeministrat britanikë, John Major dhe Tony Blair paralajmëruan se një Brexit mund ta minojë procesin e paqes të Irlandës së Veriut dhe mund të rihapë diskutimin për Irlandën e bashkuar.
Njësoj mendon edhe Duncan Morrow nga Universiteti i Ulsterit. Një Brexit mund ta bëjë të lëkundet procesin e paqes, thotë ai. “Irlanda e Veriut mbahet nga një fill i mëndafshtë. Ky rrjet tani mund të marrë të çara.”
Fakte dhe fiksione
Irlanda e Veriut konsiderohet në politikën britanike si një njollë shumë e veçantë, me tema krejt të vetat dhe me struktura të vetat partiake. Por kur bëhet fjalë për Brexit, irlandezoveriorët dallohen pak nga anglezët. Aktivistët e të dyja drejtimeve shqiptojnë shifra, supozime dhe herë pas here fyerje. Dhe të dy i lënë zgjedhësit vetëm, që të ndajnë faktet nga fiksioni.